Prishet plani i trafikimit, bllokohet furgoni me 710 kg drogë në Vlorë

Policia  ka bërë të mundur sekuestrimin e 710 kg kanabis në Vlorë gati për t’u trafikuar në Itali. Në pranga ka rënë Selman Hamitaj, 71 vjeç, banues në fshatin Dukat, Vlorë dhe ka shpallur në kërkim B.T 44 vjeç, banues në Durrës, si autorë të dyshuar në lidhje me këtë ngjarje.
Sipas burimeve të policisë, lënda narkotike është sekuestruar në mjetin tip “Furgon” me targë EL 2494 C, në orët e para të mëngjesit të sotëm në banesën e Selman Hamitaj, në fshatin Dukat, Vlorë.
Nga këqyrja që i është ushtruar këtij mjeti, brenda në të është konstatuar një sasi me lëndë narkotike, e cila pas peshimit të përgjithshëm ka rezultuar në total  710 kilogramë, e dyshuar e llojit kanabis.
Lënda narkotike ishte e ndarë dhe e vendosur në 27 pako të mbështjella me plastikë dhe natriban, si dhe në 8 çanta sportive, të cilat u bllokuan dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Policia vazhdon hetimet për zbulimin dhe kapjen e autorëve të tjerë bashkëpunëtorë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrohet 1 kuintal kanabis në Itali, në pranga dy shqiptarë

Një i arrestuar, një kuintal marijuanë dhe dy të arratisur: Këto janë të dhënat e fundit të publikuara nga Policia në Manfredonia e Kuesturës së Foggia, pas një operacioni të ngjashëm të zhvilluar në mars, kur u konfiskuan më shumë se 800 kg marijuanë, dy pistoleta Beretta dhe u arrestuan tre shqiptarë.
Në Peschici, në lokalitetin Buria është zbuluar se është depozituar marijuana që kishte zbarkuar në Gargano dhe është gjetur në një vilë në ndërtim e sipër, njëmijë kg. U arrestua i zoti i pronës, Raffaele De Noia, 21 vjeç, lindur në Peschici, që mendohet se është i afërt me një familje krimi me shumë ndikim.
Në kohën e kontrollit, dy rojtarë të drogës, me shumë mundësi me origjinë shqiptare, arritën të zhduken duke humbur gjurmët dhe tani janë shpallur në kërkim.
De Noia tha se, kishte qenë ditët e fundit jashtë qytetit, në Andria, ku kishte marrë pjesë në varrimin e një të afërmi që ishte vrarë (Matteo De Gennaro, 25 vjeç, nga një e shtënë në kokë natën mes së shtunës dhe të dielës së 11 qershorit në Bisceglie).

Artikulli paraprakGjobë 10 mijë euro se jemi kushërinjtë e Shullazit
Artikulli tjetër500 ton kafe kontrabandë, ministrja e Financave urdhëron nisjen e hetimit