Pse ra projekti i zgjedhjeve të lira

Lulzim Basha në takime me demokratët e Qarkut të Dibrës dhe njësive 8 e 9 në Tiranë: Mazhoranca e dalë nga këto zgjedhje është një mazhorancë fiktive sepse nuk reflekton vullnetin e qytetarëve, por shtrembërimin e këtij vullneti përmes shitblerjes së votës që tashmë është provuar si varrmihësja e demokracisë tonë të brishtë.
Lulzim Basha vazhdoi turin e takimeve me demokratët e Qarkut të Dibrës dhe njësive 8 dhe 9 në Tiranë.
Basha u shpreh se rezultati i 25 qershorit nuk shpreh vullnetin e vërtetë të shqiptarëve, por deformimin përmes blerjes masive të votës dhe diktimit të saj me presione shtetërore dhe kriminale.
Basha deklaroi se kush di t’i njohë e t’i pranojë gabimet ka edhe vullnetin t’i korrigjojë ato. Dhe unë, tha ai, e kam këtë vullnet, ta bëj bashkë me ju, bashkë me gjithë demokratët e ndershëm që janë gati të luftojnë për ndryshim.
“Projekti im për Shqipërinë është një qeveri për qytetarët, që të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet në shtëpinë e tyre, pa shkuar azilantë, të kenë mundësi të gjejnë punë, të kenë mundësi të jetojnë pa frikë nga pushtetarët dhe nga të fortët, të kenë mundësi të zgjedhin të lirë, të votojnë të lirë qeverinë që duan.
Qeveria që e trajton si plaçkë Shqipërinë, bëri gjithçka që kishte në dorë për të penguar këtë projekt përmes shitblerjes së votës me paratë e drogës dhe të krimit, përmes angazhimit të bandave. Mazhoranca e dalë nga këto zgjedhje është një mazhorancë fiktive sepse nuk reflekton vullnetin e qytetarëve, por reflekton shtrembërimin e këtij vullneti përmes shitblerjes së votës që tashmë është provuar katërcipërisht si varrmihësja e demokracisë tonë të brishtë”, tha Basha në Burrel.
Në Dibër, Basha u shpreh se bashkimi i gjithë demokratëve, është rruga e vetme, e detyrueshme, për t’u ringritur përsëri e për t’u kthyer në pushtet. Ne kemi gjithë mundësinë të bashkohemi, tha Basha, e të vazhdojmë betejën aty ku e kemi lënë.
Me demokratët e njësisë 8 dhe 9 në Tiranë, Basha u shpreh për nevojën e korrigjimit të gabimeve, për vullnetin që duhet treguar për të luftuar për ndryshim e jo për privilegje.
“Kush di t’i njohë e t’i pranojë gabimet ka edhe vullnetin t’i korrigjojë ato. Dhe unë e kam këtë vullnet, ta bëj bashkë me ju, bashkë me gjithë demokratët e ndershëm që janë gati të luftojnë për ndryshim, jo për kolltuqe. Dhe ajo që vij të kërkoj sot, është të vazhdojmë betejën. Nuk vij t’iu ofroj as privilegje, as pekule, as favore. Vij t’u kërkoj të vazhdojmë betejën. Por nga ana tjetër, nuk vij t’u kërkoj asnjë favor, asnjë privilegj, asnjë kolltuk. Vij t’u kërkoj të vazhdoj sakrificën, timen personale që e bëj me dëshirën më të madhe, nga thellësia e shpirtit, për të vazhduar për t’ju drejtuar në këtë betejë pa kthim, me ju dhe për ju, për të gjithë demokratët dhe për të gjithë shqiptarët deri në fitoren e zgjedhjeve të lira e të ndershme, e përmes tyre, fitoren e Partisë Demokratike si imperativ historik dhe si nevojshmëri për çdo shqiptar e shqiptare të ndershme”, tha Lulzim Basha.

