Projekti i Skavicës kundërshtohet në Kushtetuese edhe për dëmet mjedisore

Një raport mbi dëmet mjedisore që parashikohet të shkaktohen nga ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës u dorëzua në Gjykatën Kushtetuese si pjesë e shqyrtimit të padisë së bërë nga tre organizata.

Nga Nensi Bogdani

Shoqata mjedisore “Kundërshtimi ndaj digës së Skavicës” ka paraqitur pranë Gjykatës Kushtetuese raportin e titulluar “Skavica – Argumenta dhe evidencë, trajtimi energjetik”, përmes së cilit pretendohet se ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës do të sjellë një dëm mjedisor që mund të zgjasë në 100 vitet e ardhshme.

Raporti është hartuar nga ekspertë si pjesë e shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese të padisë për shfuqizimin si antikushtetues të ligjit dhe vendimit të Këshillit të Ministrave që i hap rrugën ndërtimit të hidrocentralit.

“Shoqata jonë ka dërguar në Kushtetutese ligjin 38/2021 si një ligj antikushtetues, ku seanca e parë u zhvillua më 12 dhjetor 2023 dhe seancën e dytë e kemi më datë 10 Janar 2024,” tha Ferzileta Gjika, kryetare e shoqatës në mbrojtje të mjedisit.

Sipas ekspertëve të mjedisit, fillimisht ndërtimit i hidrocentralit të Skavicës ishte parashikuar nëpërmjet Western Balkan Investment Frameëork, një projekt i cili nuk e përmbyste sipërfaqen e tokës dhe ishte në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar dhe atë shqiptar.

“Nga aspekti ligjor, shteti shqiptar nuk ka pasur asnjë arsye për të anuluar këtë projekt, i cili bazohet në praktikat më të mira Europiane, për ta zëvendësuar me një projekt tjetër, i cili, jo vetëm përmbyt sipërfaqe më të madhe, por dhe nuk i nënshtrohet marrëveshjejeve ndërkombëtare të cilat ka nënshkruar vendi ynë, duke shmangur thelbësisht konkurencën dhe transparencën”, thuhet në raport.

Raporti gjithashtu e konsideron digën e Skavicës si një element që thjesht do shtonte varësinë e Shqipërisë përkundrejt kushteve klimatike e si pasojë edhe ndaj prurjeve hidrike.

“Energjia e parashikuar për t’u prodhuar nga hidrocentrali i Skavicës, lehtësisht mund të prodhohet nga burime alternative,” thuhet në raport.

Sipas raportit, zona që parashikohet të përmbytet do të kthehet në një zonë, jo vetëm të pashfrytëzueshme nga aspekti energjetik, por e parikuperueshme dhe nga aspekti mjedisor.

Në qershor të vitit 2021, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) dhe kompania amerikane Bechtel nënshkruan një marrëveshje për fillimin e punimeve të hidrocentralit të Skavicës mbi lumin Drin me qasje të përshpejtuar.

Projekti është kundërshtuar përmes protestave nga banorët e zonës si dhe nga organizatat mjedisore.

Artikulli paraprakSa libra kanë blerë shqiptarët vitin e fundit
Artikulli tjetërÇmimet në Shqipëri nuk kanë të ndalur – Sipas vrojtimit të BSH, bizneset në të gjithë sektorët parashikojnë rritje