Protesta para kryeministrisë, ARMO-s, mjerimi i 1200 punonjësve 10 muaj pa paga

Teksa Parlamenti po ziente nga debatet e deputetëve me njëri-tjetrin, pakkush e kishte mendjen pak metra më tej, aty ku dje paradite kishte zbritur mjerimi i mijëra punonjësve të rafinerisë së naftës ARMO, që po vuajnë pasojat e falimentit të një prej kompanive më të mëdha në vend. Ministri Gjiknuri ngre duart: Është privatizim i dështuar, kompani e falimentuar, nuk e shtetëzojmë dot. E vetmja gjë që mund të bëhet është ristrukturimi. Fatmir Bala është një nga 1200 punonjësit e rafinerisë së naftës, ARMO, i cili nuk ka marrë pagën prej 10 muajsh ndaj ka vendosur të protestojë para kryeministrisë për disa ditë më radhë. Aty e gjetëm edhe sot, përballë indiferencës së parlamentarëve, që ishin shumë të zënë duke u marrë me njëri-tjetrin.
Jeta e Fatmirit ka qenë e lidhur më industrinë e naftës dhe rroga ishte burimi i vetëm të ardhurave për familjen. Tani e ka të vështirë të sigurojë ushqimin e përditshëm për të paguar faturat e dritave dhe ujit dhe nuk po siguron as mbijetesën. Ai ende punon në Pontilin e Vlorës dhe në këto dy vite e fundit ka qenë dëshmitar i humbjes së katër kolegëve. “Ju nuk e dini, punonjësit e ARMOS-s nuk e gëzojnë pensionin. Kolegët e mi pothuajse të gjithë kanë vdekur në prag të pensionit dhe ose pak vite më pas. Punojmë në mes të squfurit dhe helmeve. Këta që janë gjallë janë gjithë sëmundje, pinë një barrë ilaçe në muaj”, tha Fatmiri më zë të fikur nga dhimbja teksa dhjetëra të tjerë e shoqëruan me ankesa.
Meçan Duraj është një tjetër histori tragjike. Ai është një mekanik profesionist dhe la Greqinë pak vite më parë për t’u kujdesur për prindërit e plakur në Fier. Fati e deshi të fillonte punë në ARMO dhe rroga ishte e mirë. Tani ka dy fëmijë të rritur, që ndjekin shkollën e mesme. Ka 11 muaj pa marrë rrogën, shpesh i është dashur t’i vërë kalamajtë në gjumë pa bukë. Nuk paska dhimbje më të madhe se kjo, shprehet, i fyer teksa ka dëgjuar edhe kryeministrin të thotë se vende pune ka, por nuk ka profesionistë.
Bashkë me 700 punonjës të tjera të ARMO-s, ata u ulën sot në sheshin para kryeministrisë. Kupa u mbush nuk mban më. Përballë nuk ka kush ti dëgjojë. I kanë informuar se Kryeministri është në Vlorë. Por në fakt është vetëm një kilometër larg tyre në sallën e Kuvendit duke shkëmbyer batuta me opozitën dhe Blushin.
Punonjësve në shesh iu ka mbërritur thika në palcë, borxhet për secilin janë 7-10 milionë lekë të vjetra. Ata e dinë që kanë punuar në një kompani private, por bëjnë qeverinë fajtore. Ende sot shteti shqiptar ka në pronësi 15 për qind aksioneve të ARMO-s dhe qeveria duhet të kishte ushtruar kontroll të paktën mbi kompanitë që po e shfrytëzojnë sot e kësaj ditë.
Që nga 2013 deri në mesin e 2015, Azerët kanë përpunuar 650 mije tonë naftë. E kanë shitur të gjithën. Ata e kanë ende në administrim. Ku i kanë paratë pse nuk na paguajnë, thonë punonjësit të dëshpëruar duke u shprehur se, ARMO është një strumbullar i madh abuzimesh dhe korrupsioni, i qeverisë me kompanitë që e kanë shfrytëzuar, por të paktën të na japin rrogat, shprehen punonjësit.

Borxhet 590 milionë dollarë

Kompania e rafinerisë së naftës, 15% të aksioneve të së cilës zotërohen nga shteti dhe 85% nga azerët e Heany Assets Corporation, është kreditori më i madh i keq i vetëm në Shqipëri.
Në fund të tremujorit të parë të 2016, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Borxhet e kompanisë janë rritur në mënyrë të frikshme, teksa pronarët e kompanisë nuk janë prezentë, ndërsa punonjësit vijojnë protestat për mos marrjen e pagave prej muajsh.
Të njëjtat burime bëjnë dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrolit, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve. Teksa ish- kompania shtetërore e naftës ka krijuar ajsbergun e borxheve rafineritë e saj kanë qenë në punë qysh nga privatizimi i saj. Por duket se, problematika e saj është përtej aftësive në administrim.

Monitor.al

Artikulli paraprakNdikimi i zbatimit të MSA në ekonominë e Kosovës
Artikulli tjetërRënia e konsumit dhe taksat e larta, bizneset tregtare në krizë