PSG i Unai Emery tremb rivalët

Paris Saint Germain-i i ri i Unai Emery është i frikshëm dhe fillon të trembë që tani jo vetëm skuadrat e tjera në Francë, por edhe klubet më të mëdha të Europës. Nga skuadra është larguar një yll si Zlatan Ibrahimoviç, por janë afruar disa elementë cilësorë përfshirë këtu mbrojtësin Meunier, mesfushorin Krychoviak dhe sulmuesit Ben Arfa dhe Jese. Ai i Unai Emery është një tjetër Paris Saint Germain dhe ndryshon shumë në stilin e lojës nga skuadra që një vit më parë drejtohej nga Luarent Blanc. Të premten ekipi parisien do të nisë rrugën drejt mbrojtjes së titullit në League One, pasi do të sfidojë në sfidën e vlefshme për javën e parë të kampionatit francez skuadrën e Bastias.
Titulli i 5 kampion radhazi pritet të rezultojë thjesht një formalitet për të besuarit e Unai Emery, pasi ky Paris me trajnerin spanjoll në krye ka si objektiv kryesor të fitojë në Europë pasi në Francë as që i vendos në diskutim sukseset e radhës. Ndryshimi i skemës nga 4-3-3 me të cilën luante trajneri i mëparshëm Blanc në 4-2-3-1 ka dhënë menjëherë efekte, sepse skuadra pavarësisht mungesave të shumta ka shfaqur një formë të shkëlqyer në të gjitha takimet miqësore, si dhe në finalen e Superkupës së Francës ndaj Lyonit. Vetëm fitore regjistron Paris Saint Germain me Unai Emery në krye. Gjithçka nisi me atë sukses 2-1 ndaj West Bromwich, ndërsa më pas parisienët likuiduan me shifrat 3-1 Interin dhe Realin e Madridit në turneun veror, International Champions Cup. Për të vazhduar me fitoret e thella 4-0 ndaj Leicester-it dhe 4-1 ndaj Lyonit në Superkupë, ky Paris tremb vërtet, rivalët janë të paralajmëruar.
Presidenti i Paris Saint Germain, Nasser al-Khelaifi mbyll merkaton e francezëve. Numri një i kampionëve të Francës i mbyll kështu derën Juventusit, të cilët interesohen për Blaise Matuidi. Al-Khelaifi deklaroi se 29-vjeçari ka akoma një kontratë 2-vjeçare dhe se është shumë i rëndësishëm për projektin e skuadrës së dejtuar nga Unai Emery. Ai theksoi se Matuidi është një lojtar profesionist dhe shumë i dashur për tifozët. Gjithashtu Al-Khelaifi pohoi se asnjëherë nuk është diskutuar për largimin e tij nga Paris Saint Germain.

Artikulli paraprakReali mbyll merkaton
Artikulli tjetër“Rio 2016”, Briken Calja renditet i 6-ti