Prokuroria: Ndërtimi tek parku vepër penale

Prokuroria e Tiranës nis hetimet për ligjshmërinë e ndërtimit të parkut të fëmijëve te Liqeni Artificial, për akuzën e “ndërtimit të paligjshëm” dhe “shpërdorim të detyrës”. Zyra e shtypit pranë kryeprokruorit Adriatik Llalla konfirmoi këtë fakt për ABC News. Burimet thonë se, regjistrimi i procedimit penal është bërë, pasi nga verifikimi parparak janë konstatuar se ka elementë të veprës penale, çka ka bërë që hetuesit të nisin hetimet.
Kallëzimin në Prokurori për ndërtimin e parkut e kanë bërë përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe ato të Partisë Demokratike. Në padinë e bërë në organin e akuzës kërkohej marrja para përgjegjësisë penale të Bashkisë Tiranë, pasi në datën 13.02.2016 ka shkatërruar pronën publike nëpërmjet prerjes së pemëve në një zonë që ka një status mbrojtjeje siç është Parku i Liqenit Artificial në hyrjen perëndimore pranë digës. Investitori Bolles+Willson është personi i kontraktuar nga Bashkia Tiranë me projektin pilot që mban datën  25.09.2015. Kjo zonë mbasi është rrethuar me një rrjetë, më pas i janë prerë disa pemë që i shërbejnë Parkut të Liqenit Artificial Tiranë që bie në kundërshtim me shkresën e Fondit të Zhvillimit, i cili përcakton se projekti nuk duhet të presë asnjë pemë.
Në padinë e Shoqërisë Civile thuhej se, kemi të bëjmë me një projekt që prish dhe zhbalancon ekosistemin e zonës nëpërmjet prerjes së pemëve dhe punimeve në tokë, pasi do të këtë masa të mëdha betoni. Ky projekt nuk mund të bëhet pa u bërë masterplani i Parkut të Liqenit Artificial dhe Plani i Përgjithshëm i Tiranës, pasi është i vetmi Park në një qytet prej 1 milion banorësh dhe i një rëndësie të veçantë. “Kemi të bëjmë me shkatërrim të pronës publike Neni 150, nëpërmjet prerjes së pemëve dhe drurëve dekorativë përaktësisht Neni 205 dhe 206 i Kodit Penal, si dhe shpërdorim të detyrës Neni 248 KP, jo vetëm nga Bashkia Tiranë, por edhe palët e nënkontraktuara nga ajo në mënyrë aktive me dashje të drejtpërdrejtë”, thuhej në padinë ndaj Bashkisë së Tiranës.
E gjithë shpërfaqja, e cila do të betonizohet tek Parku i Liqenit është 4 hektarë ose 40 mijë metra katrorë. Zona e përzgjedhur për këtë betonizim parashikon lokal dhe restorant, ndërsa është zgjedhur zemra e parkut, ku përfshihet zona nga poshtë kishës në këtë park vazhdon deri tek diga dhe shtrihet poshtë deri pranë liqenit. Nga ky projekt betoni, parashikohet prerja e më shumë se 300 pemëve, ndërsa sipërfaqja e gjelbërt do ja lërë vendin betonit.
Shoqëria Civile denoncoi para pak ditwsh përmes fotosh betonizimin e Parkut të Liqenit Artificial. Bashkia ka ngritur një zonë të rrethuar me mur betoni, e ngjashme me gropën e ndonjë pallati në ndërtim. Betonieret e Bashkisë kanë hedhur beton për ndërtimin e një muri më shumë se 3 metër të lartë dhe me gjatësi prej disa metrash. Nuk dihet me saktësi se sa metër kub hekur e beton janë hedhur në këtë zonë, por fakti është se Parku i Liqenit është betonizuar, ashtu siç ishte paralajmëruar nga opozita dhe Shoqëria Civile.

Artikulli paraprakVritet vëllai i të ekzekutuarit që ruhej me policë në Elbasan
Artikulli tjetërKorrupsion me fondet e rrugës “Pavarësia”, PD padit kryebashkiakun Dako