Protesta dhe largim me çdo kusht i Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëron protesta dhe përballje deri në largimin e Ramës nga pushteti si mënyra e vetme për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në një intervistë për “Top Channel”, Basha deklaron se e vetmja zgjidhje është të organizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri dhe një Kryeministër që i garanton ato dhe jo me një Kryeministër që është provuar që është shkaktari numër 1 i prishjes dhe kapjes së vullnetit popullor përmes krimit dhe drogës. “Ne kemi tashmë një koalicion të gjerë qytetar me faktorë politikë shoqërinë civile dhe i takon këtij koalicioni që të ndërmarrë të gjitha veprimet me të gjitha mjetet demokratike për të plotësuar këtë aspiratë që është e të gjithë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht bindjeve politike; zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën Kryeministër. Me të gjitha mjetet demokratike paqësore, sigurisht protestat, përballjen, refuzimin nga një koalicion i madh qytetar me në krye opozitën, me në krye Partinë Demokratike”, shprehet Basha.

– Zoti Basha, a ka Partia Demokratike një qëndrim përfundimtar se çfarë sistemi elektoral mbështet?
Partia Demokratike, unë personalisht, mbështesim çdo sistem elektoral që do të afrojë votuesin, zgjedhësin dhe qytetarin shqiptar me të zgjedhurin, me deputetin, por çdo diskutim sot për sistemin është një alibi, një veprim i kotë përsa kohë që shqiptarët nuk kanë të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndaj prioriteti i Partisë Demokratike, prioriteti i koalicionit tonë, siç e kemi bërë të qartë në çdo mbledhje të koalicionit opozitar është që të sigurojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

– Si sigurohen këto?
Konkluzioni është i qartë! Edi Rama e ka treguar tashmë tre herë, në zgjedhjet e Korçës, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar dhe në zgjedhjet e Dibrës se, ai është shkatërrues i procesit politik, se ai ka frikë garën e ndershme elektorale dhe e ka zëvendësuar këtë pa garë, ku në një anë ka opozitën, ka kandidatë, programe dhe nga ana tjetër ka një aleancë të çimentuar tashmë me krimin dhe drogën. Në këto kushte, problemi për zgjedhje të lira dhe ndershme është vetë Edi Rama. Zgjidhja është që të organizojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme me një qeveri dhe një Kryeministër që i garanton ato dhe jo me një Kryeministër që është provuar që është shkaktari numër 1 i prishjes dhe kapjes së vullnetit popullor përmes krimit dhe drogës.

– Por ju nuk e keni këtë forcë në Parlament për ta rrëzuar Edi Ramën, do ta gjeni forcën tek protestat qytetare?
Ne kemi tashmë një koalicion të gjerë qytetar me faktorë politikë shoqërinë civile dhe i takon këtij koalicioni që të ndërmarrë të gjitha veprimet me të gjitha mjetet demokratike për të plotësuar këtë aspiratë që është e të gjithë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht bindjeve politike; zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën Kryeministër.

– Përfshirë protestat?
Me të gjitha mjetet demokratike paqësore, sigurisht protestat, përballjen, refuzimin nga një koalicion i madh qytetar me në krye opozitën, me në krye Partinë Demokratike.

Marrë nga “Top Channel”

Artikulli paraprak10 mijë kuota në Universitete të bllokuara nga klientelizmi
Artikulli tjetërKartelit Bushi të drogës po i ngushtohet laku