Qeveria dorëzohet, bëhuni gati për orë të gjata pa drita

Kriza vendase e prodhimit të energjisë e ka vënë me shpatulla për “muri” Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë, i cili në kushtet e emergjencës ka bërë një tender me vlerë 1.6 milionë euro për të siguruar energjinë e plotë deri në fund të këtij muaji. Çmimi mesatar i blerjes ishte 67 euro për MW, nivel më i ulët se çmimi i bursës në këto ditë. Gjithsej shpenzimet e OSHEE-së për blerjen e energjisë për muajin gusht shënuan 31.6 milionë euro. Në fund të korrikut OSHEE e tenderoi energjinë e gushtit me 29.9 milionë euro.
Vijimi i thatësirës edhe për muajin shtator është duke e vënë stabilitetin fiskal të vendit para një vështirësie serioze. Sipas shpenzimeve të kryera gjatë muajit gusht shihet se OSHEE nuk do të mund të përballojë e vetme harxhimet për importin. Teksa pritet që me formimin e qeverisë së re të ndryshojë buxheti i vitit 2017 për të akorduar tepricat buxhetore në favor të importit të energjisë. OSHEE raporton se pasi u konsultua me KESH u pa se mundësitë e prodhimit për periudhën gusht 2017 janë të kufizuara. Ndërkohë vihet re një rritje e ngarkesës mbi parashikimet mbi të cilën u realizua blerja për muajin gusht 2017 në sasinë 434,000 MWh.
Në këto kushte, OSHEE pas konsultimeve me KESh, OST dhe MEI vendosi të fillojë blerjen e një sasie shtesë energjie prej 35,200 MWh për periudhën 12-31 gusht 2017. Duke qenë se nga ofertat e ardhura në fazën e parë nuk ishte arritur sigurimi i sasisë së kërkuar për të optimizuar portofolin ekonomik të OSHEE sh.a., Komisioni i Blerjes vendosi të negociojë me të gjitha kompanitë për të rritur sasitë dhe për të ulur çmimin për njësi. Komisioni i blerjes vazhdoi procedurat e vlerësimit me 7 shoqëritë prodhuese/tregtare që paraqitën interes në raundin e fundit të procedurës së zhvilluar nga OSHEE. Fituesit ishin shoqëritë “EFT AG”; “GSA shpk”; “GEN-I Tirana shpk”; “NOA Energy Trade”, “Devolli Hydropower –Statkraf”; “A&A Group of companies” dhe “HSE”.

Kriza e energjisë elektrike, sa do t’i kushtojë fatura qeverisë shqiptare
Kriza energjetike do të ketë pasoja financiare për buxhetin e shtetit, por sipas Ministrisë së Financave ato janë të përballueshme dhe nuk do të çojnë në rritje të borxhit. Paraprakisht ekspertët e ministrisë llogarisin se fatura e krizës për buxhetin do të jetë rreth 5 miliardë lekë ose gati 38 milionë euro.
Në dy muajt e fundit Shqipëria ka shpenzuar mbi 50 milionë euro për të blerë energji elektrike. Deri tani fatura e importeve është përballuar nga vetë operatori i shpërndarjes së energjisë. Por për shkak të këtyre shpenzimeve të larta, OSHEE ka ndalur ripagesat e kredive, të marra me garanci të qeverisë. Për vitin 2017, ishte parashikuar që kompanitë publike të ripaguanin rreth 5 miliardë lekë kredi. Këto pagesa tashmë do të mbulohen nga buxheti.
Stafi teknik i Ministrisë së Financave ka nisur punën për ndryshimin e buxhetit, i cili me gjasa do të zyrtarizohet pas formimit të qeverisë së re. Por sipas tyre, pagesat për energjinë nuk do të çojnë në rritje të borxhit, pasi fatura do të mbulohet nga kursimet e interesave.
Në 6 muajt e parë të vitit, qeveria kurseu 3 miliardë lekë nga shërbimi i borxhit publik për shkak të rënies së interesave. Deri në fund të vitit, qeveria shpreson të kursejë më shumë, para të cilat do i përdorë për të financuar kreditë e kompanive energjetike pa rritur deficitin buxhetor.

Artikulli paraprakThatësirat do ulin me 20% prodhimin e energjisë
Artikulli tjetërRama po krijon shtetin e tij personal