Qeveri Antimafia

Në një shkrim të gjatë në faqen e tij në facebook, Rama ofron alternativën e një pakti Kombëtar për Europën me opozitën duke nisur nga zgjedhja e Kryeprokurorit. Rama propozon uljen në tryezë me opozitën “për çështjen aktuale të Prokurorit të Përgjithshëm dhe arritjen e një Pakti Kombëtar për Europën që duam”, thotë Rama.
Rama kërkon marrjen e disa hapave të përbashkët me opozitën dhe ndryshe nga shefi i tij grupit parlamentar ai thotë të vendosim Shqipërinë mbi Partinë. “Me disa hapa të përbashkët drejt çeljes së negociatave (dhe pse jo edhe përtej nëse ka mundësi në rrugën e arsyes), si shprehje e vullnetit të mirë për ta vënë Shqipërinë mbi partitë dhe axhendën e përbashkët kombëtare mbi axhendat e përveçme të politikës së ditës”, shkruan Rama.
Rama kërkon bashkërendimin e disa hapave të përbashkët me opozitën. “Dua vetëm të arsyetoj ftesën publike për opozitën që,,të paktën në gjashtë muajt e ardhshëm, t’i vihemi në dispozicion së bashku përpjekjes për të siguruar çeljen e negociatave, duke bashkërenduar nismat e veprimet e nevojshme për ta çuar jo qeverinë, po Shqipërinë në fitoren e kësaj sfide të vështirë, por krejtësisht të mundur tanimë”, thotë Rama.
E parë në planin e krijimit të urave të dialogut me opozitën asnjë ftesë me mazhorancën nuk mund të hidhet në erë, por eksperienca e marrëveshjeve me Ramën ka treguar se ai i gris ato ende pa u tharë boja e firmës së nënshkruar. Kështu ndodhi me marrëveshjen e 18 Majit kur premtoi angazhim për zgjedhje të lira në tryezë dhe më pas e minoi marrëveshjen dhe në terren hodhi 20 milionë dollarët e Tahirit për të blerë votat në Tiranë të siguruara nga droga e Habilajve.
Bashkë me zgjedhjet, Rama hodhi në erë dialogun dhe marrëvehsjen me opozitën.
Tentativa e re për gjetjen e një gjuhe bashkëpunimi me opozitën për të arritur trenin europian duhet të kalojë nga varri ku është groposur Marrëveshja e 18 Majit e cila u ekzekutua bashkë me zgjedhjet. A mundet të rilindë një pakt i ri mbi gërmadhat e së vjetrës sikurse ndodh në marshet e internacionales komuniste? Kjo duhet parë.
Oferta e re e Ramës i është impunuar nga rrethanat politike të krijuara me hetimet për krimin e organizuar të lidhur me qeverinë. Jo vetëm kaq. Propozimi i tij vjen pas vizitës të “suksesshme” në Bruksel. Ajo që ka ndodhur pas kuintave atje duket të ketë qenë krejt tjetër nga fjalori buzagaz i drejtuesve të Brukselit me Ramën. Nga atje ka marrë një recetë se si mund të arrijë të kapë trenin e Europës dhe kjo rrugë kalon nga opozita dhe bashkëpunimi me të.
Duket se Basha nuk është i papërgatitur për ofertat që kalojnë nga tryezat e diplomacisë. Pas mbërritjes nga takimi i Popullorëve Europianë, Basha rihodhi në tryezën e Ramës propozimin që e ka bërë prej kohësh; krijimin e një qeverie Antimafia.
“Për të avancuar projektin europian të vendit, opozita ka parashtruar si zgjidhje politike krijimin e një qeverie antimafia, që do të shkëpusë lidhjet e krimit me politikën, do të përgatisë një reformë të vërtetë zgjedhore dhe do ta çojë vendin me sukses drejt një qeverie legjitime përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Basha pas takimit me kreun e Popullorëve Europianë, Daul.
Si për të kujtuar se është një hap përpara Ramës, Basha ja përsëriti kërkesën kreut të qeverisë edhe ditën e djeshme përmes një konference shtypi të Alibeajt ku deklaroi se vetëm një qeveri Antimafia do të mund të luftojë krimin, drogën dhe lidhjet e tyre me pushtetin dhe kjo mund të arrihet me largimin e Ramës.
Ka një pikë që mund të japë shpresë për hapjen e dritës së gjelbër europiane. Topi mbetet në fushën e Ramës edhe pas deklaratës së djeshme. Ai duhet të provojë se sa i sinqertë është kur deklaron se “duhet vendosur Shqipëria përpara Partisë”. Shembullin duhet ta japë vetë Rama. Të zbresë disa shkallë më poshtë nga posti që mban. Përndryshe , opozita nuk mund të jetë serviret si garniturë në tepsinë e Ramës me vilma, tahirë, drogë, koncesione, krim he korrupsion.

