Presidenca: Vota nuk është qëndrim shtetëror

Polemika të forta në Tiranë për votën e djeshme të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në favor të rezolutës që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA. Opozita ka folur për “një qëndrim të gabuar”. Kritik është shfaqur dhe Presidenti Ilir Meta, sipas të cilit një qëndrim i tillë i Shqipërisë ka qenë “tërësisht i panevojshëm”.
Ministria shqiptare për Europën dhe Politikën e Jashtme sqaroi përmes një deklarate, pozicionin e mbajtur në OKB. “Vota jonë sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë çështje. Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër të konsiderueshëm dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit e saj të linjëzuar me Bashkimin Evropian”, shpjegon deklarata.
Por Presidenti Ilir Meta u shfaq sot kritik ndaj kësaj zgjedhjeje. Zëdhënësi i tij, Tedi Blushi i tha “Zërit të Amerikës” se, “Presidenti vlerëson se ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar”. Zëdhënësi sqaroi më tej se, “Presidenti i Republikës nuk është konsultuar dhe informuar paraprakisht lidhur me qëndrimin që do të mbahej ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme, jo vetëm për politikën e jashtme të Shqipërisë, por për mbarë kombin shqiptar”. Zoti Meta ka vënë theksin te rëndësia që, Shtetet e Bashkuara kanë për Shqipërinë. “Nuk duhet të harrojmë se, SHBA mbetet aleati dhe partneri më i rëndësishëm strategjik, ndaj qëndrime e vendime të tilla duhet të jenë të mirë koordinuara. Populli dhe kombi shqiptar nuk e harrojnë kurrë dhe i janë mirënjohës vendimeve historike të SHBA-së lidhur me ekzistencën jetike të kombit dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë dhe të Kosovës”, përfundon deklarata e Presidentit Meta.
Edhe opozita e kundërshtoi qëndrimin e mbajtur në OKB. Kryetari demokrat Lulzim Basha theksoi mbrëmë gjatë emisionit “Opinion”, se “Shqipëria ka konsoliduar në 27 vite, një qëndrim të rreshtuar krah qëndrimit amerikan për çështjet e Lindjes së Mesme. Për herë të parë, Shqipëria ka ndryshuar qëndrim dhe është rreshtuar me shumicën e vendve të BE-së”, tha zoti Basha, sipas të cilit “është një qëndrim i gabuar. Kjo çështje ka të bëjë me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, të cilat deri sot janë shërbyer vetëm nga një aleat strategjik që janë SHBA-të, pa të cilët nuk do ishim anëtarë të NATO-s dhe Kosova nuk do ishte e pavaruar”, tha zoti Basha. “Nga ana tjetër, shpjegoi ai, ne kemi një tjetër interes strategjik, atë të anëtarësimit në BE. Por përsa kohë BE-ja nuk e kushtëzoi politikën e vet të jashtme, nuk kishte arsye që Shqipëria të ndryshonte qëndrimin dhe të mos i qëndronte pozicionit amerikan. Jo për mënyrën se si duhet të zgjidhet çështja, por për hir të interesit kombëtar”, nënvizoi zoti Basha.

Artikulli paraprakKëshilltarja shqiptare e New-Yorkut: Akt i turpshëm
Artikulli tjetërVjen refuzimi i parë amerikan për Ramën