Punonjësit e ARMO-s u rikthehen protestave, 3 muaj pa marrë pagat

Me shumë se 130 punonjës të rafinerisë së ARMO-s në Fier dhe të tjerë punonjës të kompanisë në Përrenjas dhe në Vlorë protestuan dje duke bllokuar punën për shkak se nuk kanë marrë pagat për tre muaj rresht. Burime nga protestuesit pohojnë se bashkë me rrogat që nuk po jepen janë edhe dy vite sigurime të papaguara, ndërkohë që rafineria po punon. Sipas të dhënave zyrtare, importet e naftës gjatë shkurtit ishin vetëm 23.9 mijë tonë, me një rënie 32% krahasuar me shkurtin 2015. Burimet nga tregu pohojnë se rënia e importeve në këto nivele i dedikohet furnizimit të tregut me naftë vendi. Rivënia në punë e rafinerisë ARMO në vjeshtën e vitit të kaluar po furnizon rreth 35% të nevojave të tregut të brendshëm për këtë produkt, teksa po vijon eksporti edhe në Kosovë dhe në Maqedoni. Por pavarësisht këtij fakti, ata që kanë administruar ARMO-n pas privatizimit nuk kanë mundur të tregohen korrekt me shlyerjen e pagave të punonjësve. Në shtator të vitit të kaluar, Jonian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO. Kompania rezulton e regjistruar off shore në ishujt britanikë Virgin. Në të njëjtën periudhë, prodhuesi më i madh i naftës në vend Bankers Petroleum njoftoi se nënshkroi një marrëveshje me Jonian Refining dhe Trading për t’i shitur asaj deri në 65% të prodhimit të naftës bruto tek IRTC. Një tjetër shqetësim është cilësia e naftës për të cilën nuk ka informacion nga autoritetet nëse është e një niveli të pranueshëm për t’u përdorur nga automjetet. Në fund të tremujorit të parë të 2016-s, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Të njëjtat burime bëjnë me dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrol-it, tatim taksave, të tretëve dhe punonjësve, ku vetëm shtetit i ka të paktën 100 milionë euro.

Artikulli paraprakHetim fondeve të George Soros në Shqipëri nga Departamenti i Shtetit
Artikulli tjetërEuro mund të zbresë edhe në 132 lekë