Presidenti kinez pritet të vizitojë SHBA

Presidenti amerikan, Donald Trump ka në plan të presë presidentin kinez, Xi Jinping për një takim dyditor muajin e ardhshëm në vilën e tij në Florida, në brigjet e Oqeanit Atlantik. Ky do të jetë takimi i parë i të dy udhëheqësve.
As Uashingtoni dhe as Pekini nuk e kanë konfirmuar takimin në pronën Mar-a-Lago të zotit Trump, por mediat amerikane njoftojnë se takimi mes dy presidentëve të ekonomive më të mëdha të botës është në plan në mbahet më 6 dhe 7 prill.
Sipas njoftimeve, sekretari i Shtetit, Rex Tillerson pritet t’i përfundojë planet për takimin Trump-Xi gjatë vizitës së tij në Pekin këtë javë. Ministria e Jashtme e Kinës tha dje se të dy vendet kanë qenë në komunikim të afërt lidhur me takimin midis udhëheqësve të tyre.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha të hënën se zoti Trump dhe zoti Xi kanë në plan të diskutojnë lidhur me kërcënimin që paraqet programi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe i provave me raketa, si dhe çështje të tjera.
Presidenti Trump shpesh i ka kërkuar Kinës të përpiqet t’i frenojë veprimet agresive të Phenianit, duke përmendur ndikimin e Pekinit tek regjimi i udhëheqësit koreanoverior Kim Jong un.
Shtetet e Bashkuara, po ashtu kanë shprehur kundërshtim ndaj krijimit nga Pekini të ishujve në Detin e Kinës Jugore, duke çuar herë pas here anijet kineze pranë ishujve që gjenden në ujëra ndërkombëtare, si një shprehje e forcës në rajon.
Ndërsa Kina pati shprehur shqetësim ndaj SHBA, kur Trump fillimisht foli për mundësinë e fundit të politikës së një Kine të vetme, që pranon pretendimin e Pekinit për Tajvanin si pjesë e Kinës. Gjatë tranzicionit të pushtetit, zoti Trump bisedoi në telefon me presidentin tajvanez Tsai Ing-wen, i cili e uroi atë për fitoren në zgjedhjet e nëntorit. Ky veprim binte në kundërshtim me qëndrimin e mëparshëm amerikan për kontrollin e Tajvanit ndaj Kinës, që Uashingtoni e ka pranuar për herë të parë në vitin 1979.
Por një muaj më parë, Trump e siguroi zotin Xi në një bisedë telefonike, se nuk ka për të patur ndryshim në politikën amerikane të një Kine të vetme, duke e lehtësuar kështu mbajtjen e takimit të planifikuar për në prill mes të dy presidentëve.

Artikulli paraprak10 kushtet për t’u bërë trajneri i ri
Artikulli tjetërBasha: Rama, 500 milionë euro për projekte fasadë