Prokuroria, struktura të posaçme për procesin zgjedhor

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka udhëzuar Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore që të hartojnë shërbimet e gatishmërisë për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë, të cilat zhvillohen të dielën, 25 qershor 2017.
Në bazë të komunikimit që ka zhvilluar Prokurori i Përgjithshëm, strukturat lokale të Prokurorisë Shqiptare kanë krijuar strukturat e posaçme të gatishmërisë, të cilat janë në funksion duke filluar nga dita e shtunë (dt. 24.06.2017) deri ditën e hënë (26.06.2017). Strukturat e gatishmërisë përbëhen nga prokurorë dhe nga oficerë të Policisë Gjyqësore të Seksionit të Prokurorisë.
Në një komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit lokalë të Prokurorive, z. Llalla ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me të gjitha strukturat e tjera ligjzbatuese, si edhe orientimin e saktë dhe të shpejtë të hetimit për çdo problematikë të mundshme penale që lidhen me procesin zgjedhor.
Drejtuesit e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore kanë informuar Prokurorin e Përgjithshëm se po zhvillojnë në mënyrë dinamike veprime proceduriale mbi kallëzimet penale të përcjella pranë tyre gjatë fushatës zgjedhore.
Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme ka hartuar grafikun e saj të gatishmërisë, me qëllim koordinimin sa më të shpejtë dhe të plotë të të gjithë strukturës për menaxhimin e duhur të problematikave të mundshme. Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme po vijon të zhvillojë komunikim intensiv me Task-Forcën e krijuar nga Këshilli i Ministrave për monitorimin e situatës zgjedhore.
Aparate për të fotografuar votën
Policia thotë se janë evidentuar raste të shitblerjes së votës si edhe të shpërndarjes së disa aparatëve fotografikë posaçërisht për fotografim vote. Policia e Shtetit bëri të ditur se, disponon informacion të mjaftueshëm se elementë të caktuar kanë në përdorim dhe shpërndarë aparate me të cilat do të tentojnë të fotografojnë votën si dëshmi për votën e blerë. Policia e Shtetit thekson se do të jetë shumë e ashpër për ndëshkimin e çdo krimi elektoral dhe ka marrë të gjitha masat për t’ju përgjigjur në kohë çdo eventualiteti. Nën mbikëqyrje po mbahen elementë me tendencë blerjen e votës, në procesin e 25 qershorit.

Artikulli paraprakSkandal, Veliaj përdor për fushatë festën e Bajramit
Artikulli tjetërSovrani në timon, ora e hakmarrjes ndaj mashtrimeve