Qeveria ka rënë, PD e vendosur në krijimin e qeverisë teknike

PD është e gatshme të ulet në një tryezë dialogu me partitë politike, përfshirë PS për të arritur në krijimin e një qeverie teknike. “PD është e gatshme për dialog. Jemi dakord të ulemi me të gjitha forcat përfshirë PS dhe LSI, tryeza do ketë produkt zgjidhjen e kësaj krize dhe krijimin e një qeverie teknike”, u shpreh deputeti demokrat, Flamur Noka. Ai deklaroi se tashmë qeveria ka rënë. “PD me datë 18 demonstroi qartësisht që qeveria ka rënë, kjo qeveri qëndron në këmbë si një ngrehinë kriminale falë aritmetikës së saj dhe jo falë vullnetit të popullit. Kemi të bëjmë me një qeveri që nuk përfaqëson më popullin, u vërtetua që përfaqëson kartelet e drogës, bandat kriminale që e drejtojnë atë, pjesën më të errët të kësaj shoqërie. Qeveria praktikisht është e rënë, jemi të vendosur në aksionin tonë derisa të garantojmë zgjedhje me standarde demokratike. Kjo qeveri nuk e ka vullnetin, Dibra ishte varri ku u vranë zgjedhjet e lira, ku u varros vota e lirë nga kjo qeveri. Kemi vendosur që të mos pranojmë më që në këtë vend të vidhet vota, të blihet vota dhe të shantazhohet vota”, tha Noka. Deputeti demokrat deklaroi se e vetmja zgjidhje mbetet krijimi i një qeverie teknike. “Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje që mund të qetësojë situatën dhe të kthejë besimin tek vota dhe institucioni i zgjedhjeve, të kthejë besimin që ky vend mund të bëhet. Me datë 18 populli foli si kurrë ndonjëherë. Aksionin tonë do ta instensifikojmë edhe më tej në rast se do vazhdojmë të ndeshimin në veshin e shurdhët të Kryeministrit dhe mazhorancës. Ne nuk tërhiqemi, kjo është pikë pa kthim. Po studiojmë mundësitë për ta intensifikuar këtë aksion”, tha Noka.

Artikulli paraprakManjani: Zgjedhjet realisht të rrezikuara nga krimi e droga
Artikulli tjetërBE-OSBE, shqetësim për zgjedhjet në Shqipëri