Pse ndodhën ndryshimet në administratën Trump

Largimi nga detyra e një shefi kabineti brenda një kohe kaq të shkurtër – Trump është në detyrë prej pak më shumë se 6 muajsh – nuk është i zakonshëm, por gjatë ditëve të fundit është folur për shkarkimin e afërt të Priebus pasi drejtori i Komunikimeve të Shtëpisë së Bardhë, Anthony Scaramucci, e kishte paralajmëruar afërsinë e shkarkimit gjatë një telefonate në të cilin kishte folur (larë e palarë) me Ryan Lizza, një gazetar të “New Yorker”.
Shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë është njeriu më i rëndësishëm pas Presidentit dhe ka një rol qendror në aksionin e administratës. Është lidhja midis sekretarëve dhe Sallës Ovale dhe midis politikës, partisë dhe qeverisë. Në rastin e Priebus, roli i këtij të fundit ishte vendimtar, për faktin se Trump nuk ka marrëdhënie shumë të mira me një pjesë të mirë republikanësh, megjithëse janë të partisë së tij.
Në realitet, Priebus ishte një ish-kryetar partie – President i Komitetit Kombëtar Republikan quhet posti politik në Shtetet e Bashkuara – dhe ka qenë jo pak, por 6 vjet në të: për këtë arsye ka kultivuar një raport të mirë me të gjithë aktorët me peshë, nga politikanët (sidomos senatorët), tek financuesit. Dorëheqja mund të lexohet edhe si fryti i një përplasjeje që Shtëpia e Bardhë (qysh nga fillimi) po realizon me të ashtuquajturin establishment republikan.
Trump dhe partia janë në grindje dhe kjo pengon pjesë të aksionit të qeverisjes presidenciale: në Kongres gjen pothuajse një opozitë, aq sa disa ligje të rëndësishme të hartuara prej tij – si reforma fiskale – as nuk janë diskutuar akoma dhe të tjera si reforma shëndetësore kanë përfunduar shumë herë nën kuotën e mazhorancës për t’u miratuar.
Për të kuptuar klimën që mbretëron: kohët e fundit, kongresmenët republikanë kanë miratuar një ligj që do të kufizojë pushtetet presidenciale për sa i përket lehtësimit të sanksioneve ndaj Rusisë, duke i ngritur automatikisht të reja dhe duke shkuar kështu kundër njërës prej linjave programatike të Trump, që është afrimi me Moskën. Trump e ndjen këtë klimë mosbesimi dhe ka shumë të ngjarë që ta shikojë të pasqyruar tek Priebus edhe prej gojës së këshilltarëve të tij.
Në mënyrë të veçantë Scaramucci, që e ka akuzuar hapur ish-shefin e Stafit se është prapa rrjedhjeve kolosale të lajmeve që kanë gjymtuar administratën në këto muaj të parë (veçanti për t’u pasur mirë parasysh: Priebus ishte i vetmi nga nëpunësit e lartë që nuk kishte nënshkruar një non-disclosure agreement, domethënë një marrëveshje për ruajtje sekreti me Presidentin dhe disa muaj më parë Katie Walsh, zëvendësja e tij, e ka lënë vendin e punës pasi është akuzuar informalisht se është tepër bujare me shtypin).
Përpara kësaj mosbesnikërie hipotetike, Trump ka thirrur si zëvendësues një gjeneral me 4 yje të marinsave, një që do të flasë qartë me Presidentin, por me disiplinë, me një formim shumë më respektues ndaj zinxhirëve të komandimit dhe që do t’i premtojë besnikëri Presidentit.
Kelly bëhet një tjetër nga ish-ushtarakët e shumtë që kanë marrë pushtet në brendësi të strukturave civile në administratën Trump. Gjenerali ka konsensusin e grupit rinor të pushtetit trumpian, atë të përfaqësuar nga Ivanka Trump e Jared Kushner dhe nga rrethi i afërt i tyre. Midis tyre është Dina Powell, zëvendëskëshilltare e Sigurisë Kombëtare: Powell është edhe ura lidhëse midis stafit të Shtëpisë së Bardhë më shumë i përqendruar mbi çështje politike dhe atij të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i drejtuar gjithmonë nga një gjeneral, HR Mc Master. Por duket që ka edhe mbështetjen e krahut më revolucionar të trumpistëve, atij të përfaqësuar nga strategu politik Steve Bannon dhe nga policy-maker Stephen Miller.
“Është një moment i mirë për të shtypur butonin ‘reset’”, ka thënë Priebus në intervistën e tij të parë pas largimit të nga të detyra, të dhënë Wolf Blitzer të “CNN”-it. Intervista është konsideruar si një incident diplomatik në botën e gazetarisë amerikane. Kanali televiziv “Fox”, shumë republikan dhe shumë dashamirës me Presidentin, kishte njoftuar se fjalët e para të ish-shefit të Stafit do t’ia thoshte Sean Hannity, ylli i drejtuesve televizivë amerikanë dhe sigurisht gazetari më i afërt me të. Por Priebus ka zgjedhur ndryshe, bile ka shkuar më tej duke dalë në “CNN”, rrjeti televiziv që sulmohet nga simpatizantët e Presidentit dhe vetë ai sepse i bën një mbulim jo dashamirës administratës.
Nuk duhet harruar edhe që “CNN”-i është televizioni në të cilin 3 gazetarë me peshë kanë dhënë dorëheqjen pasi kanë nxjerrë një artikull lidhur me një ngjarje që kishte të bënte me Scaramucci-n, pasi artikulli nuk i kishte kaluar të gjitha kontrollet cilësore redaksionale. Hannity është nga ana tjetër gazetari që gjendej për darkë në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, bashkë me një ish-drejtues të “Fox”, bashkë me Trump e bashkëshorten e tij dhe Scaramucci: një burim i brendshëm i ka treguar për këtë darkë Ryan Lizza të revistës “New Yorker”, Lizza e ka shkruar në Twitter dhe nga kjo ka lindur edhe telefonata e “tërbuar” e Scaramucci-t, gjatë së cilës ai ka akuzuar Priebus se është “një paranojak” që mezi priste t’u tregonte gjëra të tilla gazetarëve.

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakPse oferta për dialog e Vuçiçit ka gjasa të dështojë
Artikulli tjetërMundet Vuçiç të bëhet De Gaulle i Serbisë për Kosovën?