S’do ketë pension nën 250 mijë lekë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka premtuar jo pak herë gjatë fushatës elektorale, por dhe në çadrën ku kreu protestën 90 ditore, se do të rrisë me së paku 80 për qind gjatë mandatit të parë të qeverisjes pensionet minimale, duke i çuar ato brenda mandatit të parë qeverisës në 25 mijë lekë, nga 15.300 lekë që janë aktualisht. Shumëkush mund të jetë treguar skeptik për këtë rritje, por e vërteta është ndryshe. Demokratët kanë treguar kur janë në pushtet se dinë t’i realizojnë premtimet dhe shembull për këtë është qeveria Berisha dhe filozofia e saj për ngritjen e rrogave të ulëta.

Mandati i parë

Kur erdhi në vitin 2005 në pushtet, pensioni minimal në qytet nuk ishte më shumë se 6500 lekë në muaj. Por ritmet e rritjes ishin gati 20% në vit për pensionet minimale. Kështu, në mandatin e parë të qeverisjes, në vitin 2009, nga 6500 lekë në qershorin e atij viti pensioni minimal në qytet kishte arritur në gati 11 mijë e 300 lekë në muaj ose një rritje me gati 5000 lekë në katër vite ose 80 për qind me shifrën që e gjeti. Përfituesit e mbajnë mend mirë, se pensioni rritej çdo 3 apo katër muaj me 5% ose 20 për qind në fund të vitit. E njëjta gjë ndodhi dhe me pensionet mesatare. Në vitin 2005, pensioni mesatar nuk e kalonte shifrën e 8 mijë lekë në muaj, por në qershorin e 2009-ës kjo masë kishte shkuar në 13500 lekë të reja ose rritje me 5500 lekë apo gati 70 për qind në katër vjet. Ndërsa pensioni maksimal, nga 15 mijë lekë që ishte në atë kohë, në vitin 2009 kishte arritur masën e 21 mijë lekëve në muaj ose një rritje me gjashtë mijë lekë apo 45 për qind për katër vjet. Këto janë shifrat që ofronte qeveria Berisha dhe e njëjta gjë e indeksuar po premtohet dhe sot nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Më e zymtë paraqitej situata në fshat. Një pension minimal fshati për familjet me pak tokë, nuk e kalonte shifrën e 3600 lekëve në muaj. Pensioni mesatar ishte dhe më i ulët, sepse llogaritej në bazë të tokës që ishte përfituar dhe nuk e kalonte shifrën e 3 mijë lekëve në muaj, ndërsa nuk flitej fare për pensione maksimale. Në mandatin e parë të qeverisjes situata ndryshoi. Pensioni minimal i fshatit u rrit në 6500 lekë ose me 3 mijë lekë më shumë në krahasim me vitin 2005, ndërsa pensioni mesatar shkoi në 5900 lekë në muaj. Pra, një rritje me 80 për qind dhe këtu në krahasim me vitin 2005.

Mandati i dytë

Rritja nuk do të ndalej as në mandatin e dytë të qeverisjes. Në vitin 2013 pensioni minimal i qytetit arriti në 146 mijë lekë ose një rritje me 120 për qind në 8 vjet qeverisje. Në të njëjtat shifra u rrit dhe pensioni i fshatit ku në fund të mandatit pensioni minimal arriti kuotën e 8300 lekëve në muaj ose një rritje me 4700 lekë në krahasim me situatën kur e mori qeverisjen Partia Demokratike. Madje në vitin 2010 në fshat u vendosën dhe pensionet maksimale, për familjet me pak të ardhura dhe në vende ku toka nuk prodhon. Kështu për herë të parë në vitin 2010 u vendos që pensioni maksimal i fshatit të jetë 11 mijë lekë të reja, për të marrë deri në vitin 2013 13 mijë lekë të reja në muaj, duke iu afruar kështu pensioneve të qytetit. Pra, një rritje me gati 350% në tetë vite për familjet me të ardhura të pakta në fshat, gjë të cilën s’e ka bërë asnjë qeveri e mëparshme në vend. Në fund të mandatit të dytë, Berisha kishte bilancin më të lartë të rritjes së rrogave dhe pensioneve në 22 vite të ndërrimit të sistemit. E gjitha kjo do të ndalonte me ardhjen e Edi Ramës në pushtet.

Rritja e Ramës qesharake, u hoqi dhe rimbursimin e ilaçeve

E vetmja rritje e pensioneve nga ana e Edi Ramës do të ishte ajo 1 marsit, ku pensionet u rritën me jo më shumë se 3%, aq sa Berisha gjatë mandatit të tij i rriste në tremujorin më të keq. Sot, me gjithë inflacionin e katër viteve, një pension minimal është rritur me vetëm 500 lekë në muaj ose nga 14600 lekë ka arritur në 15100 lekë. Kjo ishte rilindja që projektoi Rama për shtresat e pensionistëve. Përveç kësaj u rriti dhe dritat dhe u hoqi shumicën e rimbursimeve të ilaçeve, sidomos ato që kanë të bëjnë me hipertensionin apo zemrën. Në rast se deri në vitin 2013 një pacient i kësaj kategorie i merrte ose totalisht falas ose paguante maksimumi 300 lekë për ilaçe të veçanta, sot i duhet të paguajë deri në 1500 lekë në muaj. Në këtë llogari nuk po shtojmë rritjen e çmimit të energjisë, faturave të ujit sidomos në Tiranë dhe të mallrave të përditshme. Mendohet se një pensionist në Shqipëri harxhon deri në 50% më shumë të asaj që merr dhe që janë shpenzime që mbulohen kryesisht nga fëmijët. Dhe këtu flitet për harxhimet minimale që kërkojnë dy pensionistë për të kaluar muajin. Në katër vjet qeverisje Rama nuk e përmendi asnjëherë rritjen e pensioneve, megjithëse kishte premtuar rritje progresive të tyre në fushatën elektorale të vitit 2013.

