Pushtete që protestojnë kundër njëri-tjetrit!

Artan FUGA

Çfarë???
Presion populist nga rruga një trupe gjykuese, nëpërmjet një mase të udhëhequr nga kreu i pushtetit lokal në Tiranë? Ky është vërtet fundi i edukatës të shtetit ligjor në këtë vend. Po merr avokat ore i uruar! Po hidhe në instancë tjetër kundërshtimin e vendimit! Po ankohu te ministri i Drejtësisë! Te Presidenti i Republikës! Por pushteti nuk mund të organizojë protesta!
Edhe pushtetar edhe protestues! Një shkëmbim vendesh që dëshmon për krizë të identitetit institucional. Kush jam? Pushtetari apo protestuesi? Po sikur të jem të dyja njëkohësisht!!! Duhet vendosur te ligji për pushtetin lokal: Organizon protesta popullore në rrugë dhe mitingje kundër vendimeve të gjykatave, cakton gjykatësit me vullnet popullor, përcakton radhën e seancave të gjykimeve!
Vendimet e gabuara në qofshin të një gjykate kundërshtohen vetëm në rrugë ligjore, në instancat përkatëse. Çdo reagim tjetër është jo vetëm i dëmshëm, por edhe pa asnjë kuptim. Minatori, pensionisti, punëtori??? Po për vendimet e gabuara të gjykatave kundër tyre kush ka protestuar!!! Ky shtet po zhytet në kaos!!! Kjo është Reforma në Drejtësi? Të zëvendësojmë gjykatat me lëvizje populiste në rrugë? Mos erdhi përsëri koha e kontrollit punëtor? Mos erdhi koha që turmat në rrugë të bëjnë vetëgjyqësi? Ky pallat lejohet, ky pallat nuk lejohet!
Vija e masave e zbatuar nga pushtetarët… Turmat në rrugë kundër gjykatave, drejtuar nga një pushtet lokal që kur masa qytetare protestojnë kundër tij, ta zemë për betonizimin e parkut, fut policët t’i rrahin e përzënë me përdhunë. Këto janë tensione pushtetesh që rivalizojnë me njëri-tjetrin duke përdorur qytetarët si mish për top. E para protestë në botë që organizohet nga një bashki.
Nesër prit kur ta zemë Bashkia e Durrësit të ngrejë popullin në revoltë kundër Drejtorisë të Portit, prit kur ministrat të organizojnë revolta qytetare kundër drejtorit të Bankës Kombëtare, prit kur Drejtoria e Monumenteve të Kulturës të organizojë protesta qytetare kundër Këshillit të Rregullimit Të territorit. O Zot në çfarë vendi jetojmë!!! E frikshme kur pushtetet përplasen në rrugë me njëri-tjetrin!!! Mekanizmi rregullator i institucioneve nuk ekziston.

Artikulli paraprakSazan Guri: Projekti për të cilin proteston Veliaj, është firmosur nga Rama
Artikulli tjetërErjon Veliaj i heq gjethet Reformës në Drejtësi