Problemi i Junajtid është Ibra

U largua nga stafi i Zhoze Murinjos si një i padëshiruar dhe pas shumë kohësh, rikthehet të flasë për Mançester Junajtidin. Në fakt, ai nuk ka dashur të ndalet shumë te tema e largimit, por të komentojë ecurinë e “Djajve”. Bëhet fjalë për legjendën Rajan Gigs, i cili thotë se ekipi i drejtuar nga Murinjo e ka shumë të vështirë t’i fitojë ndeshjet, për faktin se është i varur nga Ibrahimoviç.
Sipas Gigsit, Junajtid triumfon në një ditë kur Ibra është mirë, ndërsa kur është në vështirësi lojtari, edhe ekipi nuk funksionon. “Problemi më i madh për Mançesterin nuk është fakti nëse Ibrahimoviç qëndron apo largohet. Për mendimin tim, problem është fakti që skuadra nuk shënon gola me futbollistë të tjerë dhe është e varur nga ecuria e suedezit.
Është e çuditshme që të gjithë fokusohen te kjo temë, nëse ai rinovon kontratën apo jo. Te Junajtid duhet të shqetësohen pse fatet e skuadrës i ka vetëm ai në dorë dhe disa lojtarë të tjerë. Te Mançesteri kanë shënuar Mata 6 gola dhe Pogba 4. Pjesa tjetër e skuadrës nuk është prezente në këtë aspekt. Në ditët e sotme, mesfushorët janë të rëndësishëm për ecurinë e një ndeshjeje. Mjafton të shihni atë që ndodhi vitin e kaluar. Vardi shënoi shumë gola, por edhe Mahrez e ndihmoi shumë Leiçesterin”, tha Gigs.
Përveç mungesës së cilësisë dhe nuhatjes për gol që kanë mesfushorët e Junajtid, Gigs thotë se problemi qëndron te fakti që edhe trajneri nuk u ka vënë objektiva të rëndësishëm lojtarëve.
“Unë në çdo sezon duhet të shënoja të paktën 10 gola dhe të jepja 15 asiste. Në këtë mënyrë do të jepja kontribut për 25 gola të skuadrës. Ky ishte synimi im në momentin kur niste kampionati. Diçka të tillë na e kërkonte vetë trajneri Ferguson, i cili na vinte nën presion dhe na detyronte në njëfarë mënyre që të shënonim”, tha Gigs.
43-vjeçari ishte i përzgjedhuri i UEFA-s në muzeun e trofeve në Egjipt dhe foli për raportin me Murinjon. “Nuk kam marrë ende asnjë ftesë nga ai për të parë një ndeshje apo për të vizituar ekipin në stërvitje. Ndoshta do të vijë më vonë”, tha Gigs duke qeshur.

Artikulli paraprakDe Shiljo: Synojmë Ligën e Europës
Artikulli tjetërGabon Reali, ndalet nga Atletico