Pse i trembet Edi Rama 2 Marsit?

Nga Red VARAKU

Çmontimi i pushtetit të Ramës nisi vjet në janar me publikimin e përgjimeve nga Zëri i Amerikës, vazhdoi me djegjen e mandateve dhe me protestat më masive dhe më të gjata në historisë së pluralizmit. Kulmoi me përgjimet e BILD dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale.

Një strategji model që ia doli të ndërgjegjësonte, jo vetëm opinionin publik shqiptar, por edhe faktorin ndërkombëtar, i cili si në asnjë rast tjetër mori një vendim tejet radikal, bllokimin e integrimit dhe nëntë kushtet e Bundestagut.

Mesazhi ishte shumë i qartë, edhe pse shpesh bëjnë sikur nuk e kuptojnë. Perëndimi po i kërkonte Ramës të largohej me procedurë në mënyrë që vendi të vazhdonte procesin e integrimit.

Ndërkohë, kishin filluar bonuset për Opozitën dhe Lulzim Bashën, për përgjegjësinë që tregoi në 30 qershor, për shmangjen e përplasjes civile, e cila mund të degjeneronte deri në një luftë civile.

Për këtë maturi dhe përgjegjshmëri Lulzim Basha mori vlerësimin maksimal nga PPE, grupi i partive që po udhëheq Europën, për përgjegjshmërinë e treguar, e cila prodhoi dhe një rezolutë që reflektonte pikë për pikë të gjitha shqetësimet e Opozitës. Kjo rezolutë në fakt ishte një mbështetje e hapur për Opozitën shqiptare dhe personalisht Lulzim Bashën.

I ndodhur nën presionin e hapur amerikan dhe europian, të cilët njëzëri pranonin vjedhjen e zgjedhjeve dhe kërkonin Ramës arrestimin e autorëve të krimit elektoral, krijimin e Gjykatës Kushtetuese, për vlerësimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, dhe fillimin e punës për Reformën Zgjedhore, Edi Rama me anë të viktimizimit, edhe për shkak të një fatkeqësie natyrore si tërmeti, ia ka dalë ta shtyjë deri tani dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie tranzitore për zgjedhje të parakohshme.

Por, tashmë ai e di që kupa është mbushur dhe nuk e shtyn dot më fatin e tij. Duke parandjerë fundin dhe nën paranojën dhe frikën e demotimit të klanit të tij pas largimit nga pushteti , ai po investohet në puçin më të madh kushtetues, që tenton kapjen e Gjykatës Kushtetuese , si garanci për të dhe bandën e tij në pushtet.

Por, këtu duket se i ka hasur sharra në gozhdë. Përballë ka njeriun që ishte në të njëjtën ditë me të në SHBA në krah të Sekretarit të Departmentit të Shtetit, i cili duket se kësaj rradhe është i vendosur t’i shkojë deri në fund, mbase dhe si pasojë e fajit që ndjen për mbështetjen që i ka dhënë Ramës për tu bërë kryeministër, apo për miratimin e shtatë ligjeve, për të cilat Lulzim Basha e pati paralajmëruar.

Një arsye tjetër është se ai e ka të qartë zemërimin e madh që është akumuluar, i cili deri tani ka qenë i kontrolluar me shumë kosto nga Opozita dhe Lulzim Basha, por në dy mars, në rrugë do të jetë vetëm populli, dhe ky zemërim mund të kthehet në ekploziv që mund ta hedhë në erë.

Gjithashtu, mbështetja e madhe që ka gjetur thirrja e Presidentit, jo vetëm brenda Shqipërisë, por kudo në trojet shqiptare , sidomos në Kosovë dhe diasporë, për shkak të tradhtisë që Rama i bëri gjakut të derdhur për Kosovën në ivestimin e tij për ndarjen e saj dhe krijimin e Jugosllavisë së re, e ka trembur fort kryeministrin, sepse ai e di dhe e njeh fuqinë e strukturave ushtarake që mposhtën hienat paramilitare serbe.

Ndaj, nuk është çudi që bashkë me poturet ai ka bërë gati dhe pizhamat bashkë me penelin, se nuk i dihet se ku mund ta zërë mesnata e 3 marsit.

Artikulli paraprakPompeo kërkon heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe
Artikulli tjetërÇfarë pritet të ndodhë? Meta bën lëvizjen e papritur, thërret në zyrë ambasadorët