Pyetja “trepikëshe” e ambasadorit Lu çmend Ramën

Kryeministri Edi Rama ka skandalizuar dje diplomatët, politologët dhe gazetarët të thërritur nga Këshilli i Atlantikut për të mësuar rreth qasjes që ka Shqipëria për integrimin në Bashkimin Europian dhe se si po e pëdror mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përshpejtuar këtë proces jetik për shqiptarët. Përplasja e tij e ashpër, pa takt dhe fyese për këtë mjedis me ambasadorin Donald Lu dhe më pas me drejtuesin e këtij takimi, Frederick Kempe, njëherësh President dhe drejtor ekzekutiv i Atlantic Council shkaktoi të qeshura, por edhe i dha kuptim ndërhyrjes diplomatike të ambasadorit amerikan me pyetjen e tij.
Në një sërë përgjigjesh, Rama shokoi të pranishmit kur përmendi kandidatin republikan për President të SHBA, Donald Trump, si rrezik kryesor për paqen në rajon. Trampizmi, tha Rama, rrezikon të hedhë në erë stabilitetin e rajonit. Rama nuk pranoi në asnjë moment se korrupsioni, krimi i organizuar dhe keqqeverisja janë shkaku që mbajnë Shqipërinë dhe disa vende të rajonit larg anëtarësimit në Bashkimin Europian. Rama fajësoi BE-në, që është mbërthyer nga kriza ekonomike, e sigurisë dhe migracionit. Këto probleme të BE, tha Rama, ushqejnë destabilizimin e vendeve të Ballkanit.
Ambasadori amerikan Lu, duket i ndjerë keq për këto gafa dhe budallallëqe që artikulonte Kryeministri i një vendi ku ai shërben, që për më tepër do të takohet edhe me Presidentin amerikan, tentoi të justifikonte devijimet dhe çmenduritë e Ramës me faktin se ai nuk ka edukimin dhe kapacitetin e duhur për të trajtuar tema sensitive apo çështje politike të denja për nivelin e audiencës. Me ndërhyrjen e tij diplomatike, ambasadori Donald Lu, i kërkoi audiencës që të kenë mëshirë për paaftësinë e Kryeministrit të Shqipërisë për të trajtuar tema të tilla, pasi Rama është një ish-basketbollist që gjithë ditën e kalon duke luajtur me top në selinë e Kryeministrisë, ku ka ndërtuar një fushë basketbolli, si edhe në zyrën e tij ku ka vënë një kosh.
Ky është varianti i publikuar nga zyra e shtypit e Kryeministrit mbi komunikimin mes Ramës dhe ambasadorit Donald Lu: “Amerikanët dashurojnë basketbollin zoti Kryeministër. A ka diçka për të cilin basketbolli ju ndihmon që të jeni një Kryeministër më i mirë? Për të gjithë ata që nuk e dinë, Kryeministri Rama jo vetëm që ka ndërtuar një fushë basketbolli në ambientet e Kryeministrisë, por ai ka vendosur një kosh basketbolli edhe në zyrën e tij, ndaj edhe mund të gjesh në të ndonjë send të thyer.
Kësaj pyetje të diplomatit amerikan, Kryeministri shqiptar i ktheu përgjigjen: “Kjo nuk është një çështje për të cilën do të flas nesër me Presidentin Obama; për fusha basketbolli në institucione apo për mënyrën se si basketbolli të ndihmon të jesh më i mirë se të tjerë”.
Harbutëria e Ramës ndaj ambasadorit amerikan nuk është diçka e padëgjuar më parë, por e qeshura e të pranishmëve duket se e nxori Ramën totalisht jashtë kontrollit, kur dhunshëm i kërkonte drejtuesit të takimit, Presidentit Kempe, që të mos priste përgjigje tjetër për pyetjen “trepikëshe” të ambasadorit Lu. Disa tentativave të përsëritura të Presidentit Kempe për të marrë fjalën Rama i kundërshtonte me forcë, derisa arriti t’i thotë atij se “nuk je xhentelmen që nuk i jep fjalën një zonje”. Rama kërkonte ta kalonte krizën e tij nga injorimi që i bëri ambasadori amerikan, duke ndryshuar temë.
Kryeministri Rama në këtë takim nuk kishte nevojë të bënte as lolon. Ai është qartazi një lolo që turpëron Shqipërinë, si edhe ata që e kishin sponsorizuar një takim të tillë për të në Këshillin e Atlantikut, një prej institucioneve studimore më me ndikim në politikën e jashtme amerikane. Ju mund ta ndiqni në çdo kohë bisedën e zhvilluar nga Rama në Këshillin e Atlantikut në këtë adresë elektronike:
http://www.atlanticcouncil.org/events/webcasts.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërSyzet “Maybach” 60 mijë euro të djalit të Kryeministrit