Reagimi i PD

Partia Demokratike denoncoi dje Kryeministrin Edi Rama se po bën çdo përpjekje për të vënë nën kontroll sistemin e ri të drejtësisë, duke kapur institucionet. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj tha se së fundmi Rama po tenton të kapë edhe kryeprokurorin. Ndërsa akuzoi qeverinë se nuk jep asnjë garanci për të luftuar krimin dhe drogën, Alibeaj tha se zgjidhja e vetme është qeveria antimafia dhe largimi një orë e më parë i Edi Ramës.
Alibeaj tha se kjo qeveri nuk jep asnjë garanci se krimi, trafiku i narkotikëve dhe korrupsioni qeveritar mund të luftohet. “Kjo nuk ka si të ndodhë dhe as të shpresohet që të ndodhë, sepse vetë Edi Rama është ideatori, arkitekti dhe ekzekutuesi i kësaj politike makabre për të kriminalizuar policinë dhe rrënuar shtetin”, u shpreh Alibeaj. Ai deklaroi se kjo qeveri dhe Rama nuk mund të japë asnjë garanci për luftë ndaj drogës, trafikut dhe korrupsionit qeveritar, kur vetë vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafës, është i hetuar, proceduar, gjykuar dhe dënuar nga të gjitha shkallët e gjykimit në Itali, pikërisht për krijim të organizatave kriminale për trafik lëndësh narkotike, heroinë dhe kokainë. “Nuk ka si të shpresohet për garanci për luftën ndaj krimit, drogës dhe korrupsionit, kur Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, i zhytur personalisht në këtë vorbull kriminale dhe i dokumentuar si i tillë nga autoritetet italiane, u mor në mbrojtje politike personalisht nga Edi Rama. Nuk ka si të ketë shpresë që shteti të luftojë krimin, drogën e korrupsionin, kur tre zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit në Vlorë, iu krijuan kushtet dhe lehtësitë qeveritare për t’iu shmangur drejtësisë, si një provë dramatike e zhytjes kryekëput të drejtuesve më të lartë politikë qeveritarë në këtë shtjellë kriminale, ku është zhytur Shqipëria tash e 4 vjet.
Nuk ka si të ketë shpresë se krimi dhe droga do të luftohen, kur Edi Rama po bën çdo përpjekje për të marrë nën kontroll të gjitha organet e reja të drejtësisë, përfshirë edhe prokurorin e Përgjithshëm, duke bërë vetë kriminelin, policin, prokurorin dhe gjykatësin”, tha Alibeaj. “Sot, është e qartë për këdo, se ky potencial i madh kriminal nuk mund të luftohet nga Edi Rama. Sot më shumë se kurrë është nevojë imediate, krijimi i një qeverie antimafia, e pakapur nga krimi, korrupsioni dhe droga dhe vullnetplotë për ta luftuar atë. Duke filluar më së pari nga largimi një orë e më parë i Edi Ramës”, u shpreh Alibeaj.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakVendimi i Trump për Jeruzalemin, pse nuk i mohon të drejtat Palestinës
Artikulli tjetërFaqja e pare