Protesta kundër plehrave në Fier, banorët: Nuk i lejojmë, do vetëflijohemi

Banorët e tre fshatrave në Fier janë ngritur dje për të tretën herë në protestë kundër ndërtimit të fabrikës së riciklimit të mbeturinave në tokat e tyre. Qindra banorë të fshatrave Mbyet, Plyk dhe Portëz u bashkuan në protestë pa pyetur për dhunën nga policia dhe procedimin penal që u është bërë 12 banorëve para tre ditësh. Ata janë përleshur sërish me policinë, pasi kanë bllokuar rrugën nacionale Fier-Ballsh. Policia u ka dalë kundër ashtu sikundër në dy rastet e tjera sepse ata nuk kanë marrë leje në polici për protestën, e cila konsiderohet e paligjshme dhe se e kundërshtojnë urdhrin e saj.
Protestuesit u shprehën se nuk do ta lejojnë kurrsesi ndërtimin e fabrikës së përpunimit të plehrave. “Shtëpia ime nga vendi ku duan ta ndërtojnë është vetëm 50 metra larg. Pse mua do të ma sjellin erën e kërmës te dera e shtëpisë? Po nuk do ta lejojmë ne këtë punë”, tha një qytetar i revoltuar.
“Ka hyrë në vijë të verdhë të qytetit që të helmohen të gjithë. Ne patëm një Azotik aty dhe na helmonte herë pas here, edhe bënë mirë që e shkatërruan. Por ama, jo të na sjellin helme të tjera”, thotë një banor. “Gjynah për këta fëmijë, është trashëgimi toka. Na vjen keq, i kemi vërselit ata ullinjtë, me këtë tokë ushqehemi”, tha një banore.
“Siç jemi këtu do të ngrohemi gjatë gjithë kohës, do të bëjmë protesta nga më të ndryshmet që Këshilli Bashkiak dhe të tërë ata zotërinjtë që janë zgjedhur atje dhe që tallen me këtë popull të marrin një vendim të drejtë në drejtim të këtij komuniteti”, tha një grua e moshuar. Një tjetër banor thotë se e ndan gardhi me plehrat.
Banorët thanë se ndërtimi i fabrikës në tokat e tyre do të jetë me pasoja për brezat pasardhës, ndaj do të vetëflijohen dhe nuk do ta lejojnë këtë gjë. Protesta e banorëve u mbështet dhe nga PD e degës së Fierit. Kreu i saj, Luan Baçi bëri thirrje që të premten në orën 9:00 të mblidhen para Bashkisë, për të kundërshtuar projektin e ndërtimit të landfillit të përpunimit të qindra tonelata mbetje të zonës.
Nga ana e Bashkisë së Fierit nuk ka asnjë sinjal për negociata me banorët. Banorët thonë se nuk do të tërhiqen nga protesta, derisa të anulohet projekti. Banorët ngrenë shqetësimin se ndërtimi i landfillit do të shtojë helmet në ambient dhe do të ndikojë në jetët e tyre.

Artikulli paraprakSekuestrohen 10 kg drogë nga Shqipëria në Janinë
Artikulli tjetërTrump në krye të sondazheve, por VOA thotë se fiton Clinton