Presion Ikardit!

Mes plazheve përrallore dhe dunave të rërës, Mauro Ikardi po shijon pushimet e tij me familjen në Dubai, në pritje të sezonit të ri. Sulmuesi argjentinas e di mirë se kampionati i ardhshëm nuk do të jetë një shëtitje, sepse klubi po tenton të bëjë investime të rëndësishme për të rikthyer milanezët të paktën në Ligën e Kampioneve, por edhe nëse e ka harruar këtë, ai që nuk ngurroi t’ia kujtojë, ka qenë trajneri i tij i ri.
Siç zbulon media italiane, Luçiano Spaleti nuk është stepur nga fakti për t’i marrë pak më shumë se gjysmë ore lojtarit, nga pushimet e tij. 58-vjeçari i njeh padyshim cilësitë e numrit 9 të Interit, por ai nuk është nga ata strategë që kënaqet me pak. Përkundrazi, shifrat e argjentinasit, 24 golat, nuk janë diçka që e lënë me gojë hapur, sepse ai kërkon më shumë.
Këtë ia ka bërë të ditur gjatë telefonatës së ndodhur së fundmi, ku urdhri ka qenë shumë i qartë, më saktë një ultimatum: “Tani e tutje dua që të vihesh në dispozicion të skuadrës. Të gjithë duhet të sakrifikohen, ti si kapiten më shumë se kushdo tjetër, përndryshe duhet të dorëzosh shiritin që mban në krah”.
Fillimisht, kur u vendos se Spaleti do të ishte trajneri i ri i Interit, u përfol shumë se hapi i tij i parë do të ishte ai i ndryshimit të emrit të kapitenit të skuadrës dhe mesa duket, zërat po marrin konfirmime, ndonëse nuk ka dyshime se Mauro Ikardi do ta ketë një shans për ta vërtetuar këtë.
Thjesht, ai duhet të luajë më shumë për skuadrën, qoftë duke sakrifikuar edhe ndonjë gol personal, përndryshe Spaleti nuk është nga ata që stepet dhe për këtë mjafton të dish “trajtimin” që i bëri një ikone si Françesko Toti në Romë.
Ndërkohë, Aver Banega sezonin e ardhshëm do të kthehet në La Liga. Agjenti Marcelo Simonian ka thënë se klienti i tij Ever Banega 99 për qind do të kthehet gjatë kësaj vere në La Liga. Argjentinasi ka kaluar një sezon jo të mirë te Inter dhe tashmë beson se La Liga është më e mira për të. “Ever 99 për qind do të kthehet në Spanjë. Marrëveshja është arritur”, tha Simonian për “Tuttomercatoweb”. Nuk dihet ende nëse Banega do të kthehet në Sevilla apo do të transferohet në Espanyol.

Artikulli paraprakMeksika e Portugalia prekin gjysmëfinalen
Artikulli tjetërBlerja e votave shkatërron edhe euron edhe dollarin