Selami: Rikthej demokracinë në PD, jo qeveri me PS, listat jo konkuruese

Eduard Selami në fushatën për kryetar të PD në takime me demokratët në Peshkopi, Mat, Bulqizë.
Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami vazhdoi takimet e tij me demokratët e Qarkut të Dibrës. Selami tha se Partia Demokratike është sot më pak demokratike, ndërsa lidershipi i saj duhet të ndryshojë mentalitet.
“Kemi tri humbje të thella rresht, por nëse nuk bëjmë analizë serioze fatkeqësisht do të vazhdojë… sepse është humbje besimi dhe shprese që ne jemi forcë progresive në Shqipëri. Dhe për mua si demokrat, por dhe për ju bëhet më e rëndë, sepse po na mund e majta trashëgimtare e Partisë së Punës”, tha Selami.
“Në partinë tonë mungon demokracia. Nëse ne nuk e kthejmë këtë ta shikojmë ku kemi problemin dhe ta kapërcejmë, nuk kemi gjë në vijë. Është thelluar! Shikoni listën! Ka mjaft njerëz të nderuar që do të kishin fituar edhe vetë në qoftë se do të kishim një konkurrim të barabartë. Por është listë jashtë konkurrimit, jo legjitime. Është kompetencë e Këshillit Kombëtar, jo e kryetarit. Pikë… Duhet ta fillonte nga ju, ti bënit ju rekomandimet”, tha Selami.
“Duhet t’i jepet fund idesë që mund të qeverisim me Partinë Socialiste. Ju po shkoni të bëni koalicion me Partinë Socialiste, ai na mori dhe dyshin me pikturat na vuri dhe një trëndafil. Jo nuk duhet të jemi bashkë. Pjesa dërrmuese e elektoralit nuk do që të qeverisë me PS. Unë praktikisht jam kundër kësaj marrëveshje. Unë si model i ri lidershipi nuk dal të them jam kundër, sepse jeni ju këtu, strukturat që bëni diskutime dhe sugjerime. Do të mblidhet Këshilli Kombëtar që do të vendosë, Grupi parlamentar, por dhe Kuvendi Kombëtar. Nuk ka gjë më të rëndësishme sa të ndërrosh strategjinë të lëvizësh nga fondamentet e së djathtës ku jemi krenarë, që e kemi lënë bosh e jemi rrethuar kuq. Nëse vendos struktura të bëjmë koalicion, unë jam nga ata që jam kundër. Do të dorëzoj mandatin edhe pse do të jem në PD”, tha Selami.
Kandidati Selami tha se me atë kryetar, Partia Demokratike do të ngrihet drejt vlerave perëndimore dhe tek demokracia e brendshme.
“A mund të ngrihemi? Po, duke mësuar dhe nga tradita jonë më e mirë e të qenurit partia më e suksesshme në gjithë Europën Lindore. Një pjesë e madhe këtu ka kontributin e tyre atëherë. Si? Kemi qenë më demokratikë atëherë se tani në mbledhjen e strukturave, në marrjen e vendimeve. Pse? Sepse me tërë mend nuk dinim shumë për demokracinë, por dëgjonim partnerët tanë ndërkombëtarë, ata që na kanë ngritur e ndihmuar. Me tërë mend nuk dinim shumë për demokracinë, por kishim idealin dhe donim të bënim një Shqipëri si gjithë Europa. Me tërë mend nuk dinim aq shumë, por e donim me tërë mend Shqipërinë sesa karrigen dhe sesa pozitën tonë. Fatkeqësisht dalëngadalë këto kohë morën fund”, tha Selami.

