Prokuroria sekuestron 1 ton drogë në një magazinë në Berat

Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e 1 ton kanabis në një magazinë në fshatin Lapat të Beratit. Bëhet e ditur se zbulimi i drogës ka ardhur pas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbulimin e autorëve dhe zyrtarëve të përfshirë në kultivimin e drogës.
Sipas burimeve nga organi i akuzës, hetimet janë zhvilluar prej disa ditësh, duke kryer edhe përgjime. Në këtë fshat prej kohësh qarkullonin shumë automjete, çka ka ngritur dyshime tek antidroga.
Po ashtu, theksohet se magazina shërbente për tharjen dhe paketimin e lëndës narkotike. Deri më tani nuk dihen të dhëna të tjera rreth kësaj ngjarje. Hetimet po vijojnë, sepse ende nuk ka ndonjë emër personi të mundshëm, të dyshuar si pronar i kësaj sasie droge.
Fshati i thellë malor ndodhet në rrethin e Skraparit. Magazina është ndërtuar nga ish-pronari i tokës, i cili vitet e fundit nuk e ka përdoruar më, ndërsa mendohet se magazina mund të jetë marrë me qira. Sasia e drogës është më e madhja e zbuluar në këtë zonë kohët e fundit.
Kjo nuk është hera e parë që zbulohen magazina të tilla. Gjatë vitit të shkuar u gjendën magazina edhe në Krujë, Tepelenë, Burrel etj. Kryesisht hetimet janë zhvilluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, mbi bazën e një raporti sekret që SHISH i ka vënë në dispozicion në fillim të vitit të shkuar.

Artikulli paraprakErdhi nga Italia, zhduket në Rinas 25-vjeçarja nga Tirana
Artikulli tjetërOBSH: Në Shqipëri vdesin çdo ditë 13.5 vetë nga ndotja e ajrit