Presidenti Trump fillon detyrën, takohet me ligjvënës

Presidenti amerikan Donald Trump u takua dje me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan dhe nënshkroi një numër urdhrash ekzekutivë, ndërsa administrata e tij fillon javën e parë të plotë në detyrë.
Shtëpia e Bardhë nuk dha hollësi se cilat çështje do të jenë objekt i urdhrave ekzekutivë.
Gjatë fushatës së tij, zoti Trump premtoi t’i zhbëjë urdhrat ekzekutivë të nënshkruar nga ish-presidenti Barack Obama. Pasi u zgjodh, ai parashtroi një plan, sipas të cilit, në ditët e para të administratës, presidenti i ri do të bëjë të njohur tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e tregtisë së Partneritetit të Trans Paqësorit ku përfshihen 12 vende, si dhe për të rinegociuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA) me Meksikën dhe Kanadanë.
Planet e zotit Trump përfshijnë gjithashtu urdhra ekzekutivë që përfshijnë imigracionin dhe sigurinë kombëtare. Ai ka nënshkruar tashmë një urdhër që deklaron synimet e tij për të shfuqizuar menjëherë programin e kujdesit shëndetësor të nënshkruar nga zoti Obama.
Shtëpia e Bardhë tha se zoti Trump do të diskutojë për imigracionin dhe reformimin e NAFTA-s me presidentin e Meksikës, Enrique Pena Nieto, më 31 janar. Ai ka në plan gjithashtu të takohet së shpejti me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau.

Artikulli paraprakKush është “ylli i vërtetë” i Trump tek CIA?
Artikulli tjetërTheresa May, vizitorja e parë e Trumpit