Prishtinë, seanca e Kuvendit mbahet më 24 gusht

Zgjidhja e ngërçit politik në Kosovë mund të vijë të enjten e datës 24 gusht në ora 10:00. Në tryezën konsultative mes partive parlamentare, në të cilën mungonte Lëvizja Vetëvendosje, kryetari i përkohshëm i Kuvendit, Adem Mikullovci edhe me kërkesë të përfaqësuesit të koalicionit PAN, Enver Hoxhaj vendosi që në datën 24 gusht të mblidhet seanca parlamentare për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Seanca e datës 24 gusht do të jetë e gjashta që zhvillohet për këtë qëllim, pasi 5 seancat e para kanë dështuar duke bllokuar formimin dhe funksionimin e instituconeve të reja të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 qershorit, të fituara nga koalicioni i përbërë nga PDK, AAK dhe Nisma. Përfaqësuesi i koalicionit PAN, Enver Hoxhaj, shprehu shqetësimin për mbledhjet e mëhershme të Kuvendit pa dakordësinë e të gjitha partive dhe pa kuorumin e nevojshëm, çka solli dhe në dështimin e tyre. Sipas Kushtetutës, kryetari i Parlamentit duhet të jetë një propozim i partisë më të madhe të koalicionit, pra Partisë Demokratike të Kosovës dhe sipas përfaqësuesit të saj, Enver Hoxhaj, e vetmja kandidaturë për këtë post është kryetari i PDK, Kadri Veseli. Ndërkohë përfaqësuesi i koalicionit tjetër, LAA, Avdullah Hoti kërkoi që partitë politike të jenë më të përgjegjshme përpara qytetarëve duke mos lejuar bllokimin e funksionimit të institucioneve. Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, Kosova do të procedojë edhe me zgjedhjet e qeverisë së re, ku si kryeministër i koalicionit fitues është propozuar, Ramush Haradinaj.

Artikulli paraprakLoja e Vuçiç me Brukselin për të siguruar një pushtet autoritar
Artikulli tjetërThaçi flet për “trenin e fundit për paqe të qëndrueshme”