PS u mblodhi zgjedhësve kartat për të mos votuar

Bandat e PS u mblodhën kartat e identitetit zgjedhësve kundrejt pagesës për të mos votuar. Kjo maskaradë zgjedhore u denoncua nga portalet dy ditë para votimeve si dhe gjatë ditës së votimeve, ndërsa policia nuk ndërhyri në asnjë rast ndonëse kishte fakte dhe prova. Kartat u blenë masivisht në Tiranë dhe në të gjitha qytetet e tjera të vendit, sidomos atyre njerëzve që ishin në gjendje të rënduar ekonomike. Bandat e drogës paguanin 50 euro për një kartë identiteti, vetëm që zgjedhësi të mos dilte ditën e dielë për të votuar.
Jo pa qëllim nuk u zëvendësuan shefat e komisariateve të policisë në rrethe. Ata shefa policie që bashkëpunuan me trafikantët e drogës në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit lejuan edhe blerjen e votës edhe me kartat e identitetit. Ky fakt vërteton edhe pjesëmarrjen shumë të ulët në votime, pasi zgjedhësit e djathtë u detyruan nga bandat që të mos afroheshin te qendrat e votimit.
Denoncimi i mbledhjes së kartave të identitetit u bë edhe nga vetë qytetarët. Pas këtyre denoncimeve, reagoi edhe ish-Kryeministri Berisha, i cili kërkoi hetim nga Prokuroria për blerjen e kartave të identitetit zgjedhësve nga bandat e PS për të mos votuar. “Kjo është fushata e Noriegës. Mbledhja e kartave të identitetit denoncohet nga portalet!”, shkruan Berisha në Facebook.
Ky skandal u denoncua të dielën edhe nga qytetarët e Durrësit. Një qytetar nga Durrësi iu drejtua me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, duke denoncuar grumbullimin e kartave kundrejt parave për të mos votuar. “Bandat e PS blejnë vota në Durrës! Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital!”, shkruante Berisha në një postim në Facebook në orët e para të ditës së dielë. “Përshëndetje Doktor. Në Durrës, përfaqësues të PS po shpërndajnë para, duke u thënë votuesve të PD të dorëzojnë kartat për të mos votuar. Këtë informacion e mora nga banorë të Spitallës, të cilët thonë nuk dimë ku të ankohemi se tek kjo polici nuk kemi besim”, shkruan qytetari.
Një ditë para votimeve, drejtuesi politik i PD në Qarkun e Elbasanit, Edmond Spaho, denoncoi në Polici marrjen e kartave të identitetit të qytetarëve romë kundrejt parave, me qëllim që ata të mos shkonin të votonin. Spaho bëri me dije se, janë gjetur 40 kopje të kartave të identitetit të komunitetit rom, ndërsa zgjedhësit që bandat e PS u morën kartat nuk dolën në votime. Spaho denoncoi shtetasin Afrim Jagodina për mbledhjen e kartave të identitetit dhe pasaportave të komunitetit rom, por policia nuk mori asnjë masë ndaj tij. “U interesuam dhe njërit prej personave na tregoi se u janë marrë kartat familjarisht dhe se ato janë mbledhur nga individi. Të gjitha materialet, kartat dhe deponimin e tij, ia kaluam Policisë. Subjektin do ta zgjidhë Policia sipas akuzave që janë deponuar. Policia ka filluar hetimin e çështjes. Do veprohet sipas procedurave”, deklaroi Spaho.
Në Dumre të Elbasanit një votë u ble me 50 euro. Një qytetar deklaroi se ishin 11 votues në shtëpi dhe i kanë dhënë 550 euro në këmbim të votës për PS. Bandat e PS kishin shkuar edhe në mjaft banesa të tjera në Dumre të Elbasanit, duke mbledhur kartat e identitetit kundrejt parave që zgjedhësit të mos dilnin për të votuar.
Edhe në Shkodër, PS përdori të njëjtën metodë me grumbullimin e kartave të identitetit. Në lagjen Kiras dhe disa zona të qytetit të Shkodrës është bërë regjistrimi i qytetarëve përmes kartave të identitetit dhe më pas ju është dhënë 50 euro. Personat që regjistronin kartat e identitetit në këmbim të 50 euro lëviznin me një makinë. Gjithçka është kryer në këmbim të votës për subjektin politik PSD. Pak orë më vonë e njëjta skenë ka qenë prezente në dy lagje periferike edhe nga përfaqësues të PS me argumentin se po shpërndajnë çekun e parave të përmbytjeve.
Edhe në Delvinë bandat e PS blenë 50 euro një votë. Gjatë ditës së votimeve, aktivistë të PS qëndronin para Qendrave të Votimit me lista në dorë dhe detyronin zgjedhësit që të votonin për Partinë Socialiste kundrejt parave. Qytetarët kanë denoncuar disa raste, por policia nuk ka ndërhyrë.

