Profecia e gabuar e “komunitetit global”

Niall Ferguson

Është fakt se bota sot është më e ndërlidhur se kurrë më parë në histori. Një herë e një kohë mendohej se ekzistonin gjashtë shkallë ndarjeje ndërmjet një individi dhe çdo personi tjetër në planet. Për përdoruesit e Facebook-ut sot, shkalla mesatare e ndarjes është 3,57. Por ndoshta kjo nuk është detyrimisht diçka e mirë. Evan Williams, një nga bashkëthemeluesit e Twitter-it, ka thënë për “New York Times” në maj të vitit 2017: “Dikur mendoja se kur çdo njeri të mund të fliste lirisht dhe të shkëmbente ide e informacion, bota do të ishte automatikisht një vend më i mirë. Ndoshta gabohesha”.
Teksa fliste përpara universitetit të Harvardit në të njëjtin muaj, kreu i Facebook, Mark Zuckerberg, kujtoni ambiciet e tij të dikurshme kur ende nuk ishte diplomuar për “të lidhur të gjithë botën”. “Ideja ishte e qartë për ne”, kujtoi ai, “të gjithë njerëzit duan të jenë të lidhur. Nuk shpresoja kurrë të ndërtoja një kompani gjigante, por të krijoja impakt në botë”. Zuckerberg pa dyshim ia ka arritur ta bëjë, por me siguri nuk është impakti që ai ka ëndërruar nga dhoma e tij e konviktit.
Në fjalimin e tij, Zuckerberg identifikoi një sërë sfidash me të cilat përballet brezi i tij, ndër të tjera: “dhjetëra miliona vende pune të zëvendësuara nga automatizimi, pabarazia, pasi ka diçka që nuk shkon kur unë mund të jetoj në këtë vend dhe të fitoj miliarda dollarë brenda dhjetë vitesh në një kohë kur miliona studentë të tjerë nuk paguajnë dot kredinë e studimit, si dhe forcat e autoritarizmit, izolacionizmit dhe nacionalizmit që kundërshtojnë rrjedhën e njohurisë, tregtisë dhe emigracionit”. Ajo që nuk përmendi ishte kontributi domethënës që kompania e tij dhe kolegët e tjerë në Silicon Valley kanë bërë për t’i agravuar këto tre probleme.
Nuk ka asnjë biznes në botë që punon më shumë për të eliminuar vendet elemetare të punës si drejtimi i një kamioni, se sa gjigantët e teknologjisë në Kaliforni. Asnjë individ tjetër nuk mund të personifikojë më mirë 0,01 përqindëshin e popullsisë më të pasur se sa mjeshtrat e Silicon Valley dhe asnjë kompani tjetër në botë nuk ka ndihmuar, edhe pse jo qëllimisht, për të përhapur frymën populiste.
Zuckerberg nuk është në asnjë mënyrë i vetmi besimtar i devotshëm i botës së ndërlidhur, apo i “komunitetit global” siç e quan ai. “Teknologjia aktuale e ndërlidhjes është në favor të qytetarëve”, shkruanin Eric Schmidt dhe Jared Cohen në vitin 2013. “Kurrë më parë në histori nuk kanë qenë kaq të lidhur përmes një rrjeti me përgjigje të menjëhershme në kohë reale”. Kjo, thonin ata, do të sillte pasoja transformuese për politikën globale. Faza e parë e Pranverës Arabe duket se po vërtetonte më së miri parashikimin e tyre, por zhytja e mëpasshme e Sirisë dhe Libisë në luftë civile vërtetoi të kundërtën.
Njëlloj si vizionet utopike të John Lennonmit në këngën e tij “Imagine”, edhe vizionet e botës së ndërlidhur janë tërheqëse. Gjatë fjalimit të tij në Harvard, për shembull, Zuckerberg theksoi se, “harku i madh i historisë njerëzore përkulet përpara afrimit të numrit gjithnjë e më të madh të njerëzve me njëri-tjetrin, që nga tributë e deri tek shtetet – për të arritur sëbashku, gjëra që nuk mund t’i arrinin dot vetëm”. Megjithatë, ky vizion i një komuniteti të përbashkët global si qypi me flori në fund të harkut të historisë, bie në kundërshtim me mënyrën se si funksionojnë rrjetet sociale.