Basha dhe Selami bashkëbisedim dhe debat para demokratëve të Korçës

Kandidatët për kryetarë të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Eduard Selami u përballën në një debat dhe bashkëbisedim me demokratët e Korçës.
Kandidatët ndanë me demokratët analizën e tyre për zgjedhjet dhe paraqitën vizionin që kanë për të ardhmen, për drejtimin e Partisë Demokratike.
“Mendimi im është që kjo humbje nuk ishte e papritur. Kjo humbje kishte kohë që ne e shikonim si demokratë. Dhe nuk është humbja e parë dhe fatkeqësisht nëse nuk e shikojmë këtë humbje dhe të gjejmë shkaqet e saj, kam frikë se do ta kemi shumë të vështirë të rikthehemi. Mënyra për t’u rikthyer është për ta parë në sy dhe për t’i parë gabimet ashtu siç janë. Nëse do ta përmbledh me një fjali, arsyeja e humbjes tonë dhe e humbjes së shpresës së shqiptarëve është largimi nga demokratët. Fatkeqësisht, Partia Demokratike nuk funksionon më si parti demokratike e bashkëkohore dhe nuk ka demokraci të brendshme që ne meritojmë. Është për të ardhur keq. Me shumë prej jush njihemi që nga ‘90-ta. Ne jemi sot më pak demokratë dhe funksionojmë në mënyrë më pak demokratike seç kemi funksionuar në fillimet tona. Le të marrim një shembull. Unë kam qenë deputet dhe kam pasur nderin t’u përfaqësoj ju në vitin 1992 në Korçë. Por keni qenë ju ata që keni dhënë aprovimin si degë që unë të vija e të kandidoja në emrin tuaj. Të gjitha propozimet atëherë kalonin përmes aktivit të degës me propozime nga seksioni, me propozime nga grupseksionet derisa shkonin deri lart. Fatkeqësisht ne u larguam nga kjo traditë. Fatkeqësisht sot demokrati pyetet shumë pak ose aspak. Dhe kjo nuk është vetëm në degën ku unë jam, në degën në Tiranë, por kjo është kudo sepse unë jam përditë me demokratët dhe komunikoj me ta. Unë mendoj se po t’i rikthehemi demokratizimit të brendshëm, kur të fitojmë besimin e njëri-tjetrit, atëherë ne do të kemi të drejtë të na besojnë edhe votuesit tanë, simpatizantët tanë dhe qytetarët shqiptarë. Për mendimin tim ky është thelbi i kësaj analize. Këtu duhet të rikthehemi. Duhet të rikthehemi tek vendosja e rregullave dhe funksionimi demokratik brenda vetes tonë. Nuk mund të jemi ne shpresë për shqiptarët dhe garanci që do të veprojmë në të njëjtën mënyrë për forcimin e shtetit ligjor kur ne shkelim rregullat e lojës tonë”, tha Eduard Selami.
“Ne nuk bëmë dhe as nuk do të bëjmë pakt me krimin për të ardhur në pushtet. Ne ishim partia e vetme që erdhi me një program, me një ofertë, me një alternativë, që erdhi nga nevojat e qytetarëve, të cilat nuk i shfletuam gazetave dhe revistave dhe as nuk i shpikëm në laborator politik, por bashkë i prekëm këto 4 vite. Me dhjetëra herë unë kam qenë bashkë me ju tek biznesi i vogël i Korçës, tek fasonët, tek prodhuesit, tek agrobiznesi, tek fermerët, tek pensionistët, tek studentët. Ka qenë kjo prekja e realitetit që e bëri programin tonë realist në problemet më akute që kërkonin zgjidhje. E bënin ambicioz në zgjidhjet që ofronin brenda filozofisë politike të së djathtës dhe plotësisht të realizueshëm dhe të buxhetuar. Por ç’rëndësi ka kjo, kur nuk ka proces, kur nuk ka zgjedhje. Kur pala tjetër nuk ofron asgjë. As program, as plan, as vizion. Sepse e gjithë fushata, ishte tek shitblerja e votës. Nuk ka shqiptar që s’e kupton diferencën mes partive që shesin e blejnë votën dhe përdorin bandat dhe partisë së vetme që ka vlera, parime, ka program, ka zgjidhje. Kuotën morale ta bashkojmë me forcën tonë numerike dhe politike. Akti i parë, bashkimi i brendshëm”, tha Lulzim Basha.
Më herët, kandidatët patën takime me demokratët e Pogradecit, Devollit, Maliqit dhe Ersekës.

Artikulli paraprakRevolta qytetare tani edhe në Facebook-un e Ramës
Artikulli tjetërDy lumenj në Tropojë dhe Përrenjas pranohen në UNESCO