Prokuroria: Eurot në makinën e Sotës janë të Tahirit, nga aktiviteti kriminal

Prokurorët e Krimeve të Rënda, Gent Osmali dhe Elisabeta Ymeraj deklaruan në seancën gjyqësore ndaj Orest Sotës se paratë e gjetura në makinën e tij, 863 mijë euro janë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Prokurorët deklaruan se, ka dyshime se, ish-ministri Saimir Tahiri i ka përfituar ato përmes aktivitetit kriminal.
Prokurorët u shprehën për ekzistencën e një dyshimi të arsyeshëm që Sota të ketë konsumuar veprën penale të “pastrimit të parave” dhe të “fshehjes së të ardhurave”. Sipas tyre, shuma prej 863 mijë euro i përket ish-ministrit Saimir Tahiri, produkt i aktiviteteve të paligjshëm ku dyshohet të jetë përfshirë.
Përfaqësuesit e akuzës paraqitën një sërë përgjimesh ambientale dhe telefonike të Sotës, personit tjetër që ndodhej me të kur u ndalua nga policia, Leonard Almeta, shoferit të Tahirit, Genti Ceka, si edhe babait të 25-vjeçarit. Duke iu referuar një akt-ekspertimit të shumës së sekuestruar, prokurorët thanë se 5 kartmonedha prej 50 euro rezultuan të falsifikuara.
Avokatët mbrojtës të Sotës këmbëngulën se shuma e parave ishte një garanci për blerjen e një sasie hekuri në kompaninë “Kurum”. Sipas tyre, paratë ishin të babait të 25-vjeçarit, të siguruara nga biznesi ndër vite si edhe shitja e aksioneve të tij në një bankë të nivelit të dytë në vitin 2007 në shumën 1.2 milionë eurove. Por pretendimi i Sotës se sasia e madhe e parave ishte për të blerë hekur tek “Kurum” u hodh poshtë pak ditë më parë edhe nga menaxherja e kësaj kompanie, e cila deklaroi në Prokurori se “Kurum” kryen transaksione me shifra deri në 150 mijë euro. Shuma e parave që kishte Sota në makinë ishte disa herë më e madhe.
Sekuestrimi i regjistrave të shitblerjes ishte veprimi i parë që kreu Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kuadër të verifikimit të pasurisë së Orest Sotës dhe familjes së tij. Njësia e Inteligjencës Financiare po gjurmon origjinën e 863 mijë eurove që iu kapën të riut, sëbashku me tre patentat e Saimir Tahirit dhe bashkëshortes së tij.
Orest Sota u arrestua nga Policia e Elbasanit më datën 1 nëntor dhe pas ndalimit iu gjetën 863 mijë euro dhe dy patenta për mjete lundruese në emër të ish-ministrit Saimir Tahiri. Policia mbajti të fshehtë lajmin dhe u detyrua ta publikojë pas denoncimit të kryetarit të PD, Basha. Në njoftimin e saj, Policia fillimisht nuk e deklaroi shumën e eurove të bllokuara dhe gjetjen e dy patentave të drejtimit të mjeteve lundruese në emër të Tahirit në makinën e Sotës. Policia deklaroi se; “Më datë 01.11.2017 është arrestuar nga Policia e Elbasanit shtetasi O.S., sepse nuk i ka ndaluar postbllokut të policisë. Gjatë kontrollit në makinë u gjetën një shumë eurosh”.

Orest Sota lihet në burg

Gjykata e Krimeve të Rënda la në burg biznesmenin Orest Sota, të cilit iu gjetën në makinë 863 mijë euro dhe dy patenta për mjete lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, të cilat siç deklaruan dje prokurorët i përkasin ish-ministrit.
Në seancën e zhvilluar ditën e djeshme, Orest Sota ka kërkuar lehtësimin e masës së sigurisë, ndërsa më herët edhe Prokuroria ka kërkuar masën ‘arrest me burg’. Dyshja e prokurorëve Gent Osmali dhe Elisabeta Ymeraj kanë deklaruar se paratë e gjetura në makinën e tij, 863 mijë euro janë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në seancë janë paraqitur edhe disa përgjime ambientale të të akuzuarit me shoferin e tij Leonard Almeta, të cilin Sota e pyet se si ka mundësi që dy patentat e ish-ministrit ndodhen në makinën e tij. Shoferi i përgjigjet Sotës se patentat i ka lënë aty shoferi i ish-ministrit, Gentian Caka.
Nga përgjimet dalin emrat e tre personave që kanë udhëtuar me makinën ku iu gjetën 863 mijë eurot Orest Sotës. Në makinë ka qenë prezent shoferi Almeta si dhe Genti Caka, poseduesi i patentave që i harroi në makinë. Në bisedën e përgjuar Caka i thotë Almetës se ishte gabimi im që i harrova patentat në makinë.

R.POLISI

Artikulli paraprakSi mashtroi Tahiri për vizitën në Gjermani
Artikulli tjetërKush e ka rradhën?