Qetësohen te Napoli, dëmtimi i Hysajt nuk është serioz

Pas alarmit fillestar, te Napoli u rikthye qetësia. Dëmtimi i Elseid Hysajt, në miqësoren që Shqipëria luajti në Vienë përballë Austrisë nuk është serioz. Mbrojtësi kuqezi pësoi një goditje në kavilje në minutat e para të sfidës, ku edhe pse imazhet treguan se dhimbja ishte e madhe, ai ishte në gjendje të luante, madje qëndroi gjatë gjithë 90 minutëshit në fushë. Për shkak të lëndimit, Hysaj u largua përpara kohe nga grumbullimi i Kombëtares. Stafi kuqezi i dha leje shkodranit të rikthehej në Napoli, për të vijuar vizita të specializuara mjekësore, duke mos rrezikuar me aktivizimin e tij në ndeshjen me Luksemburgun.
Lajmi për dëmtimin e Hysaj fillimisht shkaktoi panik te Napoli. Klubi, stafi teknik i trajnerit Sarri, por edhe mediat dhanë alarmin se problemet e mbrojtësit në kavilje mund të ndikonin në ambicien e skuadrës drejt titullit kampion në Itali. Por, në pritje të kontrolleve të specializuara, që do të zbulojë shkallën e dëmtimit dhe ku do të përcaktohet ekzaktësisht afati për kalimin e lëndimit, te Napoli janë optimistë. Bëhet fjalë vetëm për një goditje në kavilje dhe asgjë më e rëndë. Elseid Hysaj pritet të vijojë rregullisht stërvitjen me pjesën tjetër të ekipit.
Trajneri Maurizio Sarri shpreson të rikuperojë mbrojtësin shqiptar për sfidën me Udinesen, por ndërkohë do të vlerësojë edhe alternativat për aktivizimin e Maggio-s ose kalimin e Koulibaly-t në krahun e djathtë.

Artikulli paraprakGotze: Dua të luaj sërish për Klopp
Artikulli tjetërLuis Enrique rinovon me Barcelonën?