Shefi operativ me makinën e Antikontrabandës në QV

Shefi i grupit operativ, Idriz Zogu shkon me makinën e Antikontrabandës pranë qendrave të votimit për të kërcënuar zgjedhësit të votojnë për PS-në. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas një mesazhi të dërguar nga një qytetar. “Idriz Zogu, shef i grupit operativ me makinën e antikontrabandës, me detyra partie. Lexoni denoncimin dhe shikoni fotot e qytetarit dixhital!”, shkruante Berisha në Facebook. “Përshëndetje Dr.Berisha! Kjo është makina e Antikondrabandës, që vjen vërdallë në Njësinë nr. 8, me Përgjegjësin e Grupit, Idriz Zogu dhe me shofer inspektorin Leonard Tavanxhi. Foto është shkrepur në orën 09:40 minuta. Në 09:35 ka ndaluar tek zyra e PS…”, shkruan qytetari.
Pas denoncimit të ish-Kryeministrit Berisha, Task-Forca i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit për bllokimin e automjetit dhe arrestimin në kushtet e flagrancës të punonjësit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave me inicialet Idriz Zogu. “Ky person, në kundërshtim flagrant me VKM 473, si dhe me urdhërat e Task-Forcës, Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka përdorur në mënyrë të paligjshme automjetin e Antikontrabandës me targë AA 214 LY, për arsye elektorale. Po kështu të procedohen edhe me personat përgjegjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për fshehje të fakteve dhe bashkëpunim në këtë aktivitet të paligjshëm”, thuhej në reagimin e Task Forcës, por policia nuk mori asnjë masë ndaj tyre.

Plagosje me armë pranë qendrës votimit në Lezhë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë procesit të votimeve në Shëngjin të Lezhës. Një anëtar i LSI, Florian Dushku, u plagos me pistoletë nga një grup personash pranë qendrës së votimit. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës gjatë procesit të votimit në Shëngjin. Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, deklaroi se, Dushku u plagos nga banda kriminale e njohur e “Rilindjes” në këtë qytet, që ka mbështetjen e qeverisë dhe mbrojtjen e Policisë dhe që po përdoret për të dhunuar zgjedhjet.
Policia deklariou se ngjarja ka ndodhur ditën e dielë rreth orës 10:15. Policia tha se, është marrë njoftim se në rrugën kryesore midis shkollës 9- vjeçare Shëngjin dhe lokal “Restorant Detari” në Shëngjin ka pasur të shtëna me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar 1 gëzhojë. Tek spitali nuk ka mbërritur asnjë person për ndihmë mjekësore.
Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka qenë i çastit midis shtetasit F.D. 27 vjeç, dhe personave të tjerë, për të cilët po punohet për identifikimin e tyre. Policia bëri të ditur se, nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani, ka rezultuar se ka qenë një konflik midis dy grupe personash, i cili fillimisht ka nisur si debat verbal e më pas ka agravuar në konflikt fizik e  me mjete të forta mes tyre, si dhe njëri prej personave të përfshirë, ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Policia tha se janë identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje.

