Prokuroria në Kosovë thotë se nuk ka prova për ministrin Rikalo

Prokuroria e posaçme e Kosovës tha se, hetimet e deritashme nuk kanë siguruar prova lidhur me pohimet për përfshirjen e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, në krime lufte.
Në në njoftim të Prokurorisë thuhet se, pas raportimeve lidhur me pohimet e disa qytetarëve nga lagjja “Dardania” në Prishtinë, për keqtrajtimet nga ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo gjatë luftës në Kosovë, ajo ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave të nevojshme.
“Në bazë të rezultatit të hetimit preliminar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme për ekzistimin e veprës penale për krime lufte. Në rast paraqitjes eventuale të provave të reja Prokuroria mund të hapë një hetim të ri”, thuhet në një komunkatë të Prokurorisë.
Pak ditë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës në muajin shtator, disa qytetarë të një lagjeje të Prishtinës, u thanë mediave se Nenad Rikalo, ka keqtrajtuar e torturuar qytetarët shqiptarë dhe gjatë luftës ishte pjesë e forcave të armatosura serbe.
Çështja nxiti debate edhe në Parlamentin e Kosovës, ku opozita kërkoi shkarkimin e tij.
Vet ministri Rikalo kishte mohuar çdo përfshirje në krime lufte. Derisa mori postin e ministrit në qeverinë e Kosovës, ai kishte shërbyer për rreth katër vjet si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai është pjesë e subjektit politik Lista Serbe, e cila ka 9 deputetë në Parlamentin e Kosovës dhe drejton tri ministri në qeverinë e saj.
Lista Serbe u themelua në vitin 2013 dhe është subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Një nga themeluesit e kësaj liste, Aleksandër Jabllanoviç, qe shkarkuar nga posti i ministrit për kthim dhe komunitete në qeverinë e Kosovës në vitin 2015 për shkak të reagimeve që nxiti me një deklaratë me të cilën mohonte krimet e luftës në Kosovë.

Artikulli paraprakSenatorët kritikojnë rrjetet, Facebook, Twitter dhe Google
Artikulli tjetërParandalohet “një atentat i rëndë terrorist” në Gjermani