Presidenti Trump kërkon opsione për Korenë e Veriut

Presidenti Donald Trump u ka kërkuar zyrtarëve amerikanë t’i paraqesin opsione për të eliminuar rrezikun që paraqet militarizimi bërthamor i Koresë së Veriut, tha të dielën këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, H.R. McMaster.
Ndërkohë që një njësi luftarake e marinës amerikane ishte në lundrim drejt ujërave pranë Gadishullit Korean, zoti McMaster tha për rrjetin “Fox News”: “Ky është një regjim i papërgjegjshëm që tani ka kapacitete bërthamore. Presidenti na ka kërkuar t’i japim një gamë të plotë opsionesh për të eliminuar kërcënimin ndaj amerikanëve dhe aleatëve e partnerëve tanë në rajon”.
Zoti McMaster e cilësoi “një veprim të mençur” vendimin për të dërguar njësinë luftarake Carl Vinson për të mbrojtur interesat amerikane në Paqësorin Perëndimor.
Korea e Veriut vazhdon përpjekjet për të zhvilluar një raketë me rreze të gjatë veprimi, të aftë të pajiset me mbushje bërthamore, e cila të mund të godasë Shtetet e Bashkuara që ndodhen 8 mijë km larg. Deri tani Pheniani ka kryer pesë prova dhe mund të jetë në përgatitje për provën e gjashtë.
Pa përmendur Korenë e Veriut me emër, këshilltari McMaster tha, “Nëse shkel marrëveshjet ndërkombëtare, nëse nuk përmbush angazhimet që ke marrë, nëse bëhesh kërcënim për të tjerët, do të vijë një pikë kur mund të ndeshesh me një përgjigje”.
Njësia Sulmuese Carl Vinson kishte ankoruar në Singapor dhe më pas ishte nisur drejt Australisë, kur mori urdhër të lundronte drejt veriut.
Synimi i kësaj njësie është të mbrojë interesat amerikane në pjesën perëndimore të Paqësorit, tha një zyrtar i Pentagonit për “Zërin e Amerikës”.
Njësia sulmuese përfshin një aeroplanmbajtëse dhe tre destrojerë me raketa.
Presidenti Trump nuk ka shprehur një strategji të qartë në përgjigje të politikave koreanoveriore, por ai ka kritikuar qëndrimin administrativ të mëparshme që e ka cilësuar si “durim strategjik” ndaj militarizimit bërthamor që po ndjek Pheniani.

Artikulli paraprakSulme kundër të krishterëve në Egjipt
Artikulli tjetërVazhdojnë protestat antiVuçiç në Serbi