Putin mirëpret Netanyahun në Moskë

Presidenti rus, Vladimir Putin u takua në Moskë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu për të biseduar për çështje të ndryshme, duke përfshirë konfliktin sirian dhe prezencën e Iranit në këtë shtet.
Putin dhe Netanyahu pritet të diskutojnë për mënyrat se si të rrisin bashkëpunimin mes dy vendeve në tregti, ekonomi, kulturë dhe sferën humanitare, si dhe “shtyerjen e çështjeve ndërkombëtare dhe rajonale”, duke përfshirë procesin e paqes në mes të izraelitëve dhe palestinezëve dhe situatën në Siri, ka njoftuar Kremlini.
Kryeministri izraelit ka thënë, se ai planifikon të diskutojë “zhvillime të ndryshme rajonale, rritjen e koordinimit në mes të forcave ushtarake të Rusisë dhe (Izraelit) në Siri dhe një seri të çështjeve të tjera, të cilat janë shumë, shumë të rëndësishme për sigurinë e Izraelit”.
Netanyahu do të shoqërohet në këto bisedimeve nga ministri izraelit me prejardhje ukrainase, i cili është përgjegjës për Mbrojtje të Ambientit, Zeev Elkin, ka njoftuar gazeta izraelite, “Haaretz”.
Moska ka marrëdhënie të mira me Izraelin dhe rivalët e tij në rajon, Sirinë dhe Iranin.
Rusia së bashku me Iranin, i kanë dhënë mbështetje vendimtare qeverisë së presidentit sirian, Bashar- al-Assad në luftën civile afro shtatë vjeçare.
Gjatë muajit gusht në Soçi të Rusisë, Netanyahu i ka thënë Putinit, se Izraeli është i përgatitur për të parandaluar rritjen e prezencës ushtarake të Iranit në Siri.
Izraeli po ashtu e kundërshton marrëveshjen bërthamore që Irani ka me fuqitë botërore, me anë të së cilës parashihet frenimi i programit bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë më herët gjatë këtij muaji se ai dëshiron të punojë me aleatët evropianë dhe me Kongresin për të rregulluar ato që i ka quajtuar “të meta të tmerrshme” të marrëveshjes dhe ka paralajmëruar, se Uashingtoni do të largohet nga ky pakt, nëse e njëjta nuk ndryshohet brenda katër muajve.
Vizita e Netanyahut në Moskë, vjen pasi palestinezët kanë thënë se do të refuzojnë ndonjë plan për paqe të prezantuar nga administrata e SHBA-së, pas njoftimit të Trumpit për ta njohur Jerusalemin kryeqytet të Izraelit.
Putin do ta mirëpresë presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, në muajin e ardhshëm.
Gjatë vizitës së Netanyahut, pritet që në Soçi të mblidhen pjesëmarrësit e “kongresit për dialog kombëtar” sirian.
Iniciativa ruse, e mbështetur nga Turqia dhe Irani është shikuar me dyshim nga shumë vende Perëndimore, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara.

Artikulli paraprakÇeki, rizgjidhet kandidati ish-komunist Milos Zeman
Artikulli tjetërGjermania apo Franca, kush do ta drejtojë Evropën?