Rrjetet e ndërlidhjes kanë qenë gjithmonë të kudogjendur në botën natyrore dhe në jetën sociale të njerëzve. I vetmi ndryshim është që rrjetet sociale të sotme janë shumë herë më të mëdha dhe të shpejta, duke lidhur miliarda njerëz brenda pak sekondash. Shumë kohë përpara themelimit të Facebook-ut kishin kryer studime të shumta për mënyrën se si operonin disa rrjete sociale më të vogla dhe më të ngadalta. Zbulimet e tyre nuk lënë shumë vend për optimizëm për mënyrën se si mund të funksionojë një botë tërësisht e ndërlidhur në rrjet.

Atëherë dhe tani
Impakti global i internetit në ditët e sotme, mund të themi si ka një analogji të ngjashme me impaktin që pati printi në shekullin 16 në Europë. Kompjuteri personal, laptop dhe telefonët smartë kanë fuqizuar individin po aq sa pamfletat dhe librat në kohën e Luterit. Megjithatë, trajektoret për prodhimin dhe çmimi i librave në Shtetet e Bashkuara ndërmjet viteve 1977 dhe 2004 duket tepër të ngjashme me trajektoren e prodhimit dhe çmimit të librave në Anglinë e viteve 1490 dhe 1630.
Por ka disa ndryshime të mëdha ndërmjet botës së sotme të ndërlidhur dhe epokës që ndoqi zhvilimin e madh të printit në Europë. Ndryshimi i parë dhe më i dukshëm është që revolucioni i rrjeteve të ditëve të sotme është më i shpejtë dhe gjeografikisht më i zgjeruar se vala e revolucioneve që shpërthyen pas shtypit të printuar gjerman.
Së dyti, pasojat distribucionale të revolucionit aktual janë të ndryshme. Europa e hershme moderne nuk ishte vendi ideal për të imponuar të drejtat intelektuale, të cilat në ato kohë ekzistonin vetëm kur teknologjitë mund të monopolizoheshin në mënyrë të fshehtë. Shtypi i printuar nuk krijoi asnjëherë miliarderë: Johannes Gutenberg nuk ishte aspak si Bill Gates, madje deri në vitin 1456 Gutenbarg kishte falimentuar plotësisht.
Më tej, vetëm një grup i vogël mediash të shkruara – gazetat dhe revistat – synonin të fitonin para nga puna e tyre, ndërkohë që platformat e rrjeteve sociale sot kanë të gjitha qëllim përfitimin që interneti mund ta lehtësojë shumë. Pikërisht nga interneti burojnë edhe miliardat e dollarëve. Në ditët e sotme, ndryshe nga e shkuara, ekzistojnë dy lloj njerëzish në botë: ata që posedojnë e drejtojnë rrjetet sociale dhe ata që i përdorin çdo ditë.
Së treti, shtypi i printuar kishte efektin që të trazonte ndjeshëm jetën fetare në kristianizmin perëndimor përpara se të trazonte çdo gjë tjetër. Në të kundërt, interneti filloi menjëherë të trazonte tregtitë, shumë kohë më pas filloi të trazonte politikën dhe deri më sot ka trazuar vetëm një besim fetar, Islamin, duke fuqizuar versionin më ekstrem të fundamentalizmit sunni.
Megjithatë, ekzistojnë edhe shumë ngjashmëri të dukshme ndërmjet kohës tonë dhe periudhës revolucionare që pasoi zhvillimin e menjëhershëm të printit. Si fillim, ashtu siç bëri media e shkruar, teknologjia moderne e informacionit është duke transformuar jo vetëm tregu – për shembull, duke lehtësuar qiradhëniet afatshkurtër të apartamenteve – por edhe sferën publike. Nuk ka pasur kurrë ndonjë kohë tjetër në histori, kur njerëzit kanë qenë kaq shumë të lidhur me njëri-tjetrin në një rrjet kaq gjigant dhe të shpejtë, ku një postim mund të përhapet më shpejt se si një sëmundje epidemike.
Megjithatë, nocioni i komunitetit të madh global dhe të një bote të integruar plotësisht online, do të krijonte një botë utopike të “qytetarëve të internetit”, ku të gjithë do të ishin tërësisht të barabartë në hapësirën kibernetike. Natyrisht kjo është një fantazi, njëlloj si vizioni delirant i Luterit që fliste për “priftërinjtë e të gjitha besimeve fetare”. Realiteti i një rrjeti global është kthyer në një mekanizëm shpërndarjeje për të gjithë llojet e manive dhe panikut, njëlloj si kombinimi i dikurshëm i printit dhe literaturës shkaktoi përkohësisht shpërthimin e sekteve të kreshterë dhe gjuetisë së shtrigave.
