Pse Ilir Meta është makthi i rilindjes?

Nga Red VARAKU

Rifutja në skenën politike e një politikani rrace si Ilir Meta, jo vetëm e ka shqetësuar, por e ka alarmuar rilindjen.

Kjo, sepse të gjithë e dinë mirë, që Ilir Metën mund të mos e pëlqesh apo dhe mund të mos e vlerësosh për një mijë gjëra, por nuk mundet kurrsesi ta injorosh.

Prej 2005, ai është kthyer në makthin e të majtës dhe duam apo nuk duam ai është ‘kingmaker’ në politikën shqiptare . Këtë fakt Edi Rama e di më mirë se kushdo. Ishte pikërisht ‘puthja e dorës’ me ‘gishta obezë’ të Ilir Metës, që e bëri kryeministër dhe e shpëtoi nga largimi i pakthyeshëm nga politika në 2013.

Ndërkohë , duhet të mirëkuptohen të gjithë ‘snajperistët’ e qeverisë në media, të cilët të alarmuar, menjëherë pas manifestimit të dy marsit hoqën dorë paturpësisht nga strategjia kryesore e sulmit ndaj Presidentit, e cila e trajtonte këtë manifestim thjesht si një përpjekje të Presidentit për të frenuar reformën në drejtësi dhe tani në kor po përpiqen ta interpretojnë protestën e dy marsit, si një përpjekje të Ilir Metës për t’i marrë udhëheqjen e opozitës z.Lulzim Basha.

E gjitha kjo kthesë ndodhi për shkak të befasisë që shkaktoi ajo masë e jashtëzakonshme njerëzish të revoltuar që u mblodh në shesh. Ajo ishte prova që tashmë Opozita është mazhorancë në numra, ndaj e vetmja mënyrë që i ka ngelur qeverisë për ta bllokuar rrotacionin është vetëm përçarja e opozitës.

Edhe pse teza që një aleat më i vogēl mund të bēhet kryeministër është një tezë e lodhur, pa argument dhe e diskretituar që në vitin 2013, ata ia kanë dalë deri diku të çorodisin militantët e tyre dhe t’i mbajnë ata me gajret.

Por, nga ana tjetër të gjithë e dimë që politika në fund të ditës nuk është çështje dëshirash e aq më pak qejfi, por është çështje numrash. Me koalicionin më të madh të partive që është bërë ndonjëherë në Shqipëri dhe me Ilir Metën në krah, Lulzim Basha është kryeministër në mënyrë aritmetike.

Në fakt, këtu qëndron edhe arsyeja e alarmimit të rilindjes për rifutjen në skenë të djalit plangprishës të së majtës. Sepse, mbi sigurinë aritmetike të numrave, ndërtohet edhe fryma që mund t’i marrë përpara të gjithë dhe t’i degdisë atje ku e kanë vendin, në llumin e historisë së këtij vendi.

Artikulli paraprak50 mijë euro/ Vjedhje spektakolare në Fier, policia fsheh ngjarjen
Artikulli tjetërReagon Presidenca: Tallje me Reformën në Drejtësi, nuk bëhet reformë me Etildën e…