Qelitë plot me protestues! S´ka më vende në komisariate, policia vijon procedimet dhe arrestimet e protestuesve

Dhjetra prindër të të rinjve të arrestuar në protestat e ditëve të fundit, mes të cilëve edhe xhaxhai i ‘Dëshmorit të Atdheut’, Ibrahim Basha, kërkojnë fëmijët nga njëri komisariat në tjetrin, pa marrë asnjë informacion për fatin e tyre.

Prindërit akuzojnë policinë për arrestime të paligjshme.Policia ka arrestuar 4 persona për marshim-protestën ditën e djeshme në Tiranë për vrasjen e Klodian Rashës. Po ashtu Policia ka proceduar në gjendje të lirë 46 persona të tjerë. Sipas njoftimit zyrtar, nga tensionet gjatë protestës një efektiv mbeti i plagosur.

Ajo që bie në sy është fakti se me kalimin e ditëve, policia arreston më pak persona, jo se nuk ka dëshirë për të kryer më shumë, por duket se nuk ka vende në komisariate apo në vendet e paraburgimit.

Policia informon se gjatë protestës së djeshme protesta e organizuar ishte e paligjshme dhe u shoqërua me goditje me gurë, lëndë piroteknike dhe sende të forta ndaj punonjësve të policisë si dhe gjatë marshimit me dëmtim të kazanëve të mbeturinave, sinjalistikës rrugore dhe vendstacioneve të mjeteve të transportit publik.

“Me datë 13.12.2020, në Sheshin “Skenderbej” nisi një tubim i paligjshëm, i cili vazhdoi më pas në drejtim të godinës së Kryeministrisë, në afërsi të DVP Tiranë, në drejtim të “Bllokut” dhe disa më pas të ndarë me grupe janë kthyer sërisht në Sheshin “Skëndërbej” dhe duke vazhduar më tej në rrugën e Durrësit, rrugën “Dritan Hoxha” dhe Sheshit Shqiponja, ku kanë dëmtuar gjatë rrugës së përshkruar kazanët e mbeturinave, sinjastikën rrugore, reklamat e bashkisë dhe vendstacionet e mjeteve të transportit publik.

Të arrestuarit dhe ato që janë proceduar penalisht akuzohen për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës ” , ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’”, thotë policia.

Artikulli paraprakSulm ndaj protestuesve paqësorë edhe në sheshin “Skëndërbej”, Tirana zbardhet me gaz helmues
Artikulli tjetërShikoni si rrëmbehet një i ri protestus përdhunshëm nga persona pa uniformë