U kërcënuan me vendin e punës, zgjedhësit fotografojnë votën

Gjatë procesit të votimit, shumë zgjedhës janë kapur duke fotografuar votën në disa qytetet të vendit si në Korçë, Vlorë, Elbasan, Librazhd, Shkodër, etj. Fotografimi i fletës së votimit është bërë nga punon jësit e administratës dhe zyrtarë të tjerë për të ruajtur vendin e punës.
Në qarkun e Korçës janë bllokuar përkohësisht 6 qendra votimi pasi u zbuluan disa votuies duke fotografuar votën. Në një prej tyre në shkollën ‘Sotir Gurra’ është kapur një qytetar duke fotografuar votën e tij. Menjëherë më pas është njoftuar policia për këtë shkelje. Qytetari ka dekalruar se e ka bërë një veoprim të tillëpër të ruajtur vendin e punës.
Seksioni i Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në Komisariatin e Vlorës ka filluar procedimin penal dhe ka shpallur në kërkim policor: R.M., 54 vjeç, banues në Vlorë.
Policia e Vlorës ka filluar ndjekjen penale ndaj tij, pasi rreth orës 13:30, në ambientet e DVP Vlorë, është depozituar një kallëzim penal nga KZAZ Nr.82 Vlorë, mbi bazën e të cilit thuhet se ky shtetas ka fotografuar fletën e votimit dhe në momentin që ky veprim është konstatuar nga anëtaret e Komisionit të qendrës se votimit Nr. 4495/1 (me vendndodhje në lagjen “Isa Boletini”) që i përket KZAZ Nr.82 Vlorë, ka dëmtuar (grisur) fletën e votimit dhe më pas është larguar nga kjo qendër votimi, njoftojnë burime zyrtare nga Polici e Vlorës.
Një grua 41-vjeçare në LIbrazhd ka tentuar të hyjë me celular në dhomën e fshehtë para se të votonte, por është ndaluar nga komisionerët dhe nga Policia pas dyshimit se po tentohej fotografimi i votës, trafikimi i saj. Policia e Elbasanit njoftoi se incidenti ndodhi në ora 7:30. Komisioni i  Qëndrës së Votimit  Nr.2704 të KZAZ Nr.52 Librazhd, i vendosur tek shtëpia e Kulturës, në katin e parë, ka kërkuar ndihmë e Policisë  për ndërhyrje në këtë rast.
Pas kësaj punonjësit e policisë kanë shkuar menjeherë në qendrën e votimit  Nr.2704 me vendim dhe konform rregullave ligjore.
Shërbimet e  Policisë kanë kontaktuar me Kryetarin dhe Sekretarin e Komisionit dhe pasi kanë marrë vendimin për ndërhyrje, janë futur në qëndrën e votimit ku janë informuar se kishte patur probleme me procedurën e votimit të shtetases V.F, 41 vjeçe,  banuese në Librazhd, e cila mbante telefonin në dorë në kohën që po futej tek dhoma e fshehtë.
Në prezencë të punonjësve të policisë dhe të Komisionit u bënë sqarimet e nevojshme me qytetaren e lartpërmendur, e cila më pas votoi sipas rregullave dhe pa probleme. Komisioni nuk pati probleme dhe kërkesa të tjera. Proçesi i votimit në këtë qëndër nuk u ndërpre. Me vendim të Komisionit të Qëndrës së Votimit Nr.2704, shërbimet e policisë, u larguan nga qëndra e votimit. Votimi vazhdon normalisht dhe pa probleme.

R.POLISI

Artikulli paraprakVendimi i fundit i Gjykatës së Strasburgut rrezikon vettingun
Artikulli tjetërKreu i PS dhe policia kapen duke blerë vota në Lushnjë