Pranohet ftesa bullgare për Moskën

Zyra e shtypit e Presidentit bullgar dha të hënën në mbrëmje lajmin se ftesa drejtuar Presidentit rus, Vladimir Putin qe pranuar.
Dy presidentët patën një bisedë telefonike 20-minutëshe me iniciativën e palës bullgare me rastin e Ditës së Rusisë më 12 qershor, gjatë së cilës u diskutua “lidhja e thellë historike dhe shpirtërore midis popujve bullgarë dhe rusë”, tha zyra e shtypit të Presidentit Radevit.
Iniciuar nga Putin, të dy presidentët analizuan marrëdhëniet bilaterale tregtare dhe ekonomike, si dhe marrëdhëniet në fushën e energjisë, ku shprehën “dëshirën e ndërsjellë për zhvillim të mëtejshëm, pa politizim dhe në bazë të përfitimit reciprok”.
“Presidenti rus falënderoi Presidentin Rumen Radev për kontributin e tij në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe”, tha deklarata në faqen e internetit të presidencës bullgare.
Data e saktë e vizitës së Putinit në vitin 2018 mbetet ende për t’u vendosur.
Ish-presidenti Georgi Parvanov, i njohur për qëndrimin e tij pro rus, sugjeroi se 3 marsi 2018, kohë kur Bullgaria feston çlirimin nga pesë shekuj të sundimit osman, si rezultat i luftës ruso-turke 1877-78, do të ishte një datë e përshtatshme që Putin të vizitonte vendin.
Sugjerimi për vizitën e Putinit gëzoi mbështetje edhe nga ambasadori rus në Sofje, Anatoli Makarov dhe ish-zëvendëskryeministri Denitsa Zlateva nga Partia Socialiste bullgare.
Putin e vizitoi Bullgarinë për herë të fundit si kryeministër i Rusisë në vitin 2010, kur erdhi për të nënshkruar kontratën për pjesën bullgare të projektit të gazsjellësit South Stream me qeverinë e Bojko Borissov dhe për të diskutuar mbi projektin bërthamor Belene.
Por tri vite më pas, më 2013, Borissov e anuloi projektin Belene për shkak të mungesës së fondeve dhe South Stream ra gjithashtu më 2014, kur Putin e la pas dore pas kundërshtimeve nga Komisioni Europian për konkurrencën.
Në shkurt megjithatë, presidenti rus sinjalizoi gatishmërinë e tij për të rinovuar projektet e energjisë me Bullgarinë, pavarësisht zhgënjimit të Kremlinit për dështimin e gazsjellësit të mëparshëm.

Artikulli paraprakDy vjet burg politikanit në Zvicër për Srebenicën
Artikulli tjetërEkonomia gjermane dhe zgjedhjet