Që Bolino të lehë, Rama i jep biznesin e BunkArt

Qeveria shqiptare ka lidhur një kontratë qiraje me një OJF të quajtur “Qendra URA” dhe i ka kaluar kësaj të fundit në administrim veprën e famshme të BunkArt, ish-bunkerin për mbrojtje atomike që në vitin 2014 u shndërrua në një muze turistik.
Siç sugjerojnë të dhënat e vetë OJF-së “Qendra URA”, kjo OJF drejtohet nga zonjat Admirina Peçi- kërkuese historike dhe Irma Gordani- financiere.
Zonja Peçi është redaktore në median “Report-Shqiptarja.com” të biznesmenit italian Carlo Bolino, ndërsa znj. Gordani ka qenë përfaqësuese ligjore e televizionit të Bolinos.
“HashtagAL” kontaktoi Ministrinë e Kulturës për të marrë më tepër të dhëna lidhur me kontratën në fjalë, por nga kjo ministri na u tha se nuk kishte asnjë lidhje me kontratën.
Më pas kontaktuam Ministrinë e Mbrojtjes, këta të fundit kërkuan kohë për t’u interesuar në lidhje me detajet e kontratës pa specifikuar nëse kontrata ishte lidhur ose jo me këtë ministri.
Më pas “HashtagAL” kontaktoi me OJF-në “Qendra URA”, duke kërkuar specifikime mbi këtë kontratë për administrimin si biznes të BunkArt, OJF-ja premtoi një përgjigje pa lënë afate.
Historia e BunkArt nis në vitin 2014, kur një projekt i përbashkët 3-mujor i Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Mbrojtjes akordoi 100 mijë dollarë për shndërrimin në muze turistik të ish-bunkerit atomik.
Kompania që realizoi asokohe punimet ishte “Spazio Eventi Albania”, kjo kompani ishte e lidhur me biznesmenin italian Bolino.
Nga janari 2015 deri në marsin e vitit 2016, BunkArt-i u administrua nga Ministria e Mbrojtjes. Por në muajin mars 2016, administrimi i ka kaluar OJF-së së kontrolluar nga Bolino, “Qendra URA”.
Madje të dhënat sugjerojnë se Bolino në muajt janar-shkurt 2016 ka acaruar marrëdhëniet me qeverinë Rama.
Gazeta e tij “Shqiptarja.com” nisi një seri artikujsh ofensivë sidomos për ndërtimin tek liqeni të një pallati që dyshohet si i biznesmenit Samir Mane. Bolino nisi të thumbonte edhe kryebashkiakun Veliaj për çështjen e taksave të bizneseve.
Në muajin mars, sulmet e Bolinos janë ndalur si me komandë, madje vetë Bolino në këtë kohë bëri një editorial ku e quante protestën tek Parku i Liqenit si një protestë hipokrite.
Duket se z. Bolino ka të tjera ide se si duhet të jetë shoqëria civile, për shembull OJF-ja e kontrolluar prej njerëzve të tij, “Qendra URA”, ka marrë së fundmi biznesin turistik të BunkArt, por rezulton se kjo OJF ka fituar dhe dy projekte të tjera në AMSHC me fondet e qeverisë.
Kalimi i BunkArt në administrim privat ka qenë një operacion i kryer në mungesë të plotë transparence dhe i pashpallur nga autoritetet publike, siç ligji e kërkon. Nuk ofrohet asnjë e dhënë nëse ka pasur garë për këtë kontratë.
Në muajin mars, në faqen zyrtare të BunkArt në Facebook, pas një viti mungese aktiviteti, nisën postimet e para.
Bëhej thirrje për të rekrutuar vajza të reja që do të shërbenin për administrimin e BunkArt, si dhe u paraqitën çmimet e vizitave për turistët, ku biletat variojnë nga 150 lekë deri në 500 lekë.
Duket se BunkArt, nga një simbol i shndërrimit të bunkerit atomik në qendër turistike, po kthehet në simbol të shndërrimit të një projekti kombëtar në marifet për të kapur median dhe për të favorizuar botuesit mediatikë si z. Bolino.

Rama i dha Bolinos realizimin e projektit në 2014

BunkArt është bunkeri i fshehtë i diktatorit Enver Hoxha i bërë publik nga Rama vitin që ky projekt u rehabilitua. Pas këtij projekti, fshihet një aferë qindra milionë lekë mes Ramës dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë mediatikë, Karlo Bolino, i cili njihet si një nga njerëzit që prej vitesh i ka shërbyer dhe i shërben Ramës me mediat e tij. Tashmë, Rama po e shpërblen duke i dhënë kompanisë së Bolinos tendera në organizimin e aktiviteteve të ndryshme siç është edhe rasti i BunkArt. Punimet mbi këtë projekt nisën vitin e kaluar në fshehtësi të plotë, pasi qeveria nuk shpalli dhe nuk bëri publik asnjë tender. Bolino ka përfituar dhe ka futur në xhepin e tij një shumë të majme për këtë projekt, duke u marrë tërësisht me çdo detaj të brendshëm dhe të jashtëm të rehabilimit të bunkerit, vendosjen e instalacioneve atje dhe shndërrimin e tij në një muze arti, përfshirë këtu edhe organizimin e aktivitetit në ceremoninë zyrtare të hapjes së bunkerit nga Rama. Nga ana tjetër, Bolino është duke u marrë dhe me fushatën publicitare të këtij projekti, duke favorizuar mediat e majta për të përfituar reklama e spote të ndryshme publicitare. Me ardhjen e Ramës në pushtet, Bolino përveç mediave të tij nisi të aktivizohej fuqishëm duke përfituar fonde marramendëse nga ministri të ndryshme në organizimin e aktiviteteve apo fushatave të ndryshme të qeverisë. Më e fundit është ajo e muajit tetor të 2014, ku kompania e Bolinos fitoi fondin prej 300 mijë dollarësh për fushatën e qeverisë në luftën kundër kancerit të gjirit.

Artikulli paraprakA e kanë statusin e refugjatit muxhahedinët iranianë dhe a janë regjistruar lëvizjet e tyre?
Artikulli tjetërPolicia e arrestoi me dhunë si protestues, Metko: Ja provat që nuk isha në protestë