Procesi gjyqësor i pafund dhe i turpshëm për logon e PD-së

Nga Ervis Iljazaj

Më në fund Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin për procesin gjyqësor të logos të Partisë Demokratike, i cili i hap rrugë tashmë gjykimit në Apel. Shpresa është që Gjykata e Apelit të dalë me një vendim sa më shpejt të jetë e mundur për ti dhënë fund një procesi të pafund dhe komik që ka shoqëruar këtë proces. Gjykatat shqiptare e kanë trajtuar çëshjten e Partisë Demokratike sikur të ishte një çështje për një gardh në një fshat të humbur të Shqipërisë dhe jo si një gjyq që ka të bëjë me Partinë më të madhe opozitare të saj. Në këtë kuptim, vonesat absurde që ka marrë kjo çështje nuk kanë dëmtuar vetëm opozitën por demokracinë shqiptare në tërësi.

Në zgjedhjet lokale të 14 majit gjykata dha një vendim shumë afër garës politike, dhe me shumë mundësi vendimi përfundimatar nga apeli ka të njëjtin rrezik. Duke parë kohët që ka marrë kjo çështje, ka shumë gjasa që vendimi për PD-në të jetë pranë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Për të evituar të njëjtin skenar, gjykata duhet ta vendosë si prioritet të saj çështjen e Partisë Demokratike.

Shtyrja e këtij procesi ligjor nuk mund të vazhdojë pafund, për arsye se kemi të bëjmë me partinë më të madhe opozitare dhe një parti me histori të rëndësishme për Shqipërinë. Është absurde të mendosh që gjykatat shqiptare e trajtojnë këtë çështje si çdo çështje tjetër të “zakonshme”. Përkatësia e logos, e një prej dy partive më të rëndësishme të politikës shqiptare, duhet të jetë prioritare për çdo gjykatë, për hir të garantimit të garës politike dhe lirive politike që janë thelbësore për një demokraci.

Në të kundërtën opozita futet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ashtu sikurse ndodhi edhe në ato lokale, me një disavantazh të madh politik në raport me pozitën, gjë e cila deformon totalisht garën politike. Është e paqartë dhe e vështirë të gjesh justifikime për shtyrjen e një procesi gjyqësor për një çështje të tillë, që përbën një interes publik kaq të rëndësishëm.

Në këtë pikë ku ka arritur kjo çështje, mund të thuhet që është kthyer në një komedi të cilës gjykata duhet t’i japë fund, duke qenë se palët brenda të djathtës që e pretendojnë atë nuk arritën dot, për pothuajse dy vite t’i japin një zgjidhje politike.

Nuk ka rëndësi se çfarë vendimi jep gjykata, rëndësi ka që të dalë me një të tillë sa më parë për të krijuar kushtet e nevojshme politike dhe shoqërore për zgjedhje të ndershme dhe të barabarta.

Është e qartë se fraktura politike që u krijua me përjashtimin e Sali Berishës nga Lulzim Basha është një ndarje që nuk mund të ngjitet më. Tashmë brenda votuesve të djathtë ekzistojnë dy palë. Një berishiste dhe një jo-berishiste, pa hyrë në debatin se kush ka mazhorancën, pasi për drejtësinë shpesh herë kanë rëndësi e drejta dhe jo shumica. Gjykatat nuk numërojnë njerëz, ato vendosin për zbatimin e ligjeve dhe procedurave.

Megjithë përpjekjet për bashkimin e demokratëve, përpjekje, e cila duket se është e pasinqertë dhe e pamundur, tashmë mund të thuhet që ekzistojnë jo vetëm një e djathtë, por disa të tilla. Ndoshta është më mirë kështu. Nuk ka asnjë gjë të çuditshme që një spektër politik të përfaqësohet nga disa rryma të ndryshme, qoftë edhe parti të ndryshme. Beteja dhe mania për të pasur logon e një partie është një betejë e cila nuk sjellë as vota më shumë, as vota më pak.

Sigurisht logoja ka rëndësinë e saj, por nuk të bën as fitues e as të fuqishëm politikisht. Ka mjaft forca politike jashtë Shqipërisë që e kanë ndryshuar emrin e partisë, logon apo edhe vizionin shpesh herë dhe kanë ditur të mbledhin konsensus popullor.

Gjithsecili, nga dy pjesët e Partisë Demokratike, ka të drejtën themelore për të ditur se me çfarë logoje zyrtare do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Kjo gjë duhet të ndodh sa më shpejt për të krijuar qartësi politike në një garë demokratike. Këtë të drejtë duhet ta garantojnë gjykatat shqiptare.

Gjyqi për çështjen e logos së Partisë Demokratike, nëse shtyhet pa kuptim më tej, padyshim që mund të krijojë tensione politike dhe shkon në favor vetëm të shumicës në pushtet në mënyrë pothuajse arbitrare dhe nuk i shërben një klime të qetë politike. Nuk mund të mbahet peng përkatësia e logos së Partisë më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar. Ajo përfaqëson sensibilitete, histori dhe grupe shoqërore të cilat kanë nevojë për një shpjegim dhe vendim sa më shpejt dhe sa më të drejtë. Çdo vonesë, është padyshim një turp i drejtësisë shqiptare./ Liberale.al

Artikulli paraprakDASH thirrje Kosovës: Diskutimet për dinarin duhet të vazhdojnë me urgjencë
Artikulli tjetërPreç Zogaj: Dy fuqi të mëdha politike nuk e duan suksesin e SPAK