Pronari i lokalit që u plagos dje në Selitë, në konflikt me Shullazin

Dy persona mbetën të plagosur me armë zjarri në mes të ditës në një lokal në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30 të ditës së djeshme në Selitë, tek stacioni i fundit i Tiranës së Re. Burime në vendin e ngjarjes bënë të ditur se, një person është afruar në hyrje të një lokali dhe ka hapur zjarr me një pistoletë. Si pasojë e breshërisë së plumbave ka mbetur i plagosur pronari i lokalit, Gjon Pelivani, 27 vjeç dhe kamerieri Renato Hoxha, 31 vjeç. Ata u qëlluan me armë në një lokal në Selitë nga një person i quajtur Arti M. Ky i fundit i qëlloi të dy, duke i plagosur dhe u largua me makinë nga vendi i ngjarjes. Dy të plagosurit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Nuk dihet arsyet e sherrit mes tyre që çoi në krim.
Gjon Pelivani, njëri prej të plagosurve ditën e djeshme në zonën e Selitës në kryeqytet, nuk është një emër i panjohur për policinë. Në vitin 2015, ai ka patur një sherr me Emiljano Shullazin, dhe ka mbetur i plagosur nga Gilmando Dani. Mësohet se 27-vjeçari Gjon Pelivani është përfshirë edhe më herët në konflikte. Burime në Policinë e Shtetit thonë se, Pelivani njihej edhe me identitetin Valment Pelivani. Ky është një emër i njohur për blutë për të shkuarën e tij. Emri i Valment Pelivanit del në një përplasje me armë me Emiliano Shullazin. Mësohet se ai ka pasur “luftë” edhe me bandën e Emiljano Shullazit. Ai është plagosur në janar të vitit 2015 nga vetë krahu i djathtë i Shullazit, Gilmando Dani, që sot gjendet në burg.

Mësohet se autori me iniciale A.M., kishte si shënjestër pronarin e lokalit, që ka mbetur i plagosur, kurse i plagosuri tjetër është kamerieri, i cili e ka marrë plumbin aksidentalisht. Vendi ku ka ndodhur ngjarja e rëndë është stacioni i fundit i Tiranës së Re.
Sipas disa dëshmitarëve në vendngjarje dy grupe janë zënë me njëri-tjetrin tek dera e lokalit dhe pas zënkës janë dëgjuar krismat. Policia ka identifikuar autorin e plagosjes dhe ka nisur kërkimet për kapjen e tij.
“Më datë 16.02.2018, rreth orës 12:30, në rrugën “Irfan Tomini”, gjatë një konflikti të çastit janë plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasit R.H., 31 vjeç dhe Gj.P. 27 vjeç., të dy jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë shkuar në kohë në vendngjarje, ku kanë bërë identifikimin e autorit dhe po punohet intensivisht për kapjen e tij. Pika të shumta kontrolli dhe në lëvizje për të bërë të mundur kapjen e autorit. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Artikulli paraprakProvokimi i Ramës në Kosovë që solli reagimin e Haradinajt
Artikulli tjetërVeliaj po rekruton aktorët për ngritjen e kullës tek Teatri