Prokuroria sekuestron 23 mijë metër katror tokë me dokumente false

Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, Gjykata ka vendosur sekuestrimin e 23.000 m2 tokë në fshatin Boks Rrjoll, pasi dyshohet se është përfituar në bazë të dokumenteve të falsifikuar nga ana e Vatë Lari.
Organi i akuzës e nisi hetimin në bazë të kallëzimit të një personi dhe deri në këtë fazë të veprimeve, ka krijuar dyshime të arsyeshme se përfituesi i kësaj prone, Vatë Lari, duke falsifikuar dokumentet zyrtare të Komunës dhe të Komisionit të Kthimit të Tokave, është bërë në vitin 2013 pronar i sipërfaqes prej 23 hektarësh, të cilën e ka shitur menjëherë dhe më tej është larguar në drejtim të Francës.
Në bazë të hetimit të deritanishëm, rezulton se:
Zyra e Rregjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Shkodër ka regjistruar pasurinë me sipërfaqje 23 000 m2, lloji i pasurisë Arë, datë regjistrimit 18.09.2013.
Është administruar nga Zyra e Regjistrimit, praktika që i përket regjistrimit të pasurisë. Nga praktika e administruar ka rezultuar se ka aplikuar për në ZVRPP Shkodër, Vatë Lari më datë 18.09.2013. Në dosje ndodhet shkresa e Komunës Velipojë, datë 04.11.2008 pa numër prot, ku është dërguar për regjistrim AMTP në emër të Vatë Kol Marashi, sipërfaqja totale 23 000 m2. Po ashtu, në dosje gjendet edhe, ndër të tjera, vërtetimi i Komunës Velipojë, datë 18.09.2013 ku thuhet se Vatë Gjelosh Lari është i njëjti person me Vatë Kol Marashi.
Lidhur me këtë procedim është pyetur Nikoll Marku, me detyrën e Kryetarit të Komunës Velipojë dhe Marash Keqi, punonjësi i Zyrës së Bujqësisë, të cilët ndër të tjera ka deklaruar se nuk kanë nënshkruar në atë shkresë që i është përcjellë Zyrës së Regjistrimit, për të përcjellë dokumentacionin për regjistrim AMTP në emër të shtetasit Vat Kol Marashi (Vat Gjelosh Lari) .
Për këtë arsye është kryer ekspertim grafik shkrimi lidhur me nënshkrimin e tyre tek shkresa përcjellëse e Komunës Velipojë dhe nga akti i ekspertimit grafik shkrimi datë 14.11.2016 ka rezultuar se nuk janë shkruar nga shtetasit Nikoll Marku me cilësinë e Kryetarit të Komunës Velipojë dhe Marash Keqi.
Nga praktika e administruar në Zyrën e Rregjistrimit ka rezultuar se pasuria e llojit Arë, e ndodhur në fshatin Boks Rrjoll Shkodër, me sipërfaqje 23 000 m2, e regjistruar në emër të Vatë Lari, i është shitur personit me iniciale N.S, mbi bazën e kontratës së shitjes datë 05 tetor 2013.
Për këtë arsye është pyetur N.S., i cili ka deklaruar se këtë sipërfaqje toke ja ka blerë Vatë Lari, që është dhe që ndodhet prej vitesh në Francë bashkë me familjen e tij, sipas kontratës shitje pasurie të paluajtshme datë 11.10.2013.
Në këto kushte, Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshimet e arsyeshme se Vatë Lari e ka përfituar pronësinë në bazë të dokumenteve të falsifikuara. Për këtë arsye, akuza kërkoi nga Gjykata vendosjen e sekuestros preventive për këtë pronë, kërkesë e cila u pranua nga Gjykata e qytetit.

Artikulli paraprakGjendet një tjetër person i vrarë për drogën në Sazan
Artikulli tjetërProtestë para Bashkisë së Fierit, banorët: Jo impiantit të vdekjes!