Pritshmëri të mëdha nga udhëtimi sekret i Pompeos në Korenë e Veriut

Udhëtimi sekret drejt Koresë së Veriut i Drejtorit të CIA-s Mike Pompeo, e vendos atë në qendër të vëmendjes, si një person i besuar dhe i afërt i Presidentit Donald Trump. Duket se atij i është besuar edhe përgatitja e një takimi mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un. Korrespondentja e Zërit të Amerikës për çështjet diplomatike, i hedh një vështrim profilit të kreut të agjencisë amerikane të zbulimit, i cili pritet të bëhet edhe kreu i ardhshëm i diplomacisë amerikane.
Presidenti Donald Trump e bëri të qartë se dëshiron vërtet që Senati ta konfirmojë Mike Pompeon në postin e Sekretarit të Shtetit.
“Mendoj se Mike Pompeo do të jetë një ndër sekretarët më të shkëlqyer të shtetit. Sapo është kthyer nga Koreja e Veriut”, tha Presidenti Trump.
Senatorë nga të dyja partitë thanë se nuk ishin informuar paraprakisht për udhëtimin historik dhe sekret drejt Koresë së Veriut, apo për takimin e tij me Kim Jong Unin. Por, shumica shprehen të kënaqur.
“Kjo tregon për rëndësinë e emërimit të Pompeos si Sekretar Shteti. Disa duan të luajnë politikisht me emërimin e tij, por mund ta shihni se ai është shumë i përfshirë në bisedimet e nivelit më të lartë ndonjëherë me diktatorin që kërcënon Shtetet e Bashkuara me armë bërthamore”, tha Senatori republikan Cory Gardner.
“Më ngrohu lajmi kur e dëgjova. Nuk mendoj se mund të pritet shumë, por dialogu është diçka pozitive”, tha Senatori demokrat Tim Kaine.
“Mendoj se shumica e senatorëve gëzohen që kemi profesionistë në takimet me Korenë e Veriut dhe në përgatitjet për samitin”, tha Senatori republikan Bob Corker.
Ekspertët thonë se lidhjet e afërta të zotit Pompeo me Presidentin Trump e bëjnë më të efektshëm rolin e tij.
“Me sa shohim, atij i beson Presidenti, në dallim nga Sekretari i mëparshëm i Shtetit Rex Tillerson. Rrjedhimisht, kjo tregon se amerikanët janë seriozë në këtë proces dhe po kështu edhe koreanoveriorët”, thotë Malcolm Chalmers, i Institutit të Bashkuar Mbretëror.
Megjithë seancat dëgjimore jo të lehta drejt konfirmimit, emërimi i zotit Pompeo pritet të miratohet nga Senati të hënën e ardhshme, ndërsa ai duket se po luan që tani një rol kryesor në zhvillimet e rëndësishme të diplomacisë amerikane.

Artikulli paraprakTelefoni i zgjuar që ndihmon personat me probleme mendore
Artikulli tjetërKosovë, qeveria miraton platformën për mbylljen e bisedimeve me Serbinë