Ligësitë çnjerëzore të Shtetit Islamik, ose ISIS-it, duken më pak ideosinkretike nëse i krahasojmë me disa qeveri ose sekte të shekujve 16 dhe 17. Ndotja e informacionit të shpërndarë në internet për publikun e gjërë me fake news, mund të duket më pak e agravuar nëse e krahasojmë me kohën kur media e shkruar shpërndante libra rreth magjisë po aq sa libra shkencorë.
Më tej, njëlloj si në periudhën gjatë dhe pas Reformimit, epoka aktuale është duke përjetuar gërryerjen e sovranitetit territorial. Gjatë shekujve 16 dhe 17, Europa u gjend në mes të një sërë luftërash fetare për shkak se principi i formuluiar nga Paqja e Augsburgut të vitit 1555 – cuius regio, eius religio (për çdo sferë nevojitet një udhëheqës fetar). Në shekullin 21 ekziston fenomeni i ngjashëm i ndërhyrjes së forcave të ndryshme në çështjet e brendshme të një shteti, kryesisht përmes rrjeteve sociale. Për shembull, hakerat rusë përbëjnë vazhdimisht kërcënim për demokracinë, ashtu sikurse priftërinjtë jezuitë përbënin rrezik për Reformimin anglez.
Pavarësisht të gjitha rreziqeve dh kërcënimeve, për dijetaren Anne-Marie Slaughter “bota e ndërlidhur kibernetike” është relativisht një vend i parrezikshëm dhe beninj. Shtetet e Bashkuara do të gjejnë gradualisht balancën ideale ndërmjet pushtetit të rrjeteve sociale”, shkroi ajo më pas, në rast se liderët do të mësojnë të operojnë jo vetëm në “fushën tradicionale të shahut” të diplomacisë ndërshtetërore, por edhe në rrjetin e ri, duke shfrytëzuar në maksimum të gjitha avantazhet e këtij të fundit si transparenca, përshtatshmëria dhe shkallëzueshmëria.
Të tjerë janë më dyshues. Tek “Sensi i shtatëmbëdhjetë”, Joshua Cooper Ramo argumenton lidhur me ngritjen e “gardheve” reale dhe virtuale për të mbajtur lart kriminelët virtualë, vandalët adoleshentë të internetit dhe keqbërësit e tjerë. Megjithatë, Ramo thekson edhe tre rregullat kryesore të sigurisë kompjuterike të kriptografit të Agjensisë së Sigurisë Kombëtare, Robert Morris: Rregulli 1: Mos bli një kompjuter; Rregulli 2: Mos e ndiz; Rregulli 3: Mos e përdor”. Nëse të gjithë vazhdojnë të injorojnë këto rregulla bazike, të cilat në epokën tonë janë tërësisht të pamundura të zbatohen, edhe liderët politikë që ndoshta përdorin rrjete më të sigurta të lundrimit e kanë vështirë të mbrohen. Në të tilla raste, edhe “gardhet” më të sofistikuara bëhen tërësisht të padobishëm.
Ata që duan të kuptojnë implikimet gjeopolitike dhe politke të ndërlidhjes globale të kohëve tona, duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje teorive të kohëve të fundit të publikuara në lidhjet me sigurinë brenda komunitetit global. Rrjetet nuk janë aq të sigurt sa reklamohen. Utopianët e teknologjisë që shpalosin ëndrrat e një komuniteti global gjithëpërfshirës kanë arsye të forta për të reklamuar këtë ëndërr tek përdoruesit, të dhënat e të cilëve shfrytëzohen për arsye nga më të ndryshmet. Oligopoli i Silicon Valley ka përfituar shumë nga ndërlidhja e botës së sotme. Pjesa tjetër e jona – përdoruesit e thjeshtë e rrjeteve të tyre – duhet t’i shohin vizionet e tyre utopike me skepticizmin që meritojnë.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakPërse ekziston lufta valutore
Artikulli tjetërA mund të qëndrojë Spanja e bashkuar?