Presidenti rus Putin për një vizitë në Japoni

Presidenti rus, Vladimir Putin ka shkuar në Japoni për dy ditë bisedime me kryeministrin Shinzo Abe, lidhur me disa mosmarrëveshje territoriale, që i kanë penguar dy vendet të nënshkruajnë një marrëveshje paqeje, e cila do t’i jepte fund zyrtarisht armiqësive të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore.
Zotin Putin e çuan me autokolonë në një pikë termale në Nagato, vendi i të parëve të kryeministrit japonez.
Para se të fillonin diskutimet, kryeministri japonez Abe u tha gazetarëve, se shpresonte që burimet e nxehta termale, do t’i lehtësonin bisedimet:
“Këto burime termale të ndihmojnë të marrësh veten nga lodhja. Pra, edhe nëse lodhemi shumë pas bisedimeve, unë premtoj se do të rifreskoheni plotësisht”.
“Është shumë mirë që burimet e nxehta termale të ndihmojnë të marrësh veten. Por mendoj se më e mira është të mos lodhemi nga këto bisedime”, u përgjigj zoti Putin.
Udhëheqësit do t’i japin fund bisedimeve të premten në Tokio.
Kryeministri japonez shprehu shpresën për zgjidhjen e fatit të katër ishujve në brigjet veriore të vendit, që njihen si Territoret Veriore në Japoni dhe Kurilet Jugore në Rusi.
Ishujt u pushtuan nga forcat sovjetike në vitin 1945, duke detyruar largimin me forcë të rreth 17 mijë banorëve japonezë. I ati i kryeministrit japonez, që nuk jeton më, ish-ministri i Jashtëm Shintaro Abe, u përpoq pa sukses të negocionte me Moskën për ishujt, tri dekada më parë.
Zoti Putin nuk pritet të bjerë dakord për t’i kthyer Tokios kontrollin e katër ishujve. Por vëzhguesit thonë se ai kërkon gjithashtu të sigurojë investime japoneze në Rusi, për të zbutur ndikimin e sanksioneve ekonomike të ndërmarra nën udhëheqjen amerikane për shkak të rolit të Moskës në krizën e Ukrainës.

Artikulli paraprakRinovohen sanksionet e BE-sё ndaj Rusisё
Artikulli tjetërGjermania deporton refugjatët afganë