Pse deklaratat e Ramës i shërbejnë vetëm atij dhe Vuçiçit

GazetaExpress: Pse mendoni se Rama e dha një propozim të tillë?
Sali Berisha: Në mendimin tim, procesi i negociatave me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve me këtë vend është dhe duhet të jetë përparësia më kryesore e autoriteteve të Kosovës dhe shndërrimi i këtyre marrëveshjeve në marrëveshje paqe. Në këtë kontekst, një deklaratë e tillë u shërben vetëm interesave të ngushta të Ramës dhe Vuçiqit. Të parit sepse, me deklarata te tilla kërkon të mbulojë dështimet e tij dhe se i duhen si qyrkë nacionalisti për shqiptarët e Kosovës për të mbuluar defiçitin e tmerrshëm patriotik dhe çelësin e artë të Tiranës që i vendosi në gjoks Bregoviçit. Me një fjalë, kjo deklaratë e Ramës në Parlamentin e Kosovës është si atletet e tij të kuqe në takime ndërkombëtare. Të dytit i duhet për ta tundur para të tjerëve si “eureka”, ja sepse nuk ecin negociatat (për të cilat ai nuk ka asnjë interes që të ecin) sepse ata, shqiptarët, nuk duan marrëveshjen, por bashkimin.

GazetaExpress: Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj kësaj ideje duke thënë se e njëjta është e dëmshme për të dyja vendet. Sipas jush, a po ndërhynë kryeministri Rama në masë të madhe në punët e Kosovës?
Sali Berisha: Mendoj se nuk është aspak e dobishme për asnjërën palë dhe asnjërin vend.
Kjo deklaratë, dhe të ngjashme si kjo, krijojnë pështjellim edhe në BE dhe në qëndrimin e vendeve anëtare ndaj integrimit të Kosovës pasi ato pranojnë vetëm vende pa sherre njëra me tjetrën dhe jo ato që kanë probleme madhore për të zgjidhur.

GazetaExpress: A mendoni se e ardhmja e përbashkët e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jetë në BE dhe të hiqet dorë nga bashkimi kombëtar?
Sali Berisha: Mendoj se e ardhmja më e mirë e shqiptarëve është anëtarësimi i plotë në BE i Shqipërisë, Kosovës por edhe vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarë. Por mendoj se ky proces jo që nuk duhet të pengojë dhe të lërë në pritje integrimin ndërshqiptar, por përkundrazi duhet të nxisë atë!
Në këtë kontekst është e papranueshme që autoritetet midis dy vendeve tona të mos vendosin brenda një kohe të shkurtër të gjitha standardet që ekzistojnë në lëvizjen e njerëzve, mallrave, kontrollin e kufijve, njësimin e ligjeve e praktikave që ekzistojnë midis dy vendeve anëtare të BE. Asgjë nuk pengon autoritetet e dy vendeve tona të ndërmarrin investime e projekte të rëndësishme integruese në fushën e infrastrukturës, rrugëve, hekurudhave, në fushën e arsimit, kulturës, kutikulave, në shkencat e etnogjenezë e në adaptimin e dy shtetësisë për qytetarët e të dy vendeve që e dëshirojnë atë.

Artikulli paraprakBerisha: Ka vetëm një rrugë për bashkimin kombëtar Shqipëri-Kosovë, ajo kalon përmes…
Artikulli tjetërBerisha: Ndarja e Kosovës, nuk do të çuditesha sikur Rama të ketë biseduar me “Sandrin”