Qeveria Berisha, shpërblime 5 mijë lekë në muaj çdo vit

Një anë tjetër e qeverisë Berisha ishte dhe dhënia e shpërblimeve për në fundvit në masën 5 mijë lekë për të gjitha kategoritë e pensionistëve. Kjo ka zgjatur në të gjitha vitet e qeverisjes së tij, me përjashtim të dy viteve të fundit ku masa e shpërblimit ishte 2500 lekë. Në rast se i shtojmë dhe këtë, i bie që çdo pensionist në 8 vite ka marrë dhe 35 mijë lekë të reja më shumë. Ose e thënë më saktë. Shumën e rritjes së pensionit të Ramës në një vit, Berisha e jepte në formë shpërblimi vetëm për festa, përveç rritjes vjetore prej 20 për qindësh. Dhënia e shpërblimeve ishte një traditë, të cilën qeveria demokrate nuk e shkeli as në vitin e parë të qeverisjes megjithë peripecitë e shumta në vigjilje të vitit të ri të vitit 2005 që vinin nga mungesa e të ardhurave në buxhet. Rama përgjatë katër viteve ka bërë vetëm qaramanin për mungesën e të ardhurave, por ama nuk ka kursyer për luks zyrash në masën 300 milionë euro, për fasada apo rilindje urbane siç preferon ta quajë prej 400 milionë eurosh, koncesione 500 milionë për klientët e tij e kështu me radhë. Ndërkohë që pensionet i rrit me vetëm 3 për qind.

Tallja e Ramës me pensionet, 3 për qind rritje në 4 vjet

Duke filluar nga data 1 mars 2017 pensioni minimal në Shqipëri është 15 164 lekë. Të gjithë ata të moshuar që kanë dalë vitet e fundit në pension, por edhe pensionistët që dolën pas datës 1 mars, përfitojnë pension duke filluar nga 15 164 mijë lekë. Vendimi i miratuar nga qeveria, ku parashikohet rritja e pensioneve me 3%, parashikon që të rritë edhe të ardhurat minimale për pensionistët. Sipas qeverisë përfitimet për pensionistët pas indeksimit me 3% do të jenë.
– Deri në 14 664 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, përfshirë edhe përfituesit e pensioneve;
– Deri në 14 164 lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare;
– Deri në 9 602 lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare.
“Pas datës 1.3.2017, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të qytetit me datë fillimi deri më 31.12.2014, shtuar me kompensimet, nuk mund të jenë më të vogla se 15 164 lekë në muaj, të ardhurat maksimale arrijnë 26 528 lekë në muaj, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të fshatit nuk mund të jenë më të vogla se 9 802 lekë në muaj, ndërsa të ardhurat minimale nga pensionet e parakohshme, shtuar me kompensimet, nuk mund të jenë më të vogla se 15 164 lekë në muaj”, thuhet në vendimin e qeverisë. Indeksimi prej 3% prek rreth 643 mijë pensionistë, ku pritet të rritet pensioni social dhe të gjitha të ardhurat e tjera për të moshuarit. Kështu, për një pension që sot është 15 mijë lekë, shtesa do të jetë 450 lekë dhe pas datës 1 mars përfiton 15 mijë e 450 lekë. E njëjta gjë edhe për pensionet e tjera. Më shumë do të përfitojnë të moshuarit, të cilët kanë pensione të larta. Kështu për një pension 20 mijë lekë, shtesa është 600 lekë dhe pas 1 marsit përfitohet 20 mijë e 600 lekë.

Basha: Paratë për të rritur pensionet, do të vijnë nga anulimi i koncesioneve

Partia Demokratike e ka pjesë të programit të saj rritjen e pensioneve në 25 mijë lekë të reja dhe këtë e ka thënë jo pak herë kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai ka premtuar se në fund të mandatit shifra e pensionit minimal aktual do të rritet deri në 80 për qind. Por jo vetëm kaq, Basha ka premtuar se shteti do të paguajë deri në 300 KW/orë të faturës për çdo familje, që figurojnë në skemën e ndihmës ekonomike. “Çfarë është Republika e re?! E nesërmja e sigurtë do të thotë pension minimal prej 250 mijë lekësh për çdo pensionist shqiptar, do të thotë ndihmë ekonomike për të gjitha familjet që kanë nevojë për ndihmë ekonomike dhe jo kjo lëmoshë mjerane që jepet sot. Pagesë të energjisë elektrike deri në 300 kilovat për çdo familje, pagesë e faturave të ujit për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike. E nesërmja e sigurtë do të thotë shkolla me drekë falas për fëmijët shqiptarë. Republika e re do të garantojë brenda 4 viteve të para drekën falas për të gjithë fëmijët shqiptarë në sistem arsimor publik dhe pas drekës aktivitete passhkollore deri në orën 16.00. Ju garantoj se në krye të 4 viteve duke anuluar qindra milionë euro të Ilir Beqës dhe Vilma Nushit me shokë, ne do të kemi më shumë shtretër në spitale, më shumë mjekë, mjekë më cilësorë, aparatura, ilaçet e nevojshme në farmacitë e spitaleve për të mos shkuar jashtë tyre”, është shprehur kreu i PD-së.

Artikulli paraprakOrët e punës, shqiptarët më të robtuarit në Europë
Artikulli tjetërJuventus ofron 35 milionë euro për Douglas Costa