Prokuroria të mos mbajë të mbyllura dosjet e Veliajt

Grida DUMA

Dje, ishte një ditë e keqe për lirinë e medias, për lirinë e shprehjes për demokracinë në Shqipëri.
Erion Veliaj, si kopje e keqe e Edi Ramës, si mëkëmbësi i tij për të gjitha aferat në Bashkinë e Tiranës mbylli një emision investigativ në “Vizion Plus”.
Një emision që po hetonte krimin e tij në Sharrë, aty ku humbi jetën dy muaj më parë 17-vjeçari Ardit Gjoklaj.
Teksa emisioni “Publicus” ishte paralajmëruar dhe pritej të shfaqte dje (ditën e diel) në darkë investigimin në Sharrë, rolin e përgjegjësinë e Erion Veliajt në atë sipërmarrje të paligjshme, korruptive e kriminale, papritur, televizioni “Vizion Plus” vendos të mos e transmetojë dhe e mbyll programin.
Kjo është hera e dytë që Erion Veliaj ndërhyn dhe mbyll programe që guxojnë të hetojnë mbi aferën e tij. Në rastin e parë, Veliaj shkarkoi nga puna drejtoreshën e informacionit që tentoi të hidhte dritë mbi Sharrën, kësaj radhe Veliaj zhduku emisionin investigativ.
Kjo është një ngjarje e rëndë për median, për lirinë e shprehjes, për një prej themeleve të demokracisë. Një ngjarje e paprecedent që ndodh në një vend që kërkon të hapë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Erjon Veliaj si kopja e keqe e Edi Ramës po shfaqet si një xhelat i medias dhe fjalës së lirë.
Partia Demokratike e dënon ashpër këtë ngjarje dhe nxit organizatat e medias në vend që të reagojnë, të ngrenë zërin, të mos pajtohen me këtë ndërhyrje brutale e të papranueshme të Erion Veliajt.
Partia Demokratike beson se partnerët ndërkombëtarë, ambasadorët e vendeve mike, do ta mbajnë shënim rastin dhe do të mbajnë qëndrimin e duhur.
Ne i inkurajojmë autorët e programit ta bëjnë publik investigimin e tyre.
Prokuroria e Tiranës është nën detyrim ligjor të mos mbajë të mbyllura dosjet e Erion Veliajt, por të zbatojë Kushtetutën e të çojë para hetimin për aferën korruptive e kriminale të landfillit të Sharrës.
Nuk mund të pranohet më që Erion Veliaj, ky armik i ligjit, i medias dhe shprehjes së lirë të bëjë ç’të dojë me Bashkinë e Tiranës, me taksat e qytetarëve e të sundojë televizionet e gazetat në vend në emër të interesave të tij financiare e kriminale.

Artikulli paraprakBerisha: Rama dhe Veliaj vrasin për së dyti Arditin e mjerë!
Artikulli tjetërArtan Rama: Mbyllja e emisionit kur trokitëm në dyert e bashkisë