Qeveria e pranon: Përfundimi i TAP-it dhe HEC-it të Devollit godet ekonominë

Për herë të parë, qeveria pranon se përfundimi i dy projekteve madhore të investimeve të huaja, gazsjellësi TAP dhe hidrocentrali i Devollit do të kenë ndikim negativ në ekonomi. Në programin e Reformave Ekonomike 2018-2020, analizohen pasojat që përfundimi i këtyre dy veprave do të ketë në të paktën dy drejtime kryesore: tek fluksi i investimeve dhe importet.
“Në projeksionet afatmesme të dinamikës së investimeve është faktorizuar edhe pritshmëria për ngadalësimin e ndjeshëm të fazës së ndërtimit të dy projekteve të mëdha, atë të hidrocentralit të Devollit dhe atë të gazsjellësit TAP krahasuar me pikun e kësaj faze që ishte gjatë viteve 2016-2017. Ky është faktori kryesor që investimet nga një rritje e fortë e parashikuar prej 10.3% në 2017 pritet që ta ngadalësojnë ndjeshëm ritmin e rritjes në rreth 4.8% në 2018. Megjithatë në të njëjtën kohë ngadalësimi i fazës zbatuese të këtyre dy projekteve pritet të ketë një efekt negativ shumë më të zbutur në rritjen totale të ekonomisë përfshi edhe vitin 2018, ku fillon thyerja. Kjo pasi një pjesë e konsiderueshme e inputeve të këtyre dy investimeve ishte e importuar dhe jo e prodhuar në vend. Rrjedhimisht, kjo reflektohet edhe në ngadalësimin e rritjes së parashikuar të importeve të mallrave në vitin 2018 në rreth 2.5% nga 5.1% në 2017, në terma vjetorë realë”, theksohet në dokumentin e qeverisë, të publikuar në Fletoren Zyrtare.
Ekspertët kanë apeluar vazhdimisht nevojën për gjetjen e burimeve të reja të investimit për zëvendësimin e këtyre dy veprave që përfundojnë, duke theksuar pasojat që do të kishte ekonomia. Por deri më tani, qeveria kishte mbajtur një qëndrim deri-diku indiferent ndaj një impakti të tillë të mundshëm. Aeroporti i Vlorës dhe oferta 100 milionë euro e konsorciumit turk është “asi nën mëngë” i ekzekutivit për të zëvendësuar dy projektet e TAP dhe HEC-it të Devollit, por edhe për të mbështetur rritjen ekonomike, të parashikuar këtë vit në 4%, më poshtë sesa pritshmëritë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Ekonomix.al

Artikulli paraprakMediat italiane: Roma kërkon Mateo Kovaçiç
Artikulli tjetërQeveria vjedh 178 milionë euro për djegësa, ndërsa banorët thithin ajër të ndotur