Pse Rama e do me çdo kusht shembjen e Teatrit Kombëtar?

Red VARAKU

Pas 30 Qershorit, Edi Rama e ka humbur qetësinë. Ai ka mobilizuar një ushtri të tërë mbushur me militantë të papërgjegjshëm me uniformë dhe pa uniformë , të cilët po prodhojnë një dhunë të pashembullt në gjithë vendin ndaj të gjithë kundërshtarëve të tij, refuzuan farzën e 30 Qershorit.

Gjashtë vjet pas fitores së tij, Shqipëria është e mbushur me njerëz me fytyra të gjakosura, të rrahur nga pushteti, të poshtëruar dhe frikësuar për vendin të punës dhe bukën e gojës, njerëz të varfër pa përkrahje që plasen burgjeve ose njerëz të cilëve iu shembën bizneset dhe shtëpitë ,njerëz të kapur nga ankthi pa fund se ky njeri nuk do të ikë kurrë, por do të vazhdojë të qëndrojë si kufomë , era e të cilit kutërbon.

Pra, kryetipari i pushtetit të tij tashmë është vetëm dhuna dhe shantazhi.

Dhe në fakt ia ka dalë që nëpërmjet dhunës të gjunjëzonjë të gjithë Shqipërinë. Madje edhe ata të cilët dikur talleshin dhe qeshnin me të, sot i janë nënshtruar dhe i thurin lavde dhe lëvdata.

Vetëm ndaj një grupi të vogël qytetarësh nuk po ia del dot. Një modeli qytetarësh që pasuri dhe forcë ka vetëm integritetin. Një modeli qytetarësh që nuk shëtit me makina luksoze, që jeton me njerëzit dhe nuk jeton në rezervate të pasurish , izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Ç’nuk ka bërë për t’i blerë! Kë nuk ka futur për t’i trembur dhe bërë presion! Nuk ka lënë gur dhe dru pa lëvizur për t’i detyruar këta qytetarë që të heqin dorë nga Teatri Kombëtar.

Fakti që nuk po ia del dot të nënshtrojë një grup të cilin me nënvlerësim dhe përçmim e quajti “minorancë” , e ka bërë edhe më të vendosur për ta çuar deri në fund çmendurinë e shembjes së teatrit.

Dhe këtë nuk e bën nga nevoja e madhe për një teatër, sepse dihet që njē teatër i ri nuk hyn në nevojat imediate të qytetit, por e bën sepse protesta e qytetarëve që po mbrojnë teatrin në një përpjekje unike mbase në të gjithë botën për gati një vit e gjysëm, po kthehej në një kërcënim serioz të imazhit të tij.

Tashmë, këtë nuk po e bën sepse aty do të grabisë rreth 200 milionë dollarë nga trualli publik sepse ka plot vende ku mund ta shuajë etjen për pasuri . Ai kërkon ta shembë atë jo sepse ai e urren arkitekturen apo sepse kërkon të mbetet në histori siç rëndom mendojnë disa të tjerë. Ka bërë plot gjëma që e kanë futur në histori këtë njeri.

Ai kërkon ta shembë atë, sepse ai e ka makth pastërtinë e qëllimit të njerëzve që e mbrojnë atë. Ai do ta shembë atë sepse ajo është kthyer në simbol të rezistencës qytetare. Është kthyer në kalanë e fundit të demokracisë.

Sepse, ai as që e kishte menduar fuqinë e madhe që mund të prodhojë qëllimi i pastër i disa njerëzve me integritet, të cilët prej gati një viti e gjysëm janë angazhuar pa ndalim në protestën dhe rezistencën më të gjatë të historisë shqiptare.

Teatri Kombëtar duket se po kthehet në një monument të shenjtë të rezistencës për qytetarët shqiptarë. Marrëzia për të shpëtuar degradimin e regjimit me shëmbjen e Teatrit Kombëtar nuk e shpëton dot hajdutin psiqik. Edhe pse angazhoi shumëfytyrëshin e bashkisë të merrej personalisht me këtë çështje, sërish nuk po bëhej gjë.

Në fakt, projekti mori jetë verën e shkuar dhe ishte planifikuar që këtë tetor të miratohej. Nuk ndodhi pasi nga vjet në shtator e deri tani, skandalet e kësaj qeverie nuk kanë reshtur gati çdo javë.

Sidoqoftë objektivi është i qartë. ‘Armiku’ duhet mposhtur, tashmë duke e shembur atë pikërisht tani, në pikun e vapës dhe pushimeve ku vigjilenca qytetare është shumë e ulët dhe kur shumica e qytetarëve janë me pushime dhe larg Tiranës.

Pra, objektivi kryesor i Ramës mbase fillimisht ka qenë të vjedhë truallin publik. Mbase ka qenë të ndërtonte nje teatër te ri duke i grabitur fondet me PPP, ashtu sic di vetëm ai, por sot ai luftën me teatrin e ka jetike, sepse teatri është kthyer në simbolin qytetar të rezistencës më emblematike kundër regjimit të tij.

Kjo situatë që është prodhuar pikërisht nga mungesa e një objektivi të qartë për teatrin, dhe nga një qartësi e madhe për ‘armikun’, që fsheh brenda saj teatri, na ka bërë që sot të debatojmë për gjëra që nuk kanë lidhje me objektivin e Ramës .

Ata që mbrojnë mos prishjen e teatrit si simbol të arkitektures dhe historisë që ai përfaqëson, nuk e dinë se sot Rama nuk ka asgjë me teatrin si ndërtesë.

Ndërsa pala tjetër që mbron argumentin e ndërtimit të një teatri të ri, duke shembur të vjetrin, nuk e kuptojnë që Rama as që e ha meraku fare për shqetësimin e tyre për një teatër të ri.

Edi Rama e ka shumë më të thjeshtë objektivin.

E do të shembur teatrin me qëllimin e vetëm që t’i japë fund të vetmit model rezistence dhe qytetarie, që ka forcën morale për të rrëzuar çdo sistem.

Artikulli paraprakGrykësia dhe babëzia lenë pa ujë Orenjën dhe Floqin! Ku fshihet lavatriçja e “Toyota Yaris”?
Artikulli tjetërTeatri “Po”, por nuk e kemi harruar BILD-in…