Prokuroria sekuestron dokumentat e policisë

Prokuroria e Krimeve të Rënda po përqendron hetimet tek mungesa e masave të sigurisë në Aeroportin e Rinasit, pas grabitjes në pistën e Aeroportit. Burime nga grupi i hetimit bëjnë të ditur se do të ketë hetime të plota edhe për veprimet e mosveprimet e policisë. Bëhet e ditur se gjatë ditës së djeshme, Prokuroria ka sekuestruar një sërë dokumentesh të policisë që mund të çojnë në zbardhjen e grabitjes spektakolare në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Në kuadër të hetimit për masat e sigurisë, Prokuroria ka sekuestruar të gjitha kontratat që shteti shqiptar ka me autoritetin e aeroportit dhe më tej, ky autoritet me kompaninë private, që ruan pistën e avionëve. Krahas zyrtarëve të policisë, Prokuroria pritet të përfshijë në hetime edhe përfaqësues të Autoritetit të Aviacionit Civil apo Ministrisë së Transporteve. Sipas organit të akuzës, ata edhe pse kanë konstatuar problematikë me sigurinë në aeroport, nuk kanë marrë asnjë masë për zgjidhjen e tyre.
Bëhet e ditur se, Prokuroria ka sekuestruar edhe dokumentacionin për kontratën e koncesionarit TIA që menaxhon Aeroportin e Rinasit, kontrata e nënkontraktorit të sigurisë private ICTS, rregulloret e funksionimit të brendshëm të sigurisë në aeroport si dhe roli i çdo punonjësi që ka lidhje direkte me pistën e avionëve dhe sallat e komandimit.
Po ashtu, Prokuroria ka sekuestruar tashmë të gjithë letër këmbimin e Komisariatit të Policisë së Rinasit, koncesionarit TIA dhe Autoritetit të Aviacionit Civil në lidhje me shqetësimet e ngritura prej më shumë se dy vitesh për mungesë të kamerave të sigurisë.
Një tjetër dokument, i cili është kërkuar nga hetuesit është dhe raporti i realizuar më 20 prill 2016 nga Aviacioni Civil dhe Policia e Shtetit për testet e sigurisë në Rinas, ku rezulton se në aeroport është futur tritol, armë e ftohtë dhe është hapur porta e karburanteve pa u vënë re nga askush e njëjta portë në të cilën u futën dhe grabitësit.
Gjithashtu në dispozicion të organit të akuzës janë vënë dhe kontrata e bankës private me kompaninë  “Nazeri 2000” për shoqërimin e vlerave monetare si dhe një sërë dokumenta të tjera, të cilat janë duke u verifikuar nga grupi hetimor. Por ende në duar të organit të akuzës nuk është vënë deri tani plani i masave të policisë, që kishte marrë pas akteve terroriste të ndodhura në Turqi.
Siguria në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend ka një shtrat ligjor ku përfshihen disa strategji, ligje dhe vendime qeverie që synojnë parandalimin e cenimit të sigurisë në këtë objekt te rëndësisë se veçantë. Një rol të posaçëm në sigurinë e aeroportit mësohet të këtë pasur në mënyrë të vazhdueshme edhe Shërbimi Informativ Kombëtar. Burimet konfirmojnë se kanë qenë Shërbimet Inteligjente që kanë vënë në lëvizje strukturat shtetërore përgjegjësie për sigurinë në aviacion, që rezultuan me kryerjen e testimeve të sigurisë në Aeroport.
Një ditë më parë, Prokuroria mori në pyetje edhe nëndrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardian Çipa. Për më shumë se dy orë, zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, dha deklarimet e tij mbi ngjarjen. Çipa është pyetur në lidhje me informacione që kanë të bëjnë me vjedhjen e parave dhe dyshime që ka ngritur policia deri në këtë fazë të hetimit. Po ashtu, ai është pyetur edhe për veprimet që janë kryer nga ana e policisë mesditën kur ndodhi grabitja.

PAMECA: Policia duhet të ketë akses në kamerat e Rinasit

PAMECA, Misioni i Asistencës Policore i Komunitetit Evropian në Shqipëri, është shprehur në muajin maj i shqetësuar për çështjen e sigurisë në Aeroportin e Rinasit.
Në mbledhjen e datës 13 maj të Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Aviacionit Civil Shqiptar, Teuta Krasniqi, përfaqësuese e PAMECA-s në rolin e ekspertes për menaxhimin e integruar të kufirit, e ka konsideruar të papranueshme që policia të mos ketë akses mbi kamerat e aeroportit.
Ajo është shprehur se: “Nëse ndodh diçka në Aeroportin e Tiranës askush nuk bën përgjegjës kompaninë koncesionare, por kërkojnë zgjidhje tek policia”.
Ekspertja e PAMECA-s kërkon që, nëse Rinasi do të merret nga një kompani tjetër, kontrata duhet te rishikohet për të përcaktuar qartë rolin e policisë në draftin që do të përgatitet në mënyrë që policia të ketë akses në të gjithë kamerat e Aeroportit.
Përfaqësuesja e PAMECA-s ngriti dhe një shqetësim tjetër, sipas saj, në mënyrë që elementët e sigurisë të jenë të plotë është se ndërmjet Aeroportit dhe parkimit nuk ka asnjë barriere që të përbëjë pengesa. Në këtë mbledhje, sipas TV “Klan”, shqetësim për mungesën e kamerave dhe nevojën e policisë për të patur akses ka shprehur edhe drejtori i Policisë Kufitare, Genc Merepeza.

Artikulli paraprakGazeta holandeze: Kryemafiozi Frroku kundërshton ekstradimin
Artikulli tjetërSupergrabitja, tërhiqet Prokuroria e Krujës, dosja tek Krimet e Rënda