Pse Arta Marku futi në KLP “Venusin”, spiunin e Sigurimit të Shtetit!

Bujar Sheshi, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë që rezulton ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, është “toleruar” për këtë fakt nga filtrat e dështuar të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.
Ligji për “Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë” ngarkon me përgjegjësi Prokuroren e Përgjithshme (të Përkohshme në rastin konkret) për të verifikuar kushtet ligjore të kandidatëve prokurorë për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).
I njëjti ligj parashikon, ndër të tjera, që kandidatë për KLP nuk mund të jenë personat që “kanë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
Në rastin e Bujar Sheshit, Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku e ka vlerësuar të përshtatshëm kandidaturën e Bujar Sheshit për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pavarësisht se, kur ka nënshkuar relacionin për “rregullësinë” e tij, nuk kishte marrë ende një përgjigje për kërkesën e saj drejtuar Autoritetit të Dosjeve.

Grupi i Punës i ngritur nga Arta Marku, në relacionin dt.14 nëntor 2018, ka arritur në konkluzionin se “kandidatura e Bujar Sheshit plotëson kushtet ligjore për të kandiduar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë”.
Por, në të njëjtin relacion, shënohet se: “…Për verifikimin e pikës “dh” “e”, për kushtet, kandidati ka paraqitur deklaratat, dhe nga ana jonë është kërkuar konfirmimi dhe në Autoritetin per Informimin mbi dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit.”
Pra, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar “konfirmim nga Autoriteti i Dosjeve”, por nuk ka pritur përgjigje dhe e ka kualifikuar Bujar Sheshin si kandidaturë për në KLP.
Autoriteti Dosjeve, me vendimin e datës 21 janar 2019, ka konfirmuar se prokurori Bujar Shehi ka qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, me nofkën “Venusi”, duke nxjerrë në këtë mënyrë vendimin skandaloz të Arta Markut për konfirmimin e tij si kandidat për në KLP pa kryer një verifikim të plotë.
Bujar Sheshi ishte “kandidat urgjent” për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pasi, pak para krijimit të tij, nuk kishte emra nga prokuroritë e Apelit. Ai u regjistrua në limitet e fundit kohore dhe kandidimi i tij u përshëndet nga EURALIUS e OPDAT, të cilët prisnin me ankth konstituimin e kësaj strukture, për të shpëtuar Reformën e gatuar keq prej tyre nga dështimi.

“Boldnews.al”

 

Artikulli paraprakMedia italiane: I dyshuari për trafikun e 2 ton droge arrestohet në Shqipëri
Artikulli tjetërInstitucioni i ri i grabitjes masive të pasurive të shqiptarëve e ka emrin KISH, si do ju zhvasë!