Pse Rama nuk ja “dorëzon” Tahirin drejtësisë!

Belind KELLIÇI

Sot përkrahësi i zjarrtë i drejtësisë së pavarur Edi Rama, ka rastin e parë dhe të fundit të tregojë se sa e do drejtësinë duke miratuar kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Tahirit.
Fjalia e famshme e Edi Ramës “s’keni parë asgjë akoma” që u përdor si kërcënim nga Tahiri menjëherë, pasi Edi Rama e quajti “dru të shtrembër”, ndryshoi gjithçka në qëndrimin e socialistëve dhe solli një mobilizim për ta mbrojtur atë duke kërcënuar, prokurorët, mediat, opozitën e këdo tjetër që kërkonte drejtësi.
Ajo fjali ndryshoi gjithçka në qendrimet dhe veprimet e Edi Ramës, i cili refuzon t’ia dorëzojë Tahirin drejtësisë, refuzon të lerë drejtësinë të zbardhë të vërtetën deri në fund. Dhe gjithçka është e qartë. Edi Rama është udhëheqësi dhe përfituesi më i madh i trafikut të armëve dhe drogës prandaj nuk e “dorëzon” dot Tahirin, se ai merr automatikisht me vete dhe Ramën.
Edi Rama nuk e dorëzon Tahirin, sepse ai më mirë se kushdo i di lidhjet dhe përfitimet e Ramës dhe familjarëve të tij në trafiqet e drogës, në shumat e parave që mbushin xhepat e tyre dhe përdoren për të blerë vota.
Edi Rama kërcënon drejtësinë, sepse e di që Tahiri është veç i pari në listën e gjatë të ministrave dhe funksionarëve të lartë të shtetit të Ramës, të përfshirë në trafik droge e aktivitete të tjera kriminale.
Sot është dita për ta kuptuar pse nuk e donte Edi Rama drejtësinë e pavarur!
Edi Ramës i dhemb drejtësia e pavarur, sepse si askush tjetër në historinë e botës demokratike, ai është i zhytur në krim dhe korrupsion. Si askush tjetër, Edi Rama bën jetën e një sheiku me paratë që u merr të sëmurëve me shëndetësinë e tij “falas”, me taksat e rritura dhe që po i rrit sërisht, me çmimin e rritur të energjisë dhe karburantit, me koncesionet dhe me të ardhurat prej miliona eurosh nga kanabisi, kokaina, heroina dhe armët që trafikohen me bekimin e tij.
Një drejtësi e pavarur do ta kishte vënë me kohë pas hekurave Edi Ramën. Prandaj nuk i duhej një drejtësi e pavarur Edi Ramës. Prandaj bëri gjithçka që ta verë atë nën kontrollin qeveritar. Mund të ketë shumë arsye për të kritikuar PD sot, por ama s’ka shqiptar që nuk i është mirënjohës për qendresën e saj kundër kapjes së drejtësisë, për pastrimin e politikës nga krimi, për betejën kundër drogës dhe korrupsionit.
Edi Rama doli lakuriq me përbetimet e tij për ta lënë drejtësinë të flasë, sepse ai duhet të ishte edhe para Tahirit prapa hekurave. Edi Rama do bëjë gjithçka për të mos lejuar zbardhjen e të vërtetës për përfshirjen e Tahirit në trafik, sepse ky do të jetë fundi i tij dhe qeverisë së tij. Prandaj ka nisur misionarët e tij në Itali e kudo për të mbrojtur Tahirin, por a do t’ia dalë dot?!
Pafajësia mbrohet në gjykatë, jo me letra “bakalli”
Dalja e Tahirit dje para medias të kujtonte daljen e Elvis Roshit. Si për Tahirin dhe për Roshin në letrat e servirura medias, dilte se ishin të pastër. Të gjithë e dinë se si vetëm pak muaj më pas letrat treguan të kundërtën. Jo vetëm Roshi kishte disa emra, por ishte dhe i dënuar për përdhunim në grup. Dje të njëjtën gjë bëri Tahiri. Në asnjë rresht letra e Tahirit nuk thoshte që ai nuk i kishte ndihmuar kushërinjtë Habilaj në trafik droge, për të cilën dhe akuzohet, nuk thoshte se makina e tij AA003GB nuk është përdorur për trafik droge ndërsa ishte e regjistruar në emrin e tij, nuk thoshte që Tahiri nuk ka përfituar deri në 5 mln euro në muaj nga trafiku i drogës, nuk thoshte që Tahiri nuk ka marrë dhurata të çmuara nga kushërinjte Habilaj. Letra e djeshme pas së cilës Tahiri u mundua të shfajësohej, nuk ishte as më shumë e as më pak se letra me të cilën Elvis Roshin mundohej të na mbushte mendjen se ishte i pafajshëm.
E dorëzoi apo jo Tahirin para drejtësisë, sot s’ka shqiptar apo partner ndërkombëtar që nuk e ka të qartë se si i fitoi zgjedhjet Edi Rama, se si vetëm njërit prej drejtuesve të qarqeve të fushatës elektorale të PS, i duheshin 20 milionë euro për fushatë, e po t’i shumëzojmë këto me 12 qarqe janë plot 240 milionë euro të hedhura në fushatën elektorale për të blerë vota, para që vijnë nga krimi dhe korrupsioni.
Kjo është një ditë e zezë për organizatën mafioze që drejton Edi Rama.
Tahiri është vetëm maja e ajsbergut që ka nisur të zbulohet, e krimit ku është zhytur qeveria e Edi Ramës dhe që nuk fshihet dot pas mandateve parlamentare.
E vërteta shpejt do dalë në pah.
O sot o kurrë, Shqipëria duhet çliruar nga krimi dhe droga.

Artikulli paraprak“Patjetër që e kam një vijë të kuqe”
Artikulli tjetërFerma e kafshëve të Shqipërisë