Prej lirisë së shtypit tek Op Edi dhe GazetEri!

Nga Arian Galdini

Eshtë globale rënia e lirisë së shtypit. Më shumë se liri shtypi ka tirani transparence. Korporatat janë në qasje e përpjekje të suksesshme për të kapur qeverisjet edhe në vendet më të zhvilluara të demokracive perëndimore, e madje po ia dalin edhe të copëzojnë e të jetësojnë edhe pothuajse pjesën më të madhe të instrumentave që e bëjnë demokracinë të tillë.
Që mes klientelizmit dhe lobizmit të mos ketë më dallim, e për rrjedhojë njerëzit ta kenë të paqartë se çfarë është ligjore, pra e lejueshme, e çka jo, Korporatat kanë marrë në zotërim mediat dhe duke përdorur lirinë e shtypit, jo duke e ushtruar atë, krijojnë ciklone informative dhe analitike ku mbledhin gjithçka e nuk kthjellojnë asgjë. Përdorimi i lirisë së shtypit çon në tiraninë e transparencës, dmth pafundësi lajmesh ku gjithkush thotë çfarë të doje, secili të vërtetën sipas tij, që shkaktojnë tejngopje të lexuesit deri në kolapsim.
Kolapsimi i qytetarit nga mbi-informimi është pothuajse në të njëjtat vlera negative me mosinformimin që bënin diktaturat. Qytetari i mbi-informuar është po aq i painformuar sa qytetari të cilit i ndalohet informacioni. Mund ta quajmë edhe të keqinformuar, por është ashtu.
Kërkohet metodologji dhe përgatitje në një masë së paku modeste akademike, që në diktatin e mbi-informimit qytetari të zhvillojë shqisat dhe kapacitetet përzgjedhëse. Në përzgjedhje, edhe mund të gabosh e kësisoj të quhesh i keqinformuar. Ndërsa kur nuk përzgjedh dot, nuk je aspak i keqinformuar, je thjesht i painformuar. Tek e fundit, edhe në diktatura me mungesë informacioni, nuk është se qytetari nuk merr fare informacion. Merr thjesht dhe vetëm informacionin që i ushqen diktatura. Pra nuk përzgjedh sepse nuk e lejojnë të përzgjedhë.
Ushtrimi i lirisë së shtypit çon në misionarizëm dhe përgjegjshmëri publike. Ushtrimi i lirisë së shtypit është thelbësisht ushtrimi i një pushteti nga profesionistët e informimit ndër qytetarët, pra nga gazetarët, që të kërkojnë e shpallin me korrektësi e kurajo çdo të vërtetë. Gazetaria është mision i madh, nuk është punë që ta jep pronari.
Qytetarë janë gazetarët. E ngase kanë zgjedhur të bëhen profesionistë në pushtetin e informimit, ata janë qytetarët profesionistë që në emër të qytetarëve, për qytetarët të kërkojnë e shpallin të vërtetat. Korporatat në botë, kanë shpikur linjën editoriale si e drejtë, në emër të lirisë së shtypit. Kjo linja editoriale është përdorimi më i pisët që i bëhet lirisë së shtypit. Me linjë editoriale, shuhet çdo vijë ndarëse mes klientelizmit dhe lobizmit, mes lajmit dhe shantazhit, mes së vërtetës dhe qokës, e kështu me rradhë. Mund të thuash se je dogmatik, ideologjik, parimor në përzgjedhjen e linjës editoriale. Por në fund të fundit, të gjithë kështu thonë. Çka e ndan atë që deklarohesh me atë që je, e përcakton akti i ndodhur.
Ky debat sot është edhe në SHBA edhe në Europë, edhe në Britaninë e Madhe, veçse i sjellë në Shqipëri, druaj se biem në qesharakëzim të debatit. Imagjinoni Donald Trumpin, Barck Obamen, Hillary Clintonin, Theresa May, Matteo Renzi, Angela Merkel, David Cameron, e kë të doni tjetër, madje edhe Silvio Berlusconin, që të rrinë çdo ditë nëpër kafe e dreka e darka, me pronarë mediash, me analistë e gazetarë, e të jargaviten apo gërditen me ta. Imagjinoni cilindo nga liderët perëndimorë që të vijë një çast e të zbrazen nga përgjegjshmëria publike, e gjithçka publike ta përdorin si joshje a kërcënim për pronarët e mediave, analiste e gazetarë.
Ka episode patjetër, sepse njerëzore jemi të gjithë, por nuk ma ha mendja se gjenden në Perëndim të tillë liderë e shtetarë si këta që kemi ne këtu, që lidhin e zgjidhin gojët, brekët e interesat me gjithëfarë njeriu që ka para e vota, qofshin këto të pastra a të fëlligështa. Jemi aq vend i vogël, sa këtu ngatërrimi i këmbëve dhe mendjeve, nuk të jep kurrë pamje të qartë se të kujt janë këmbët dhe e kujt është mendja. Këtu nuk kemi as klientelizëm e as lobizëm. Këtu kemi mirëfilli gangsterizëm. Ata që kanë pushtete publike qofshin këto pushtete shtetërore, politike, të drejtësisë apo medias, bëhen bashkë për të sunduar publikun, për ta plaçkitur publikun dhe për ta mbajtur të nënshtruar publikun. Prandaj, kush na flet për Linja Editoriale këtu, le të na e kursejë këtë prapanicëtallje.
Këtu nuk ka Linjë Editoriale, ka Implikim. Të gjithë rendin pas Implikimit apo Implikuesit të rradhës. Prandaj është ditë e zezë për median kur edhe ato pak media që ndonëse të kritikueshme në llojin e tyre, rezistojnë si kundërshtare të pushteteve. Nuk është gjë e vogël që Mbipushteti të kërkojë edhe mbingopje me informacion edhe mosinformacion. Po ndodh. Tirania e transparencës dhe Tirania e mosinformimit, po përmblidhen vetëm në një dorë, në një pushtet, në një njeri. Ky njeri e ka emrin Edi Rama. Mos e merrni për të lehtë këtë që po ndodh. As mos e mendoni pa pasoja të mëdha. Tashmë në kontskestin shqiptar, merr tjetër kuptim, madje merr shumë kuptim shkurtimi i rubrikës Opinione dhe Editoriale në Op Ed. Fatkeqësia është se gazetaria po transformohet në gazetEri…

Artikulli paraprakThaçi: Ndalim me çdo çmim trenit “Kosova është Serbi”
Artikulli tjetërPërse europianët e duan euron