Prokuroria: Policia dekonspiroi operacionin e 11.6 tonelatat e drogës në Përmet

Aksioni që zbuloi më shumë se 11.6 tonë lëndë narkotike në magazinat e Rezervave të Shtetit në Përmet, është dekonspiruar. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se kur janë futur forcat policore dhe hetuesit në magazinën me 11.6 ton drogë nuk është gjetur asnjë nga trafikantët. Mes të arrestuarve për ngjarjen e ndodhur më 7 prill 2017, nuk është asnjëri prej pronarëve të drogës dhe as kultivuesit e bimës narkotike.
Pavarësisht se kapja e sasisë rekord të bimës narkotike është bërë, pas kërkesës së Prokurorisë, aksioni ka pasur rrjedhje informacioni. Policia e Përmetit dhe ajo e Gjirokastrës ndonëse kanë patur dijeni për magazinën e drogës nuk kanë ndërhyrë, ndërsa në momentin kur kanë mësuar se po përgatitej aksioni i kontrollit në magazina, kanë njoftuar edhe organizatorët e këtij aktiviteti kriminal. “Magazinat në fjalë ishin një zonë e ndaluar, jo vetëm për banorët e zonës që nuk janë lejuar të afrohen së paku në tre muajt e fundit, por duket se ashtu kanë qenë edhe për policinë”, tha një burim nga hetimi i çështjes.
Ka dyshime se dekonspirimi i aksionit ka ndodhur në momentet e fundit, pa u dhënë kohë personave përgjegjës që të fshehin lëndën narkotike që kishin grumbulluar. Pas gjetjes së drogës, është marrë vendim për shkarkimin e shefit të komisariatit të Përmetit bashkë me katër vartës, ndërsa ka nisur procedim edhe për drejtorin e Policisë së Qarkut Gjirokastër, zv.drejtorin dhe shefin e sektorit të Hetimit të Trafiqeve, por asnjë zyrtar dhe efektiv policie nuk është arrestuar.
Ky mosveprim i Policisë, në të paktën katër muajt e fundit gjatë të cilëve është grumbulluar droga, dyshohet se ka ardhur si pasojë e bashkëpunimit të individëve të veçantë të Policisë me grupin që ka kultivuar e grumbulluar sasinë e drogës në ish¬-magazinat e Rezervave të Shtetit në fshatin Pagri të Përmetit.
Zyrtarët dhe efektivët e policisë nuk arrestohen, sepse ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa, ka frikë se ata tregojnë emrin e ish-ministrit Tahiri si pronar i 11.6 tonëve të drogës së magazinuar gati për t’u trafikuar jashtë shtetit.
Aktiviteti kriminal mendohet se ka qenë i mirëorganizuar, ndërsa grupi i hetimit ka marrë dëshmi se magazina e lëndës narkotike ruhej nga persona të armatosur, që nuk lejonin afrimin aty të asnjë banori të zonës. Në magazinën e kanabisit grumbullohej droga e prodhuar në krejt zonën dhe më pas, duke e ndarë në sasi më të vogla, trafikohej sipas kërkesave që grupi kriminal kishte nga blerësit e kanabisit.

Artikulli paraprak“Lumë” droge në Korçë me mbështetje qeveritare
Artikulli tjetërRama përgatit lirimin e ish-deputetit Frroku